Roman dashurie: Punë fati (7)

  • 25 January 2020 - 15:11
Roman dashurie: Punë fati (7)

KAPITULLI I KATËRT

Me Çunin nuk ishte dëgjuar tani tri ditë. Sipas një marrëveshjeje të pashkruar, Anita kurrë nuk e thërriste atë. E dinte se ai do ta thërriste sapo të kishte kohë dhe dëshirë për të. Në ndërkohë, kur asaj nuk i ndodhte asgjë, Gona lulëzonte nga dashuria. Jo vetëm që atë ditë kishte dalë me Valonin në pije, por ata kishin vazhduar të shiheshin dhe dukej se lidhja e tyre ishte duke u bërë serioze. Anita dëgjonte me vëmendje shoqen e cila të dashurin e saj të ri e përshkruante me fjalët më të mira të mundshme. - Ai është i mrekullueshëm. Është i vëmendshëm, gjithmonë ma mbanë pallton, në çdo takim më sjell lule. Dje ishim në kinema dhe, gjatë tërë kohës, ai më mbante përdore, sikur t'i interesoja vetëm unë, e jo edhe filmi. Më tha se fëmijët i pëlqenin shumë dhe se do të donte t'i kishte pesë fëmijë, por deri më tani nuk kishte takuar ndonjë grua me të cilën do të mund ta realizonte atë ëndërr. Dhe, tani shpreson që ajo të jem unë. Edhe pse ishte bukur ta shihje Gonën ashtu të lumtur, Anita nuk mund të durohej që të mos ia bënte disa pyetje, me të cilat donte të bindej se kishte qenë tepër e ashpër ndaj atij mashkulli. - Çka tjetër ke marrë vesh rreth tij? Ku jeton? - Nuk e di, nuk e kam pyetur. - E, me çka merret?

- Nuk e di. Nuk më ka thënë. - Po, ti a e ke pyetur? - Po, por ai me butësi më tha që të mos ngarkoheshim me gjëra të përditshme meqë, kur është e mua, ai harron edhe çka është edhe kush është. Aq mirë ndihet. Unë mendoj se ai punon në polici, ashtu diçka. - Pse mendon kështu? - Sepse është kaq misterioz. Me kalimin e kohës, Anita e kishte gjithnjë e më të qartë se ky mashkulli ideal i Gonës mbante sekrete edhe pse nuk e dinte pse. por, ai e kishte magjepsur aq shumë Gonën serioze dhe racionale, sa që ishte bërë vështirë që ta këshilloje atë, apo t'ia tërhiqje vërejtjen. Për këtë shkak, Anita nuk mund të ndryshonte shumëçka dhe, në fund, vendosi që t'i lejonte gjërat të zhvilloheshin me ritmin e tyre. Çuni i telefonoi të enjten nga Roma. - Do të kthehem nesër në mëngjes, prandaj do të doja të shihesha me ty. -Në rregull, do të më shohësh. - Më ka marrë malli, ta dish! Në fjalitë e tilla nuk përgjigjej, meqë ndjente se ai i thoshte mekanikisht, meqë e dinte se femrave iu pëlqenin ato. - Mu lajmëro kur të arrish.

Raporti i saj me Çunin mund të quhej lidhje, e dinte se ishte seksi ai që i lidhte dhe se i përshtateshin njëri-tjetrit sepse nuk kërkonin shumë liri. Por, atë nuk e kënaqte vetëm kjo. Donte të kishte diçka më shumë, por kishte frikë që ta kërkonte atë. Për këtë shkak edhe kishte qëndruar në një lidhje të tillë, e bindur se ajo nuk do të zgjaste më shumë se që do të kishte nevojë. Mu kur e mbaroi bisedën me të, nëna i trokiti në derë të dhomës. Darka ishte gati dhe e shtruar. Anita kishte fatin që nëna e saj ishte shumë e kujdesshme, një amvise e mirë, e cila përpos kësaj, nuk përzihej në punët intime të Anitës. Kur u ulën pranë tryezës, ajo ia bëri një pyetje interesante. (vijon)


(Kosova Sot Online)