Roman dashurie: Vejusha (32)

  • 17 janar 2020 - 14:59
Roman dashurie: Vejusha (32)

Lehtë? E kam fituar lehtë? Dëshiron të thuash, burri më vdiq dhe unë u bëra fituesi i lumtur? Gabon, miku im. As në lotari paratë nuk fitohen aq lehtë. Kurrë nuk më ke pyetur a kam qenë e lumtur në atë martesë. As që ke marrë mundin ta kuptosh se sa herë kam qenë buzë krizës nervore, e vetëdijshme se burri më vjen nga shtrati i dikujt tjetër, por që unë, po ta lija, do të mbetesha pa shtratin e rehatshëm, pa kulm mbi kokë dhe e vetme, plotësisht e vetme. As vëllai nuk donte të më ndihmonte. Isha qyqare dhe e duroja këtë situatë. Paratë më ishin shpërblim, por edhe mallkim, meqë më duhej të jetoja me njeriun të cilin kurrë nuk e kisha dashur sikur ty, por i cili megjithatë pati zemër, që të më dilte hakut për të gjitha vuajtjet që i kisha përjetuar me të. E ti shko, shko pas parave tua, nëse mendon se me to mund ta blesh lumturinë. Shko, mallkuar qofsh! Nuk priti që ta ndalte, vrapoi kah dalja, e ndali taksinë e parë që kaloi andejpari dhe filloi të qante si kurrë më parë.

KAPITULLI I TRIDHJETEKATËRT

Të nesërmen, në tavolinën e saj gjendej dorëheqja e dr. Enverit. Dr Samiu filloi të kukaste për të, por Lumja e ndërpreu. - Le ta thyejë qafën! Ky është vendimi i tij. Kësaj radhe askush nuk e ofendoi, e as që e dëboi. Njeriu shkon pas dëshirave dhe ëndrrave të veta. Le të shkojë edhe ai. E ka merituar. - Nuk mund të besoj që ti flet kështu! A nuk të ka treguar më parë ndonjë gjë për planet e tij? - Jo, nuk më tha. Mbrëmë e mora vesh. - Nuk mund të besoj... e ka mbajtur fshehtë edhe nga ti. Pa koment vuri nënshkrimin në letër dhe thirri Adrianën. - Jepja këtë dr Enverit, kur të dalë nga salla. Dhe, ma thirr dr... - përmendi emrin e një kirurgu, i cili do të mund të ishte zëvendësim i mirë për dr Enverin. Adriana mbeti e habitur nga gjakftohtësia e Lumes, e cila fliste për zëvendësimin e të dashurit të saj, por nuk guxonte të thoshte asgjë. - Si po ndihesh? Pyetja e Samiut iu duk sikur qitje e kripës në plagë. - E. si mund të ndihem? Edhe një vdekje në jetën time. Por, jam mësuar me këtë, tanimë. - Më vjen keq, vogëlushe... - E di se të vjen keq, por çka të bëjmë. Shkojmë tutje. Ditëve të ardhshme ajo kalonte sa më pak kohë në klinikë. Shumë shpejt e gjetën një kirurg me nam dhe Lumja insistoi që dr Enverit t'i mundësohej largimi ende pa mbaruar afati ligjor. Ditën e tij të fundit të punës, kolegët i kishin përgatitur një festë të vogël lamtumirëse, por Lumja qe e vetmja që nuk mori pjesë. Të gjithë e dinin pse.

KAPITULLI I TRIDHJETEPESTË

Gjatë dy viteve të ardhshme jeta e Lumes ishte shumë e paraparë. Kishte disa lidhje tek e tuk, por të gjitha përfundonin sapo lidhja të bëhej më serioze sesa që duhej të ishte. Samiu tani me të vërtetë shkoi në pension, më saktësisht nuk punonte në klinikë, por atë ende e udhëhiqte. Lumja hapi një çerdhe private dhe rrinte me fëmijët e çerdhes, e vetëdijshme se kurrë nuk do të kishte fëmijë të vet. (vijon)

(Kosova Sot Online)