Roman dashurie: Në kohë të duhur (34)

  • 14 December 2019 - 15:14
Roman dashurie: Në kohë të duhur (34)

- A jeni të martuar për një kohë të gjatë? - Jo, vetëm qe tri javë. Ishin në muaj të mjaltit dhe u kthyem para disa ditësh. Tani vendosa ta përtërija pak gardërobën, ku disa shoqe të mia më preferuan të vija te ju. - E, me çka merret burri juaj? Kjo pyetje i zuri të papërgatitura të dyja. Lena e dinte se kjo ishte mënyra e vetme ta merrte vesh se a do të paraqitej Petriti para butikut, apo se ishte mashtruar, derisa Sanija mendonte se çfarë rëndësie kishte profesioni i burrit të saj me gardërobën që do të blinte. - Ai merret me reklamë. Nëse keni nevojë për një kampanjë të mirë, atëherë ua preferoj. Edhe pse, më duhet të pranoj, është tepër i shtrenjtë. Albulena u zbeh. Këmbët filluan t'i dridheshin. I dukej se tërë bota ishte shembur dhe e kishte zënë përfundi.

Më e keqja ishte se, pas pak, do të takohej me atë që e kishte tradhtuar, por të cilin nuk mund ta urrente, meqë një herë e kishte shpëtuar dhe kishte mbështetur ëndrrat e saj, por më pas e kishte mashtruar mu në momentin kur kishte menduar që tërë trupin t'ia falte atij. Sanija filloi t'i shikonte veshjet, e buzëqeshur, e bukur, e kënaqur. Lena e urrente dhe ia kishte zili asaj, por ishte e sigurt se Sanija nuk kishte faj për atë që kishte ndodhur. Dera u hap. Lena për një moment mbylli sytë, duke u përgatitur për atë takim. E më pas, i hapi ata. Një fytyrë e njohur e shikonte me huti. Por, ai nuk ishte Petriti. Nuk ishin sytë e tij të kaltër, e as të thellë. - Mendoj se ne njihemi... Albulena, apo jo? - Po, unë jam. Meti? - Po, Meti, shoku i Petritit. Iu kujtua njeriu të cilin e kishte takuar disa herë derisa ishte me Petritin. Ai ishte shoku më i mirë i Petritit, bashkëpronar i kompanisë, ai me të cilin duhej të udhëtonte në Egjipt. Tani iu krijua një konfuzion i madh në kokë. - Nuk e kam ditur se punoje këtu, Lena. - Ky është lokali im. Tani vonë e kam hapur. - Me të vërtetë? U përzie edhe Sanija. - I dashur, të kam thënë se i tërë qyteti flet për këtë dyqan me rroba unike. Por, m'i jep ti mua paratë që ta paguaj këtë pallto të mrekullueshme, e të vazhdoj më tej. Pas gjysmë ore kam termin te dentisti. Më jep pak më shumë para, që të më gjinden. Pa kundërshtuar, Meti nxori një duq me para dhe ia asaj. Sanija e pagoi pallton, e kapi burrin për dore dhe e përshëndeti Lenën.

- Ju faleminderit dhe, shihemi! Edhe Meti e përshëndeti, por Lena nuk mund t'i linte të iknin ashtu. - Meti? Të dy u kthyen të befasuar. - Po? - Si është... si është ai? - Petriti? - Po. - Punon non-stop. Mundesh edhe ta thërrasësh. - Nuk e di a do të ishte me vend një gjë e tillë... - Unë mendoj se do të ishte. Ke gabuar, nuk ka qenë ashtu si ke menduar. Tani u binde edhe vetë. - Asgjë nuk jam duke kuptuar... - Pyete atë, Lena. Ai do të të tregojë. Në atë moment Sanija kuptoi se ata dy bisedonin për një temë e cila mund t'i interesonte edhe asaj, por Meti e tërhoqi jashtë, para se ajo të arrinte ta pyeste ndonjë gjë. (vijon)


(Kosova Sot Online)