Roman dashurie: Punë fati (26)

  • 12 shkurt 2020 - 15:17
Roman dashurie: Punë fati (26)

Ishte e pabesueshme sa shumë e nervozonte vëllai i Çunit edhe pse sapo e kishte njoftuar atë. U ngrit dhe e mbylli derën e më pas atë e gjeti në dhomën e ditës, ulur në kauçin e lëkurës, duke ngrënë kokoshka nga tepsia, derisa në TV-në e madhe plazma shihej një garë në atletikë. - Ulu, mos më rri në derë, si kukudh. Lëviz lirisht në këtë banesë. Jam i sigurt se, më parë, ti nuk ke hezituar të lëvizësh as lakuriq nëpër këtë dhomë. Pacipëria e tij ishte gjithnjë e më e madhe. Sillej sikur në shtëpi të kishte hyrë ndonjë lavire. Ajo u ul në kolltuk, duke pyetur veten se çka ishte duke bërë aty. Ishte evidente se me të nuk do të mund t'ia dilte në krye dhe se do t'i duhej që ta njoftonte Çunin sesi misioni i saj, ai i zbutjes së vëllait të tij të madh, kishte dështuar.

- Nuk e di pse silleni kaq keq me mua, e ndoshta kështu silleni me të gjithë. Vetëm dua t'ju them se këtu më dërgoi Çuni, meqë donte që të jem afër jush, nëse... - Hajde, mori! Mos ha m...! Ajo u zbeh nga inati. Miloti nuk e largonte shikimin nga TV-ja edhe derisa ia thoshte këto fjalë të tmerrshme. - Me të vërtetë je duke e tepruar! Edhe sikur të jesh njëmijë herë vëlla i Çunit. Pas këtij reagimi të ashpër ajo priste që Miloti t'ia thoshte edhe ndonjë fjalë të keqe, por reagimi i tij ishte krejtësisht i papritur - një buzëqeshje nga zemra. - Kështu është më mirë, mos mu shtir këtu, duke mu drejtuar sikur të isha Nënë Tereza, meqë unë nuk kam pikë nga Parisi, por nga një fshat i vogël, ku askush nuk më ka folur me këto fjalë me të cilat më flet ti. A dëshiron diçka të pish? Edhe pse nuk i kishte mendtë te pija, e as te qëndrimi me këtë njeri, vendosi që të hiqte dorë nga qëndrimi armiqësor, për hatër të Çunit dhe ta shprehte vullnetin e mirë, që të fillonin të njiheshin normalisht. - Ndoshta do ta pija ndonjë lëng. - Në frigorifer ke "Coca-cola" dhe një lëng të trashë.

E, mua ma sill një birrë. . Por, megjithatë u ngrit dhe shkoi deri te frigoriferi. Për vete nuk mori asgjë, e Milotit ia solli birrën, duke ia lëshuar përpara. Ajo mendonte që ai do të shihte se ajo nuk kishte marrë asgjë për të pirë dhe do ta kuptonte se e kishte tepruar me sjelljen e vet, por ai as që iu falënderua për pije. Ajo vazhdoi që të qëndronte në këmbë, duke menduar a t'i thoshte diçka para se të largohej, apo jo. E, më pas mendoi sesi, edhe po të largohej pa fjalë, ai as që do ta vërente këtë gjë. Për këtë shkak, u kthye dhe u nis kah dera. - E tani ku je mësyrë? U ndal, u kthye dhe e shikoi. Ai ishte tepër i bukur dhe i hijshëm. Edhe pse i ngjante Çunit, Anitës iu desh që të pranonte se të gjitha të metat që i kishte Çuni, nuk ekzistonin te Miloti. Ai e shikonte në një mënyrë krejt të haptë, në mënyrë aq miqësore, sa që u habit si kishte mundur të dilte e zemëruar. Ai e hutonte aq shumë sa që nuk dinte çka të thoshte, a të bënte. (vijon)


(Kosova Sot Online)