Roman dashurie: Punë fati (2)

  • 21 January 2020 - 15:22
Roman dashurie: Punë fati (2)

Sapo e veshi fustanin e zi, me të cilin mbrëmë ishte paraqitur para Çunit, dëgjoi se si u hap dera dhe një mashkull i gjatë me vetulla të dendura hyri në banesë. - Erdha zemër! Edhe pse nuk dëshironte që t'i përgjigjej në mënyrë të njëjtë, e priti me buzëqeshje në derën e dhomës së fjetjes. -Ti qenke veshur? - Po. Mendova të ta lë një porosi dhe të shkoj në shtëpi. U bë vonë. E përqafoi dhe filloi që ta puthë në qafë. E dinte që ia kishte zgjuar sërish dëshirën, ishte i pangopur dhe ishte e qartë që ajo ndikonte fuqishëm në të në aspektin fizik. Por, kësaj radhe ai nuk e kishte një ndikim të tillë në të. E shtyu mjaftueshëm fort, saqë në fytyrën e tij u vërejt habia.

- Çfarë ke? Diçka nuk është në rregull? - Gjithçka është në rregull, por më duhet të shkoj. Punoj nesër, e këtë ditë e kam kaluar pa bërë ndonjë gjë të dobishme, duke e pritur kthimin tënd. Më mirë do të ishte që më të mos e kaloj natën te ti, ti edhe ashtu je i zënë tërë ditën, ndërsa mua më pengon monotonia. -Më fal zemër, por ti e di që kurrë nuk mund ta di se sa do të më mbajnë të zënë obligimet. -E di dhe nuk po të fajësoj. Por është e pakuptimtë që unë të rri këtu vetëm. - Do të mund të rrije së paku edhe... I ndjeu duart e tij në ijët e saj, e shtrëngonin nga dëshira, por u largua. -Mos, ika. -Po më refuzon? -Më duhet, e sheh si është jashtë. Kushedi a do të vijë taksisti nëpër këtë kiamet. - Do të të dërgoj unë pra. - Jo, nuk ka nevojë. -Insistoj! I mori çelësat nga tavolina dhe u nis drejt derës duke e pritur që ta veshë pallton. -Më vjen keq që këtë javë nuk e kaluam duke u puthur e bërë dashuri, por do të ketë ditë të tjera për ne. - Po, do të ketë... Doli pas tij duke menduar se a do të kalojë ndonjë javë ashtu siç premton ai pas secilës javë që përfundon. MST/ Kapitulli i dytë - Nënë, a më ka kërkuar dikush? - Gona ka telefonuar. Tha se ende nuk e ke thirrur në mobil. -Thirri herët në mëngjes, ajo duket se nuk fle kurrë. Çfarë bëre ti sot?

-Asgjë, e rregullova shtëpinë. E ti? Ishe me atë politikanin? -Po me të. Mbetën të pashtruara disa pyetje të nënës, por në to Anita edhe ashtu nuk do të përgjigjej. Shkoi në dhomën e saj të vogël, në të cilën ishte rritur, të pandryshuar që nga koha e adoleshencës. Aty ndihej e mbrojtur, i dukej sikur secilën herë që hynte në të bëhej sërish vajzë e vogël, e cila nuk di që dashuria mund të sjellë edhe dhimbje. I telefonoi Gonës, koleges me të cilën punonte në dyqan. Gona ishte moshatare e Anitës, por ishte më serioze në secilën qasje. Për të qëllimi kryesor i jetës ishte martesa, e pasi që po i afrohej të njëzetepestës, e ngarkonte edhe Anitën me frikën e saj se kurrë nuk do të rehatohej. Nuk kishte të dashur, por edhe kur i afrohej ndonjë, i duhej që të kalojë nëpër teste të pabesueshme dhe të përgjigjen në pyetje, për shkak të së cilave secili mashkull do të ikte si i pakokë. Gona në raste të tilla thoshte se bëhet fjalë për fëmijë të papjekur. /Vijon

(Kosova Sot Online)