Roman dashurie: Në kohë të duhur (15)

  • 25 nëntor 2019 - 14:53
Roman dashurie: Në kohë të duhur (15)

- Unë e kam mbaruar farmacinë, por merrem me gjëra të tjera. Bëj "advertajzing" për kompani të mëdha. Miku im i shkollës dhe unë kemi hyrë qëmoti në këtë biznes dhe ai na ka pëlqyer. Sot kemi rreth njëzet njerëz, të cilët punojnë me ne dhe të cilët i respektojmë shumë. Njëri ndër ta është edhe njeriu të cilin e vizitova në mëhallën tënde. Lena ende nuk kuptonte se me çka merrej ai saktësisht, por ishte e kënaqur me përgjigjen. - E ti, Albulena, me çka merresh? - E kam kryer shkollën e lartë të biznesit, por ende nuk punoj. - Shkollën e biznesit? Interesante. Kemi mundësi ta gjejmë një punë të mirë për ty. A do të punoje? - Natyrisht! Por, deri më tani nuk kam gjetur punë. Shtrëngonte fletoren me kreacione të modës, ku gjendeshin të gjitha ëndrrat e saj. Pyetej a t'ia thoshte të vërtetën, që të hapej deri në fund dhe t'i tregonte se çka donte me të vërtetë nga jeta. Petritit nuk i iku fakti sesi vajza e shtrëngonte fletoren. - A ditar është ai, a? Albulena buzëqeshi me zemër dhe e lëshoi fletoren. - Nuk mbaj ditar unë. Por, edhe sikur të mbaja, nga ajo ditë... ti e di... nuk do të mbaja më. - A ende nuk e ke tejkaluar këtë, a? Nuk e ke larguar nga koka? U përkul në drejtim të saj dhe përsëri ia kapi dorën, sikur kur kishte ardhur ta vizitonte për herë të parë. Ajo ia la dorën që t'ia shtrëngonte. - Nuk është se mendoj çdo ditë për këtë gjë. Nuk e ëndërroj fytyrën e tij në ëndrrat e këqija. Nuk qaj. Nuk jam e traumatizuar dhe nuk kam frikë nga hijet dhe zërat. Por, ndonjëherë më kaplon ajo ndjenjë, sikur ma merr tërë forcën. Kjo zgjat vetëm pak, por më dërmon të tërën. Nuk mund të rri me njerëz, nuk dua ta shoh askënd afër meje. Mendoj se kam probleme me nerva.

- Ke nevojë për më shumë kohë. Ende është kujtimi i freskët. Kur të angazhohesh pak, pasi që t'ia fillosh të punosh dhe të jesh e detyruar të rrish me njerëz, gjithçka do të vijë në vendin e vet. Ndoshta më së miri do të ishte sikur ta gjeje ndonjë punë. - Por, si? - Për këtë do të përkujdesem unë. E shikoi dhe i besoi. I dukej i vendosur, sikur dikush që i realizon premtimet e veta edhe nëse i vihet jeta në pyetje. Dhe, në atë moment donte t'i hapej, t'i kërkonte falje që në takimin e parë kishte qenë aq e pasjellshme dhe që nuk e kishte falënderuar që e kishte shpëtuar dhe dërguar në spital. Që ishte përkujdesur për të aq sa kishte mundur. Ia zgjati fletoren. - Me gjasë do të mendosh se nuk jam praktike dhe se këto janë punë axhaminjsh. Por, shikoji! Kjo është ëndrra ime. Me këtë do të doja të merresha. Petriti e shikoi me interesim fletoren, duke analizuar me vëmendje çdo vizatim. Albulena e përcillte shikimin e tij, duke e pyetur veten se si do t'i thoshte ai se ëndrra e saj është e parealizueshme. Pasi që përfundoi me shikimin e fletores, Petriti vazhdoi ta mbante atë në dorë. - Ti i ke bërë këto vizatime? Të gjitha këto kreacione janë tuat? Ajo pohoi me kokë. (vijon)


(Kosova Sot Online)