Roman dashurie: Në kohë të duhur (28)

  • 08 December 2019 - 15:01
Roman dashurie: Në kohë të duhur (28)

KAPITULLI I NJËZETEGJASHTË

Pas asaj mbrëmjeje, raporti me nënën u bë edhe më i keq. Ganimetja nuk mund ta pranonte faktin që Albulena ia kishte falur Petritit flirtin me të tjerat. - Nuk e kam të qartë si nuk ke aspak krenari. Si nuk e ke trashëguar nga unë dinjitetin, që të mos lejosh dikë të të tradhtojë, lëndojë, apo të të bëjë të dukesh si e marrë! Albulena i përpiu këto fjalë, e vetëdijshme se, thellë në vetvete, shqetësimi ende ishte aty, se ende mendonte për epshin dhe dëshirën si për armikun më të madh të dashurisë së saj. Erdhi gushti dhe Albulena vendosi të punësohej, prandaj pranoi punën në një dyqan afër shtëpisë, në mënyrë që të kishte para, meqë e ëma ishte bërë tepër rigoroze dhe shpesh e linte 2-3 ditë të uritur. Petriti kishte mbetur i tmerruar kur ajo e kishte vënë para aktit të kryer, duke i thënë se ishte punësuar. - Nëse doemos ke pasur nevojë për punë, është dashur të ma thoshe. Unë jam i gatshëm që të të ndihmoj, por për ne të dy kam pasur plane të tjera për fundin e këtij muaji.

- Çfarë planesh? - Të shkojmë në det. Të shkojmë në pushim rreth 20 gushtit, por tani ti nuk mund të vish me mua, sepse je duke punuar. Mendo rreth asaj që ta lësh punën, të shkojmë në pushim së bashku dhe, kur të kthehemi, unë do të ta gjej një punë të mirë. Tingëllonte mirë, por Albulena e dinte se e ëma nuk do të mund ta përpinte këtë, sidomos pasi që ai duhej t'i paguante tërë pushimet. E as vetë nuk mund ta paramendonte të shkonte diku pa paratë e veta. - Nuk mund ta humb punën. - E, si do t'ia bëjmë tani? Unë kam nevojë të pushoj, të udhëtoj, është e sigurt se nuk do të rri këtu gjatë pushimeve. - Shko, atëherë! - Pa ty? - Pa mua. Nuk do të bëhet kiameti. Petriti ofshau, buzëqeshi dhe rrudhi supet. - Kështu e ke kur ende nuk më beson sa duhet dhe nuk më tregon për planet tua, para se t'i realizosh. Sikur të më thoshe se dëshiron të punësoheshe, do t'ia bënim disi. Kështu, për fat të keq, do të më duhet të shkoj vetëm. - Ti je i vetëdijshëm se çfarë situate kam në shtëpi. - Po, e di dhe, më vjen keq që unë e kam fajin për këtë. - Jo, nuk e ke ti fajin. Por, nëna ime e cila është e helmuar me urrejtjen ndaj gjinisë mashkullore. Ti për mua ke rëndësi të madhe, por ka rëndësi edhe ajo. Petriti e kuptonte, por Albulena mendonte se në të ishte duke u zier diçka, që as ajo vetë nuk arrinte ta kuptonte.

KAPITULLI I NJËZETESHTATË

Një ditë para udhëtimit të tij në brigjet e nxehta të Egjiptit, ku kishte vendosur t'i kalonte pushimet me mikun dhe ortakun profesional, Petriti e çoi Lenën në banesën e vet. E mahnitur nga rendi në banesë dhe nga mobilimi i bukur i banesës njëdhomëshe, por të bollshme, Lena filloi të pyetej pse ai deri tani kurrë më parë nuk e kishte sjellë këtu. Gjithmonë rrinin diku jashtë, në kafene, nëpër restorante, duke shëtitur, e tash gjendeshin aty dhe nuk ndihej në siklet. Valixhet e tij ishin të përgatitura. Petriti e mori dhe e çoi në dhomën e ditës. (vijon)

(Kosova Sot Online)