Roman dashurie: Në kohë të duhur (24)

  • 04 December 2019 - 14:55
Roman dashurie: Në kohë të duhur (24)

Por, ajo kishte frikë. Edhe pse tani ishte e sigurt se Urithi nuk e kishte realizuar qëllimin e tij deri në fund, e bindur se mjekët nuk do ta rrenin nënën, Petritin dhe atë, e duke pasur frikë që të shkonte te gjinekologu për ta vërtetuar këtë, Albulena vazhdonte që të kishte frikë se, me kalimin e kohës, Petritit mund t'i pengojë fakti që këtë e kishte prekur edhe një mashkull tjetër. Nuk kishte përvojë në këto raportet midis meshkujve dhe femrave, por ishte e helmuar nga urrejtja e së ëmës, kështu që edhe vetë kishte filluar të mendonte se karakteri i meshkujve është i ndryshueshëm dhe se kurrë nuk guxon të mendojë se si është e sigurt rreth ndjenjave të tij. - Ende nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk e di se kur do të ndodhë. - Urdhëro? Paj, ju jeni në lidhje tash e një kohë të gjatë?

- Goxha. - E, si mendon ti që një mashkull të rrijë pa seks? Me gjasë do ta kërkojë atë gjë gjetiu, e ti më pas do të ndihesh fajtore. Albulena kuptoi se as që kishte menduar për këtë. Çka nëse Petriti me të vërtetë do të ketë nevojë për seks? Çka nëse në fund e braktisë, sepse ajo nuk manifeston shenja se do të pranojë të kenë seks? - Çka të bëj, Agime? - Fli me të! Nëse ndihesh mirë dhe nëse je e dashuruar, atëherë pse tërë ky hezitim? - Gjithçka që më ka ndodhur... sikur ta kisha takuar para kësaj, as që do të mendoja dy herë, por tani sikur më është krijuar një bllokadë në kokë... kam frikë... nuk e di... ndoshta nuk jam e virgjër... ndoshta edhe jam... Agimja e shikoi me habi. - Për çka e ke fjalën? Si po mendon, "ndoshta nuk je e virgjër"? - Lëre tani këtë, të lutem, e kam të vështirë të flas për këtë. E tërë kjo është në kokën time, një tollovi e vërtetë, të cilën nuk di si ta largoj.

KAPITULLI I NJËZETETRETË

Të njëjtën mbrëmje, Petriti e njoftoi se do të shkonin në një koktej, te një ishklient i tij. - Do të vij në shtatë e gjysmë, në mënyrë që të mbërrijmë atje rreth orës tetë, sikur që e do rendi. Vishe ndonjërin nga kreacionet tua të bukura, që të mburrem me të dashurën time. - Për çka bëhet fjalë? Unë sefte po dëgjoj për kokteje.

- Ti vetëm relaksohu. Bëhet fjalë për një politikan, të cilit ia pata bërë kampanjën - edhe atë një kampanjë shumë të suksesshme. Ai feston tridhjetëvjetorin e martesës. Nuk ke pse të ndihesh në siklet. Të puth dhe mezi pres të të shoh. U përgatit më shumë se kurrë, kërkonte fustanin adekuat, apo ndonjë komplet, çfarëdo qoftë që do ta bënte të dukej më e pasur sesa që ishte në të vërtetë. Në fund, ajo u përcaktua për një fustan të kuq e të gjatë, me zinxhir në njërën anë dhe me rripa, që binin nga supet. Në atë fustan, gjinjtë i dukeshin për mrekulli, bile edhe më të mëdhenj sesa që ishin në të vërtetë. Kishte mbathur edhe këpucë të bardha dhe ishte përcaktuar për një çantë të bardhë e të vogël, të cilën vetë e kishte bërë. Flokët i kishte lëmuar, kishte vënë një grim diskret dhe kishte vënë vathë të mëdhenj. Pasi që e pa, Petriti mbeti i mahnitur. - Je e mrekullueshme! Edhe ai dukej më bukur sesa ndonjëherë, i veshur me një kostum të hirtë, e të ndritur dhe pa kravatë. Në flokë kishte vënë pak xhelatinë, kështu që ato i shkëlqenin kur dilte në dritë. 

(Kosova Sot Online)