Roman dashurie: Në kohë të duhur (22)

  • 02 December 2019 - 15:02
Roman dashurie: Në kohë të duhur (22)

Petriti ishte i saktë. Ai ishte përcaktuar për pantallona të zeza dhe një këmishë elegante, po ashtu të zezë. Kështu, sytë e kaltër të tij vetëm sa vinin edhe më shumë në shprehje. Shumë shpejt arritën në kinema, zunë vende të mira, blenë kokoshka dhe filluan të kënaqeshin duke shikuar komedi. Ajo qeshte me tërë zërin. Kah mesi i filmit i ra ndërmend se si asnjëherë nuk kishte menduar se si e shikonin njerëzit përreth, a e njihte ndokush si viktimën të cilën batakçiu lokal kishte tentuar ta dhunonte. Afër Petritit ndihej jashtëzakonisht e sigurt. Kur përfundoi filmi, shkuan në ëmbëltore. Ai mund të hante shumë dhe kjo e argëtonte Lenën. - Je tepër e bukur kur buzëqesh. Shpresoj të jesh e lumtur kur je me mua. - Po, ndihem për mrekulli.

- A dëshiron të shëtisim pak afër lumit, sepse disi nuk dua të ndahem nga ti? - Do të doja. Kur shkuan afër lumit, ai ia kapi dorën. Ajo nuk kundërshtoi, përkundrazi, kjo i pëlqeu shumë. - E kam prishur atë shtëpinë e vjetër, në truall. Desha ta dije. Ajo më nuk ekziston. - Më vjen mirë, por nuk e di a do të guxoj të kaloj andejpari më. Shoqja ime Agimja, që jeton afër, do të duhet të vijë te unë. Por, ajo është shoqe e mirë dhe do ta kuptojë situatën. - Te ajo ishe atë mbrëmje? - Po. Nuk mund të dilte në qytet, prandaj vendosëm të rrinim në shtëpi. - Si u bë që ende nuk ke fjetur me asnjë mashkull? Ajo u befasua nga kjo pyetje, por nga Petriti më nuk donte të fshihte send. - Më duket se jam tepër romantike dhe se jam duke e pritur princin në kalë të bardhë. - E, si duhet të duket ai princ? - Nuk e di... - A ka mundësi që, sado pak, të duket si unë? Përnjëherë ai u ndal dhe e ktheu Lenën kah vetja. Afërsia e buzëve të tij ishte e rrezikshme. Ajo e ndiente puthjen dhe i gëzohej asaj. - Do të ishte mirë sikur ti të ishe princi im. Buzët i kishte të mbyllura, sytë po ashtu, kurse një erë e lehtë ia shpuri aromën e parfumit të tij mu në vendin për kujtime, të cilat nuk fshihen kurrë.

KAPITULLI I NJËZETENJËTË

U puthën edhe një kohë të gjatë, para se përfundimisht të përshëndeteshin dhe të ndaheshin para shtëpisë së saj. Ora ishte dy pas mesnatës dhe Albulena e dinte se e ëma do të ishte zemëruar tanimë. Ashtu edhe i doli. - Nuk mund të besoj se ma ke bërë këtë. Fort mërzitesh ti për mua, që dridhem nga frika dhe ankthi. - Pse nuk më thërrisje në celular, nënë? - Të kam thirrur, por nuk kishe qasje. Edhe vetë e di se e ke fikur atë, e këndej më shet mend. Albulena nxori celularin nga çanta dhe kuptoi se ai ishte fikur. - Me të vërtetë nuk e kam ditur... fiket kështu ndonjëherë... - Mos më rrej! Ia ke filluar të më rresh për një mashkull. - Nuk të rrej, nënë, me të vërtetë! - E pse atëherë nuk më tregove se ke shkuar te babai? A te ai e ke bërë ekskursionin, a? (vijon)


(Kosova Sot Online)