Roman dashurie: Në kohë të duhur (17)

  • 27 nëntor 2019 - 15:01
Roman dashurie: Në kohë të duhur (17)

U ngrit dhe ia ktheu fletoren. Deshi të thoshte diçka, por në ato momente erdhi Ganimetja dhe u befasua kur e pa Petritin afër të bijës. - A ju jeni? Sapo mendova se ishe ndonjë mashkull i panjohur dhe sapo desha t'ju sulmoja, kur pashë se jeni ju. Po, si më je Petrit? Derisa e ëma dhe Petriti këmbenin komplimente dhe fjalë të buta, Albulena filloi ta pyeste veten se a i kishte thënë Petritit që e ëma kurrsesi nuk duhej ta dinte se ajo kishte për qëllim ta vizitonte të atin për t'i kërkuar të holla. - Nëse më lejoni, do ta çoja vajzën tuaj të mërkurën në një shëtitje të mirë. Mos kini dert, ajo do të jetë në duar të sigurta dhe do të ketë gjithçka që dëshiron. - Nëse ju më thoni kështu, atëherë unë ju besoj dhe as që dua të pyes se ku do ta çoni. Albulena, a e dëgjove këtë? Lena pohoi me kokë. Ndonjëherë nëna sillej ndaj saj sikur të ishte bebe, gjë që e nervozonte. - Atëherë, shihemi të mërkurën në mesditë... Edhe një herë ia doli që t'i shihte ata sy të kaltër.

KAPITULLI I KATËRMBËDHJETË

Kishte më shumë se një orë që ishte duke u përgatitur. Kishte hallakatur gjerë e gjatë tërë gardërobën, duke kërkuar rrobat më të bukura, por që të mos e kuptonte Petriti se ajo ishte veshur kështu për hir të tij. Ai u vonua nja dhjetë minuta, gjë që Lenës iu duk si një jetë e tërë. Kur përfundimisht dëgjoi zhurmën e automobilit duke u parkuar, sa nuk piskati nga gëzimi. E puthi të ëmën, e cila gjendej në kuzhinë, duke i fshirë ca enë. - Si dukem? Ganimetja e shikoi me vëmendje të bijën. - Dukesh tepër e bukur, por nuk ke pamje adekuate për piknik. Fustani i bardhë me supe të zbuluara i arrinte deri te gjysma e kofshëve dhe ishte aq valëvitës, sa që mjaftonte një puhizë e lehtë që ta çonte lart. Sandalet e bardha me gurë rreth gishtave përshtateshin tërësisht në pamjen e përgjithshme të një princeshe të virgjër. Lena kuptoi se e ëma me të vërtetë besonte se ata dilnin në shëtitje, prandaj u mundua të nxirrej.

- Pikniku nuk nënkupton gjithmonë ecjen nëpër lloç dhe në vende të ndyta. Petriti me gjasë do të më çojë në drekë në ndonjë restorant në natyrë. Të paktën, kështu e kuptova unë. Ganimetja rrudhi supet dhe vazhdoi me enët. - Paske për qëllim që t'i hysh në qejf. Nejse. Lena e puthi atë edhe një herë, duke u përmbajtur nga komentimi një deklarate të tillë. Petriti ishte duke u afruar te dera kryesore, kur ajo i doli atij përpara. Kishte veshur xhinsi të bardhë dhe një bluzë ngjyrë të kaltër qielli. Në këmbë kishte atlete të bardha. Lena kuptoi se nuk ishte veshur në mënyrë adekuate, meqë kishte menduar se edhe ai do të vishej me veshje elegante. - Sot dukesh për mrekulli. - Faleminderit. A po ikim? - Nëse je gati... Ai voziste xhip ngjyrë të zezë, në të cilën Lena ndihej sikur të ishte në anije kozmike. (vijon)


(Kosova Sot Online)