Roman dashurie: Në kohë të duhur (3)

  • 13 November 2019 - 15:01
Roman dashurie: Në kohë të duhur (3)

KAPITULLI I TRETË

Për atë mbrëmje dy shoqet kishin planifikuar që të shkonin në mbrëmjen muzikore të një pop-grupi vendor, por Agimja i telefoni paradite dhe i tha se nuk do të dalë. –Më fal, por Agoni më ka thënë që nuk guxoj të dal. – Pse? – Sot m’u djeg mishi i drekës. Isha duke e fërguar dhe shkova për një moment të shoh se çfarë po ndodh në atë serinë që jam duke e shikuar e më pas e harrova mishin dhe ai u dogj. Agoni u tërbua. Ka të drejtë që të hidhërohet, jam budallaqe e vërtetë. Ai punon tërë ditën e unë as një drekë nuk di ta përgatis si duhet. Sonte ai del me shokët e tij dhe më tha që të rri në shtëpi. Mund të vish te unë, do ta shikojmë ndonjë film ose të luajmë me letra. Lena pranoi. Nuk kishte shoqe më të mirë se Agimen, ndërsa me shoqet tjera me të cilat do të mund të shkonte i shkonin në nerva për shkak se kohëve të fundit publikisht e kishin provokuar për shkak të faktit që është ende e virgjër. I kishte ardhur turp para meshkujve të panjohur të cilët do të mund ta joshnin dhe të cilët edhe vetë do të fillonin ta provokonin nëse do të dëgjonin për virgjërinë e saj. Ndjehej sikur ato e kishin shndërruar në një trofe të vërtetë, nganjëherë i dukej se të gjithë meshkujt që i afroheshin ishin duke marrë pjesë në garën se cili do të jetë dashnori i parë i saj. E jo që Lena nuk ishte e dashuruar. Madje me një mashkull kishte shkuar aq larg sa që ishin zhveshur dhe ishin në prag të seksit, por ajo e ndryshoi mendjen në moment të fundit, duke menduar se nuk bëhet fjalë për dashuri të vërtetë dhe se krejt çfarë ndjen në atë moment nuk mjafton për t’iu dorëzuar atij. Që nga ajo kohë ka pasur lidhje të shkurtra të cilat përfundonin me largimin e saj në momentin para seksit. Lena ishte shumë e bukur, me flokë bionde të valëzuara.

Nga babai kishte trashëguar sytë e mëdhenj me ngjyrë të gjelbër, e nga nëna buzët e plota dhe hundën e drejtë. Meshkujt dashuroheshin në të vetëm kur e njihnin më mirë. Në atë kohë u hynte nën lëkurë, por edhe e humbnin lehtë sapo fillonin që të këmbëngulnin për seks. Edhe asaj virgjëria i ishte bërë një barrë, por nuk dinte si të lirohej nga ajo. Frikohej nga dhimbja dhe se pas seksit të parë do të bëhet vetëm edhe një vajzë tjetër, e cila ka dalë në treg. E ishte edhe romantike. Dëshirë e saj ishte që mashkulli i saj i parë të jetë edhe i fundit në jetën e saj. Për këtë arsye vendosi që ta pranojë ftesën e Agimes dhe rreth orës tetë e la nënën dhomën e ditës duke qepur diçka. – Mos u vono! –Do të vij para mesnatës. Tung, nënë. – Tung, tung.

KAPITULLI I KATËRT

Shtëpia e Lenës ishte jo larg qendrës, në një lagje ku banonin familjet e vjetra ose të pasuruarit e rinj. Babai i Lenës aty kishte blerë një tokë dhe kishte ndërtuar një shtëpi për ta marrë statusin e një njeriut të respektuar por edhe të pasur. Edhe pse toka nuk ishte e madhe, vendi ishte shumë i vlefshëm. Shtëpia e Agimes, megjithatë, ishte në skajin tjetër të qytetit. Shoqet ishin njëzet minuta ecje larg njëratjetrës, por vërehej edhe dallimi i statusit mes lagjeve. Shtëpia e Agimes nuk ishte e keqe,Agoni kishte investuar mjaft në shtëpinë me dy kate, por lagjja ishte e varfër, problematike dhe goxha e ndotur. 

(Kosova Sot Online)