Roman dashurie: Punë fati (1)

  • 20 January 2020 - 15:06
Roman dashurie: Punë fati (1)

KAPITULLI I PARË

Bora fërfëllinte si kurrë më parë. Anita qëndronte pranë dritares, e veshur me rrobën e trashë dhe të gjerë të banjës, duke shikuar se si veturat dalëngadalë depërtonin nëpër fërfëllizë, duke pasur kujdes që të mos rrëshqitnin. Telefoni cingëroi, por ajo as që u kthye, sikur nuk e kishte dëgjuar zilen. Ndihej si krimineli, i cili kishte gjetur një vendstrehim të përkohshëm nga ku nuk mund të lëvizte derisa të vinte strehuesi dhe t'ia jepte miratimin. E pyeste veten se çka ishte duke bërë aty. Kur kishte bujtur për herë të parë te Çuni, pas një nate dehjeje dhe seksi, i kishte thënë vetes se një gjë e tillë nuk do të përsëritej kurrë më. Çunin e njihte shumë pak, kurse veten tepër mirë, për ta ditur se lidhja midis tyre nuk kishte gjasa të mbijetonte. Çuni mund t'i kishte të gjitha, e dukej edhe se i kishte, me përjashtim të një lidhjeje stabile të dashurisë. Kodosh deri në pikë të fundit, një politikan i cili fitonte zgjedhjet falë votave të femrave, serioz vetëm para kamerave, e shakaxhi dhe joserioz në jetën private, Çuni nuk donte e as nuk mundte që të lidhej me ndonjë femër për "sa të jetë jeta". Ajo e çmonte Çunin për shkak të sinqeritetit, që kurrë nuk i kishte premtuar asgjë, as martesë, as fejesë, sikur që premtonin të tjerët.

Por, as Anita nuk donte të lidhej. Dy vjet kishte hequr si në ferr nga një mashkull, i cili e rrihte për shkak të xhelozisë dhe kishte vendosur që kurrë më të mos krijonte lidhje afatgjatë, të paktën jo njëherë për njëherë. Kur kishte shkuar në një ndejë me shoqen e vet gazetare dhe i kishte ndeshur shikimi me atë të Çunit, e kishte të qartë që nuk do të vononte, e ajo do të përfundonte në shtratin e tij. Çunit i pëlqente fakti që ajo nuk kishte tentuar t'ia vinte litarin rreth qafe. Lidhjen e tyre e përjetonin si bukuri dhe kënaqësi të përkohshme, prandaj tentonin ta shfrytëzonin sa më shumë që mundnin. E shikoi orën e madhe të murit. Ora u bë tetë e "fiu" e ai ende nuk kishte ardhur. Donte t'ia linte një porosi dhe të shkonte, të kthehej në banesën e vet, te nëna e cila në heshtje përcillte jetën e së bijës dhe e cila e dinte se si ishte kur çliroheshe nga një mashkull i dhunshëm. I ati i Anitës ishte alkoolist, e përpos kësaj edhe kumarxhi, kështu që nëna e saj e përjetonte në lëkurën e vet çdo humbje dhe dehje të tij.

Pas vdekjes së tij, gruaja që kishte mbetur me një vajzë pesëvjeçare, e kishte vështirë të besonte përsëri në dashuri. Për këtë shkak, nuk ishte martuar më, duke besuar se bukuroshja e saj leshverdhë do të kishte fat më të madh në dashuri. Kur Anita mori grushtet e para nga ish i dashuri polic, në të cilin ishte dashuruar marrëzisht dhe me të cilin kishte për qëllim të krijonte familje, nëna nuk kishte fuqi që të reagonte. I dukej se fati i saj përsëritej te e bija. Për fat, Anita e mori fatin në duart e veta dhe iku nga jeta e robëreshës, në një jetë të ndryshme, e cila nuk ishte më e mira, por të paktën e ëma e dinte se për të bijën, jeta aktuale ishte shumë më e mirë sesa ajo që kishte jetuar vetë. (vijon) 


(Kosova Sot Online)