Ngjarje e vërtetë: Si më shfrytëzoi karrieristi, në të cilin u dashurova (2)

  • 10 February 2020 - 15:24
Ngjarje e vërtetë: Si më shfrytëzoi karrieristi, në të cilin u dashurova (2)

Pak më vonë bëra një gabim të marrë dhe dola në ballkon, por kësaj here nuk pata aq shumë fat. Ai tanimë ishte aty, në garazh, disa hapa larg ballkonit tim në katin përdhes: Viktori, aventura ime e një nate. - Mirëmbrëma, zonjushë misterioze - më përshëndeti duke u ngritur nga karrigia, e cila gjendej pranë veturës. - Tung - iu përgjigja ftohtë. - Tani kur e di emrin tënd, më duket e marrë që të vazhdoj të të quaj zonjushë misterioze, por më duhet të pranoj se ajo nofkë më pëlqen - tha ai. Viktori shpesh më thërriste ashtu kur kaloja nëpër oborr, afër ballkonit të banesës fqinje, të cilën ai e quante "strofull". Aty vazhdimisht vinin shokët e tij dhe ballkoni gjithmonë ishte plot me kënaçe të birrës. - Hej, zonjushë misterioze, pse nuk na bashkohesh? - më thoshte shpesh Viktori. Unë vetëm buzëqeshja apo thosha diçka qesharake, deri atë mbrëmje të mallkuar të së shtunës …

Vetëm sa për ta ndryshuar rutinën time, meqë isha në depresion për shkak të Petritit dhe doja t'i largoja mendimet pikëlluese, vendosa të dilja në shëtitje. Sapo dola e takova Viktorin dhe e pranova thirrjen e tij që, me të, ta pija një birrë në oborr, vetëm sa për t'u kthjellur pak. Por, shumë shpejt zbulova se nën maskën e djaloshit hokatar fshihej një mashkull shumë i ndjeshëm, i cili dinte të dëgjonte. Dhe, për këtë shkak vendosa t'i rrëfehesha dhe t'i tregoja për dashurinë time të njëanshme ndaj Petritit. Meqë atë mbrëmje nuk kisha ngrënë asgjë, zorrët në një moment filluan të më "këndonin". Viktori pranoi se edhe ai kishte uri, e unë atëherë thash se në shtëpi kisha pak ushqim meksikan, të cilin e kisha sjellë dje duke u kthyer nga puna. Thashë se do të shkoja ta merrja atë ushqim në shtëpi, por Viktori më kuptoi gabimisht dhe mu lye pas. Mund t'i thosha shkurt e shqip çka kisha dashur të thosha, por kushedi pse, nuk e bëra këtë. U ulëm në kauç dhe hëngrëm bashkë. Më pas, mbrëmja mori kah të papritur dhe ai përfundoi në shtratin tim. Nata që e kaluam së bashku ishte me të vërtetë plot epsh edhe pse, më duhet ta pranoj, se gjatë tërë kohës imagjinoja sikur Viktori në fakt ishte Petriti. Në mëngjes ndjeva një turp të madh.

Kurrë në jetë nuk kam bërë diçka të ngjashme, nuk isha tip për aventura të një nate. Isha e hutuar dhe gjëja e vetme që doja, ishte që Viktori të largohej sa më parë. Më pas dola në një shëtitje të gjatë, duke e pyetur veten se si ishte e mundur që, njeriu të cilin e doja, kurrë nuk e kishte parë shtëpinë time, e ky, të cilin sapo e kisha njohur, e kaloi natën në shtratin tim. Atë çast m'u desh të pranoja se isha duke e humbur kontrollin ndaj jetës dhe se ishte momenti i fundit që të ndërmerrja diçka. Dhe, për këtë shkak vendosa ta lëshoja punën dhe të kthehesha në qytetin tim të lindjes. Shpresoja se, të paktën do t'ia dilja t'i ikja Viktorit para se të shkoja, por tani ai qëndronte aty, para meje. Fyti m'u ter. Çka duhet të thosha në një situatë të këtillë? - Më vjen mirë që të shoh sërish - thash me gjysmë zëri. - Edhe mua më vjen mirë. Si je? Çdo gjë në rregull? - Po - e gënjeva, duke ndier një tendosje në tërë trupin. Doja të isha në çdo vend tjetër në botë, pos aty ku isha. - E ti, si je? - Mirë. - Më vjen mirë, e tani më duhet të shkoj, sepse kam shumë punë për të bërë. Ai më shikoi për pak, e më pas më tha shkurt: - Shihemi. Me të vërtetë kisha bërë mirë që vendosa të largohesha nga këtu, meqë të paktën, kështu nuk do të isha e detyruar të duroja më këto takime të pakëndshme. Por, para se të hyja në banesë, u ktheva për të parë se a më shikonte Viktori. Jo, ai nuk ishte duke më shikuar. U turpërova për shkak të mendimeve të mia, por ndjeva edhe zhgënjim. - Kur ta marrësh në punë sekretaren e re, mos harro t'ia japësh numrat e telefonit dhe adresën e pastrimit kimik, floktarisë, dentistit, restoranteve tona të preferuara dhe hotelit ku zakonisht shkojmë për fundjavë - më tha të nesërmen Elena, kur mori vesh se dorëheqja ime ishte e parevokueshme. - Unë jam sekretare, Elena, e jo dado. Të gjitha gjërat personale që i kam bërë për Petritin, i kam bërë nga mirësjellja, e jo për shkak se ishin obligim imi - thash unë. - Dhe, as që më shkon ndërmend që ndonjë sekretareje t'i them se duhet t'i bëjë ato gjëra. - Kjo me të vërtetë është qesharake! - u zemërua ajo. - Kjo është pjesë e obligimeve tua. - Unë mendoj se kjo do të duhej të ishte pjesë e obligimeve tua, meqë je e dashura e tij - ia ktheva unë. Elena më shikoi duke mos iu besuar veshëve dhe më tha se do të fliste me Petritin për këtë. Për mua çdo gjë tani ishte njësoj. (vijon) 


(Kosova Sot Online)