Roman dashurie: Në kohë të duhur (6)

  • 16 November 2019 - 14:50
Roman dashurie: Në kohë të duhur (6)

Përnjëherë gjithçka u mbulua nga errësira. Pas disa goditjeve, sulmuesi përsëri e ngriti, ia ngjiti për flokësh dhe vazhdoi që ta tërhiqte zvarrë. E tmerruar nga frika, me dhembje të tmerrshme në bark dhe me fytyrë të ënjtur, ku njëri sy i ishte mbyllur krejtësisht, me atomet e fundit të fuqisë mundohej që të rezistonte, duke fituar sa më shumë në kohë. Por, sulmuesi ishte më i fortë. Disa metra larg hyrjes në shtëpinë e braktisur, arriti t’ia shihte fytyrën – hundën e madhe, sytë e skuqur, mjekrën e parruar disa ditë... E njihte. Ishte një grindavec lokal, i cili shpesh shkaktonte rrahje nëpër kafene. Kurrë nuk ia kishte marrë mendja se ai ishte edhe – maniak. Në hyrje të shtëpisë ia shqeu bluzën. E gjuajti në dysheme, me ç’rast ajo goditi kokën në një gur. Gjaku i rridhte nëpër flokë, e vetëdija ngadalë kishte filluar t’i humbte. Papritmas iu kujtua vërejtja e Agimes, se virgjërinë mund të ta marrë edhe dikush që nuk e meriton. Ndjeu sesi ai ia zhvishte pantallonat dhe, e tmerruar nga ajo ndjenjë, përfundimisht humbi vetëdijen.

KAPITULLI I GJASHTË

Albulenës filloi t’i kthehej vetëdija. Nuk mund t’i hapte sytë. Ndiente se si trupin e kishte të mbuluar me një material i cili e grithte. Filloi të lëvizte. Iu deshën disa minuta që të kuptonte se gjendej në automobil. Ende ishte e paralizuar nga frika, u përpoq të thoshte diçka, por nuk i doli zëri. Mendonte se sulmuesi e kishte dhunuar dhe tani e çonte diku që “t’ia hiqte flamën”. U mundua që të përqendrohej në trupin e saj. Mundohej ta merrte vesh a e kishte dhunuar, apo jo. Por, i dhembte tërë trupi. Automobili u ndal papritmas. Dëgjoi se si dikush mundohej ta nxirrte nga vetura. Çdo prekje i dhembte pa masë, kështu që i vinte të bërtiste në kupë të qiellit. Por, i duhej të duronte. U mundua t’i hapte sytë, por nuk mundi. Dëgjonte veturat që kalonin pranë.

E, ai vazhdonte që ta bartte në krahë. Me gjasë do ta gjuante në ndonjë hendek, ku do ta gjenin vetëm pasi që të jetë kalbur. Donte ta luste që të tregonte mëshirë, duke iu përbetuar se askujt nuk do t’i tregonte se e kishte dhunuar. Me forcat e fundit lëshoi një zë, si bërbëlitje. Në atë rast kuptoi se edhe dhëmbët i kishte të thyer. E më pas dëgjoi zërin e tij. – Ja, arritëm! Duro vetëm edhe pak. Zëri që dëgjoi ishte i butë, i shqetësuar, i njohur për të. Nuk mund të besonte se ishte në duar të sigurta, se dikush e kishte shpëtuar. Ftohtësia që e ndiente gjatë tërë kohës, u zëvendësua nga një ngrohtësi e papritur. Hetoi se kishin hyrë diku brenda. Dëgjoi hapa që i afroheshin me të shpejtë. Frika filloi që t’i kalonte dalëngadalë. – Më ndihmoni, ju lutem! E kanë rrahur! Nuk ia doli që të dëgjonte asgjë. Përsëri i ra të fikët. (vijon)

(Kosova Sot Online)