Roman dashurie: Punë fati (4)

  • 23 January 2020 - 15:08
Roman dashurie: Punë fati (4)

Pak para ndërrimit të dytë në kat u ngjit një mashkull i hollë, me një vragë në anën e djathtë të buzëve. Anita sapo u bis drejt tij për t'i ndihmuar që ta zgjedhë ndonjërën prej këmishëve që po i shikonte, kur Gona e kapi për dore dhe me sy ia bëri me dije se ajo do ta shërbejë zotërinë e panjohur. E shikonte atë vajzë serioze se si ngadalë, me kujdes dhe me vetëbesim po i afrohej konsumatorit. Biseduan disa minuta, e më pas ai e zgjodhi një këmishë klasike të hirtë dhe me të u afrua te Anita, e cila po priste në arkë. Buzëqeshi duke e ditur që shefja është duke e vëzhguar me kamerë sjelljen e shitëseve, ia pagoi këmishën, e vendosi atë në qese dhe ia afroi konsumatorit. -Urdhëroni dhe faleminderit. -Nuk ka përse. Shpresoj se nuk keni asgjë kundër që e vonova kolegen tuaj duke biseduar.

Anita u habit duke mos e ditur se çfarë dëshiron ky njeri me vragë që t'i thotë asaj. -Jo, natyrisht që jo, siç po e shihni nuk ka punë, ndërsa besoj se edhe ajo është kënaqur në bisedën me ju. -Jam e sigurt për një gjë të tillë, sepse e ftova që të dalim dhe ajo pranoi. Edhe pse, sinqerisht, tani jam i sigurt se kam gabuar, mendoj se më me dëshirë do të dilja me ju, por kam frikë se jeni e zënë, sepse një femër kaq e bukur është vështirë të mos jetë në lidhje. Anita shikoi prapa shpinës së tij. Atje, disa metra larg tyre, qëndronte Gona dhe buzëqeshte, duke i bërë me duar diçka që do të duhej të thoshte se është dashuruar. Por, ishte mjaftueshëm larg që të mos dëgjojë se çfarë kishte thënë ai. Anita u ngrys. Duket sikur ky mashkull mendonte se mund të luajë me secilën shitëse, që i buzëqesh këndshëm. - Zotëri, mendoj se nuk keni gabuar me zgjedhjen, unë gjithsesi do t'ju refuzoja.

Por, është e qartë që Gona ka gabuar në zgjedhjen e saj. Shpresoj se do të mund ta bind që të mos dalë me ju. Priti ndonjë ndryshim në të, por asgjë nuk ndodhi, ai buzëqeshte ende dhe në mënyrë sfiduese shtoi: - Përpiquni, ndoshta edhe do t'ia dilni. Nga shkallët ia dërgoi një puthje Gonës. Sapo u largua, ajo vrapoi deri te arka. - A e pe se çfarë është? Si ndonjë aktor amerikan. Më ftoi të dalim pas punës. - E di. -Si e di? - Më tregoi. Lavdërohej me këtë gjë. -A po? Edhe a të tha ndonjë gjë tjetër për mua? Anita nuk e dinte se si t'ia sqarojë shoqes që mashkulli, i cili sapo u largua, provoi që ta bëjë edhe atë për vete, i dukej sikur me një gjë të tillë do ta lëndonte Gonën, e cila e dinte se sa më tërheqëse është Anita.

Për këtë arsye nuk ia tha të vërtetën, por provoi që ta përdorë një taktikë tjetër. - Gona, ai nuk më pëlqen aspak. Si mendon ai që të hyjë në dyqan, të bisedojë pak me ty dhe menjëherë të të ftojë që të dilni? -E pse jo? A më mungon diçka mua? Ndoshta i kam pëlqyer në shikim të parë. Po, po. E di, ti mendon se vetëm sytë e tu të kaltër dhe qerpikët e gjatë mund t'i pëlqejnë dikujt në shikim të parë, e që unë me këtë hundë të shtrembër dhe me sy të kafenjtë nuk mund ta tërheq një mashkull aq lehtë. /Vijon/

(Kosova Sot Online)