Roman dashurie: Punë fati (30)

  • 16 February 2020 - 15:12
Roman dashurie: Punë fati (30)

KAPITULLI I SHTATËMBËDHJETË

U përgatit për rreth një orë. Nëna u ul dhe filloi të qepte, duke shikuar me bisht të syrit se si Anita disa herë u vesh dhe u zhvesh, duke mos qenë e kënaqur me pamjen e saj. Në fund, kur u paraqit me fustanin e zi deri te gjunjët, me një çantë të vogël të kuqe dhe me flokët e krehura nga prapa, nëna nuk u durua pa e pyetur se ku ishte duke shkuar. - Në teatër. Nuk do të vonohem. - E, me kë? Në pyetjen e së ëmës, Anita hetoi një kureshtje. Edhe pse ende ishte e zemëruar me të, për shkak të kritikave rreth Çunit, donte që, më shumë se kurrë, të bëhej shoqe me të ëmën dhe t'ia besonte fshehtësitë e veta, në mënyrë që ta lehtësonte pak barrën që e mbante në zemër. - Do të dal me vëllain e Çunit. Çuni mu lut.

- E, a t'u lut që të vishesh sa më bukur që të jetë e mundshme? Vajza u habit. - Nuk e di pse më pyet, nënë? - Kurrë nuk të kam parë duke u ndrequr kështu. Bile as kur dilje në takime, si adoleshente. Njeriu mund të mendojë se ke rënë në dashuri me dikë, meqë po mundohesh që të dukesh sa më mirë që të jetë e mundur. - Nuk shkohet në teatër dosido, nënë. - Anita, e di që je ende e zemëruar në mua, por nuk ka nevojë të mbash fshehtësi nga unë. Mua më ke nënë dhe unë do të kuptoj gjithçka që mund të më thuash. Të pëlqen vëllai i Çunit, apo jo? Anita nuk mund të pajtohej me atë, se sa mirë e njihte e ëma. - Nuk e di, nënë. Diçka është duke ndodhur me mua. Kohët e fundit gjithçka më është bërë ters. Së pari u grinda me Gonën për një tip, i cili ndoshta është i përfshirë në të shtënat. Më pas ndodhi kjo me Çunin, gjë që më obligoi në njëfarë mënyre që ta respektoja lidhjen tonë më shumë sesa që e kisha respektuar në të kaluarën. E, sikur kjo të mos mjaftonte, paraqitet një mashkull, i cili menjëherë më bëri për vete. Dhe, ai nuk është askush tjetër, pos vëllait të Çunit. Nëna u kredh në mendime. - A të kujtohet ajo ëndrra ime? - Cila? - Ajo që ti je nën një pemë dhe e mban dikë në krahë, e shikon një mashkull tjetër dhe nuk mund të shkosh te ai? Anita pohoi me kokë. - A nuk të thotë asgjë kjo ëndërr, vajza ime? - Nënë, të lutem mos i merr ëndrrat tua sikur të ishin parashikime. Ato nuk kanë kurrfarë lidhjeje me atë që është duke më ndodhur. - A je e sigurt? Anita e puthi të ëmën në faqe dhe, me këtë, i dha fund bisedës. Por, pasi që doli nga banesa, iu desh që të pajtohej se ëndrra e nënës mund të ngjante në atë që ishte duke i ndodhur.

KAPITULLI I TETËMBËDHJETË

Miloti tanimë e priste në automobilin e kuq sportiv. Dukej shumë bukur në kostumin e hirtë dhe në bluzën e zezë. Flokët ende i kishte të shprishura, por mjekrën sapo e kishte rruar. Dhe, i vinte era e mirë. - Anita, dukesh për mrekulli. - Faleminderit! Më nuk e hapën gojën deri te teatri. Vetëm kur u ulën, Miloti i pëshpëriti në vesh: - Dëm që nuk të kam takuar unë i pari. (vijon)

(Kosova Sot Online)