Ngjarje e vërtetë: Ai më mashtronte, e unë ia falja! (1)

  • 14 December 2019 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: Ai më mashtronte, e unë ia falja! (1)

Po kthehem në shtëpi- më tha Bekimi sapo u ulëm, pa i rënë anash. Thuajse nuk kishte ndryshuar aspak gjatë dy viteve të kaluara, prej se ishim parë për herë të fundit. Në fakt, kishte paksa më shumë qime të thinjura sesa atëherë, si dhe kishte humbur pak në peshë, por asgjë nuk bënte me dije se, pa mua, kishte vuajtur, apo hequr keq. E shikova e habitur. A ishte ai duke u tallur, apo me të vërtetë donte të kthehej në shtëpi? - Nuk të kuptoj - i thashë, duke tundur kokën. Prej se para katër viteve e gjysmë më la pa fije turpi, të gjitha gjasat tregonin se ne të dy nuk do të shiheshim kurrë më. Para disa muajsh, për shkak të lutjes së fëmijëve, e ndërpreva procedurën e shkurorëzimit, e tani... - Nuk ka se çka të kuptohet këtu? Po kthehem në shtëpi - më tha ai sërish, sikur të bëhej fjalë për gjënë më normale në botë. Kjo sjellje ishte tipike për Bekimin. Si ia merrte mendja të vepronte ashtu? Më kishte hedhur sikur një leckë të vjetër, kishte shkuar me një femër e cila mund të ishte bija e tij, nuk ishte interesuar asnjëherë për mua dhe fëmijët, sikur të mos ekzistonim, e tani dëshiron të kthehet, sikur të mos kishte ndodhur asgjë!

- Dëgjo, Bekim - i thashë ngadalë, derisa truri sikur më vlonte. E dija se, gjatë atyre sekondave, isha duke vendosur për të ardhmen time. Nëse tani do të gaboja, me gjasë nuk do të kishte më rast për t'u pajtuar. - Kjo nuk do të shkojë kaq lehtë. Si ke menduar të kthehesh, hajt, vetëm ashtu? Ti e di se tanimë e kam iniciuar edhe procedurën e shkurorëzimit. - Po, a? Si e ke iniciuar, ashtu edhe do ta ndërpresësh! - më ndërpreu duke bërë gjestet e tij të neveritshme. Me gjasë ai është duke bërë shaka! Kur më kujtohet se sa kisha ëndërruar që ai të vinte e të më drejtohej me këto fjalë. Por, me vite të tëra ai as nuk më kishte thirrur në telefon, e as nuk më kishte vizituar. Nuk ishte interesuar për mua as kur fëmijët i kishin treguar se kisha operuar idhcën. E, gurët në idhcë nuk më ishin bërë për asgjë tjetër, pos për shkak të asaj që më kishte bërë ai. - Është e vërtetë - thash pas një pauze të gjatë. - Mund ta ndërpresim shkurorëzimin, por kjo nuk ndryshon asgjë. Ti dhe unë kurrë më nuk mund të jetojmë nën të njëjtin kulm. A isha e sigurt në atë që sapo thash? Bekimi megjithatë ishte dashuria e jetës sime, apo jo? Alfa dhe omega ime. Tash e tridhjetë vjet ishim në martesë, por njiheshim edhe më gjatë. Kisha vetëm 15 vjet kur isha dashuruar në të. Natyrisht, nëna ime menjëherë e kishte ditur se ai nuk ishte për mua dhe doli të kishte pasur të drejtë. Bekimi u bë kinse nuk më kishte dëgjuar çka kisha thënë. - Mirë e paske rregulluar banesën - më tha duke tundur kokën në shenjë aprovimi. Po, mirë e kisha rregulluar! Edhe atë, krejtësisht e vetme. Nuk kishte pasur askush të më ndihmonte rreth ngjyrosjes së mureve, apo gjatë zhvendosjes së mobilieve. - Ëhë - thash vetëm sa për të thënë diçka.

- Me gjasë të kanë ndihmuar Hana dhe Linda - më tha ai, sikur të mi kishte lexuar mendimet. Sa vetëbesim të madh që kishte! Sillej sikur të kishte qenë në kafene, të kishte qëndruar aty pak më gjatë dhe tani të ishte kthyer. Athua, çka mendonte ai? Se fëmijët tonë nuk kishin punë më të mençme, pos ta rregullonin banesën time? Hana e kishte familjen e vet, dy fëmijë të vegjël dhe një burrë të vështirë, duke mos pasur kështu as edhe një minutë kohë të lirë, kurse Lindi, djali ynë, kishte kryer mjekësinë, duke mos pasur kohë ta çonte kokën nga librat. - Po, de! Krejt ata i kanë bërë - i thash e zemëruar. - Po ku kanë kohë ata more të më ndihmojnë? - Mirë e ke! Koha është bërë më e çmueshme sesa paratë - më tha ai, sikur ta kishte zbuluar Amerikën. E urreja kur bëhej ashtu, sikur të ishte i rëndësishëm! Tani qenka bërë ekspert edhe sa i përket kohës. - Po. E ne e çuam kot kohën tonë - i thash, me një zë shpotitës. Edhe pse pas operacionit i kisha premtuar vetes sime se nuk do të lejoja Bekimin që të nervozonte, ai tanimë e kishte bërë një gjë të tillë. - Gjithçka do të rregullohet - vazhdonte ai të më shiste mend. E, si mund të rregulloheshin, të anuloheshin të gjitha ato net pa gjumë, të kaluara në vetmi dhe ftohtësi? Si mund ta "rregullonte" atë ftohtë pa të, të cilin e hetoja në shtrat. Atë turpin që ndjeja ndaj të gjithë atyre që i njihja. Papritmas mu kujtuan të gjitha të këqijat që mi kishte servuar me vite!!! (vijon)

(Kosova Sot Online)