Roman dashurie: Punë fati (14)

  • 31 January 2020 - 15:26
Roman dashurie: Punë fati (14)

Atë mbrëmje Çuni e çoi në kinema. Edhe pse evitonin vendet publike, kësaj here ai kërkoi që ta thyenin paksa monotoninë e të fshehurit në shtëpi, i sigurt se paparacët do të jenë në ndonjë tubim publik, e nuk do t'i përcjellin politikanët se si hanë kokoshka para ekranit të madh, në shoqëri të femrave të panjohura. Ajo veshi pantallonat e zeza dhe pallton e shkurtër, të zezë, duke u munduar që pamjes së vet t'i janpë një frymë sportive, por jo tepër, meqë e dinte se Çuni do të vishej në mënyrë elegante, që të mos e prishte imazhin e vet as edhe në kinema. Ai erdhi që ta merrte gjysmë ore para fillimit të shfaqjes së filmit. Ishte shumë në disponim. - Sot kam pasur një ditë të suksesshme, disa njerëz që prezantoheshin si biznesmenë, përfundimisht i zura ngushtë. Pas disa ditësh të gjithë ata do të gjenden prapa grilave, aty ku e kanë vendin.

Edhe pse në fjalët e tij kishte shumë krenari dhe optimizëm, Anita nuk reagoi ashtu sikur që pritej nga ajo. Vetëm pohoi me kokë dhe vazhdoi që t'i shikonte kalimtarët që kishin dalë në rrugë për t'u kënaqur me natën e mirë pranverore. - Anita? A je duke më dëgjuar? - Të dëgjova. Më the se ke pasur ditë të suksesshme në kapjen e disa njerëzve. - Po, e saktë! Por, prita që, të paktën, të më thoshe "bravo"! - Ti e di se mua nuk më pëlqen politika dhe ato gjëra të pista. Më mirë të mos flasim për to. Do të të them "bravo" më vonë, kur të shtrihemi në shtrat. Çuni buzëqeshi, i kënaqur me atë që dëgjoi, si mashkull i vërtetë, të cilit gruaja ia bën me dije se edhe atë natë do t'i dorëzohet me kënaqësi.

Para kinemasë nuk kishte vend për parkim, kështu që u kthyen në një rrugë anësore, për të gjetur vend për automobilin e madh të Çunit. Krejt rastësisht Anita shikoi në retrovizor dhe pa një automobil të zi, i cili iu shkonte prapa. Zemra filloi t'i rrihte me të madhe. Ndiente një frikë të cilën nuk dinte ta shndërronte në fjalë. - Ja një vend, sikur të më kishte pritur mua. Sapo Çuni e parkoi automobilin, u dëgjua një zhurmë e çuditshme. Përnjëherë diçka si shi i metaltë u lëshua mbi ta. Dëgjoheshin goditjet e metalit me metal, e papritmas ajo u gjend e shtrirë në ulëse, nën trupin e Çunit. Nuk mund të merrte frymë, u mundua të çohej, por ai ishte i rëndë dhe nuk mund ta lëvizte. Automobili i zi u zhduk shumë shpejt. - Çun, largohu nga unë, të lutem. Por, ai nuk lëvizi. Disa njerëz filluan që të afroheshin, dera e udhëtarit të përparmë u hap dhe u dëgjua një zë i fortë burri, i cili iu drejtua të tjerëve: - Këtu ka të lënduar! E, më pas, në fytyrë ndjeu diçka të nxehtë, që pikte nga diku. Dhe, ia njohu erën gjakut. I humbi vetëdija. (vijon)

(Kosova Sot Online)