Roman dashurie: Punë fati (3)

  • 22 January 2020 - 15:13
Roman dashurie: Punë fati (3)

- Ku je ti? Pse nuk më lajmërohesh tërë ditën? - Më fal, nuk kam qenë në shtëpi. - Shpresoj të mos kesh qenë me atë kodoshin e pështirë, që në takimin e parë menjëherë heq dorë nga obligimet? Gona kishte nevojën që çdo njeriu, në çdo bisedë, t'ia vinte në pah të metat e tij më të mëdha. Kjo ishte hera e kushedi sata që Anita ishte penduar që i ishte rrëfyer koleges dhe mikes, por e dinte se do t'i rrëfehej edhe mijëra herë, meqë në të megjithatë kishte diçka të mirë, të arsyeshme, femërore, që Anita kurrë nuk e kishte hetuar te vetja. - Të mos flasim për të, të lutem. E di se çfarë është lidhja ime me të. Unë kam nevojë vetëm për pak kënaqësi trupore dhe kaq. Më trego, a punojmë nesër paradite, apo shefja ka bërë ndonjë ndryshim? - Jo, paradite nuk punojmë.

Më thirri që të të tregoja. Disa nga punëtoret janë përjashtuar nga puna, por për fat, ti dhe unë kemi mbetur. Kishte kohë që flitej se qendra tregtare ku punonin do të ishte e detyruar të zvogëlonte numrin e punëtorëve, e Anita frikësohej për vetveten, duke mos qenë e sigurt se sa e mirë ishte në fakt në punën që bënte. Për Gonën të gjithë e dinin se ishte më e vyeshmja, se kurrë nuk vonohet në punë dhe se çdo muaj merr falënderime, por vajzat e tjera mund të gjendeshin shumë lehtë në listën për përjashtim. - Më vjen keq për ato që kanë mbetur pa punë, por meqë unë nuk qenkam në mesin e tyre, më duket se mu hoq një barrë nga shpina. - E, Anita ime. Kemi punë, por ende jemi pa mashkull. A thua jemi të mallkuara, apo çka?! Dhe, ajo që është më e keqja, ka një vit që punojmë në seksionin e meshkujve, e asnjë të hairit nuk e takuam. Tmerr! - Mos mu anko, të lutem! Shihemi nesër, e kushedi, ndoshta vjen ndonjë mashkull i lirë, të sheh dhe dashurohet marrëzisht në ty. - Nga goja jote në vesh të Zotit! Shkova të fle, e edhe ti do të bëje mirë sikur të pushoje. Shpresoj që sonte të mos kesh planifikuar të shkosh te ai gjytyrymi. - Jo, jo. Mos u shqetëso. Shihemi nesër! - Në rregull. Edhe pse atë natë nuk kishte për qëllim që të shkonte diku, pasi që ra në shtrat, pa se nuk mund të flinte, prandaj i lindi dëshira që dora e Çunit ta vinte në gjumë, ashtu si dinte vetëm ai.

KAPITULLI I TRETË

Moti dukej se do të përmirësohej dhe do të pushonin të reshurat. Dielli ndriçonte qytetin gjatë tërë ditës, prandaj edhe Anita kishte veshur rroba me ngjyra pastele, me qëllim që të përshtatej me këtë mot. Dita e punës kalonte shumë ngadalë, sikur që mund të kalojë ngadalë në një qendër tregtare, në seksionin e meshkujve, ku edhe ashtu kishte gjithnjë e më pak klientë. Në katin e parë, në seksionin e femrave, ishte tollovi e madhe, por ajo dhe Gona kaluan tri orë pa asnjë myshteri serioz, të cilit do të mund t'i përkushtoheshin. (vijon)


(Kosova Sot Online)