Roman dashurie: Vejusha (30)

  • 15 janar 2020 - 15:01
Roman dashurie: Vejusha (30)

E dinte se e donte dhe gjithnjë e më shumë e pranonte faktin që edhe ai e donte këtë. Por, nuk flisnin për të ardhmen. Thjesht jetonin sot për nesër, duke u bërë sikur e ardhmja nuk do të mund të ndryshonte asgjë. Por, atë ditë, me rastin e dasmës së dr. Samiut, Lumja përnjëherë ndjeu dëshirën që, e veshur me fustan të nusërisë, të qëndronte krah për krah me Enverin, duke thënë edhe një herë “po”. Dasma e saj e parë kishte qenë e madhe, e zhurmshme, me shumë njerëz, por ajo preferonte që të kishte pak njerëz, vetëm ata njerëz që i donte. Mendonte se si nuk kishte asnjë shoqe, që do të mund ta shoqëronte atë ditë, se si Enveri aspak nuk e përmendte martesën dhe se si ajo në të dyzetat e saj me gjasë ishte tepër e vjetër për të qenë nënë. Kjo e lëndonte më së shumti. Pyetej se a mendonte Enveri për këtë, se me të, do ta kishte më të vështirë të kishte fëmijë dhe se kjo do të ishte një shkak i cili, herëdokurdo do t’i ndante. Derisa bënin dashuri, ai kujdesej maksimalisht që ajo të mos ngelej shtatzënë, kështu që ajo kishte konstatuar se ai ose nuk donte të kishte fëmijë, ose nuk ishte ende i gatshëm.

Por, nuk donte të fliste për këtë, meqë frikësohej se kështu do ta shkatërronte atë lumturi që e kishin. Nga dita në ditë të gjithë të punësuarit në klinikë e kishin marrë vesh se midis pronares dhe kirurgut ishte duke ndodhur diçka, diçka që tejkalonte kufijtë e raportit profesional. Por, askush nuk e komentonte këtë, bile as prapa dyerve të mbyllura. Adriana e kishte tejkaluar dashurinë e pafat dhe mburrej me të dashurin e ri. Pas muajit të mjaltit të dr. Samiut, gjithçka u kthye në normale dhe jeta mori rutinën e saj.

KAPITULLI I TRIDHJET E DYTË

Fundi i dhjetorit solli acare të mëdha. Të vetmen ngrohtësi ajo e gjente te përqafimet e dr. Enverit. Ishin marrë vesh që për Vitin e ri të udhëtonin diku, vetëm ata dy, duke kaluar tërë ditën së bashku. Mezi priste që ta merrnin atë udhë. Rrinte ulur në zyrë dhe shikonte regjistrin e pacientëve, duke vendosur se cilëve këtë vit t’ua dërgonte ndonjë cikërrimë si dhuratë për Vitin e ri. Enveri hyri në derë. Ajo i buzëqeshi, sikur të mos e kishte parë moti edhe pse kishin kaluar vetëm disa orë prej kur ishin zgjuar në të njëjtin shtrat. – Hajde, dashuri. Nuk u puthën, por shikimet flisnin më shumë se prekjet me buzë. - Dëgjo, më duhet të bisedoj me ty për diçka shumë të rëndësishme. - Menjëherë? - Jo, jo. Mendova sonte, kur të dalim për darkë. - Mirë... por këtë mund të ma thoshe edhe më vonë, Enver. - E di, por jam paksa i hutuar... Do të vij që të të marr në orën tetë, në rregull? - Në rregull. (vijon) 


(Kosova Sot Online)