Roman dashurie: Punë fati (31)

  • 17 February 2020 - 15:24
Roman dashurie: Punë fati (31)

Ajo mbeti e shtangur. Fryma e tij e guduliste nëpër qafë, ndërsa fjalët e tij e hutonin. Por, kësaj radhe ajo kishte vendosur t'i kundërvihej, që të mos lejojë të luajë ashtu me ndjenjat e saja e po ashtu as me ndjenjat e Çunit. -Nuk e besoj dot se Çuni do të ishte i lumtur, po ta kuptonte se çfarë po më thua tani. Miloti filloi të qeshte. -Çfarë? A mos e ke ndërmend t'i tregosh? -Nëse vazhdon kështu të sillesh, si i pafytyrë, kinse lidhja ime me Çunin është diçka e pavlerë dhe nëse mendon se lidhja ime me Çunin është kalimtare, ndoshta edhe do t'i tregoj. Të paktën ta kuptojë që të mos insistojë që unë dhe ti të shihemi. - Do të thotë se edhe më tutje pohon se nga ana jote ekziston dashuria e vërtetë ndaj tij? -Po, natyrisht. -Nuk të besoj Anita. -E di, nuk më intereson fare fakti, nëse më beson apo nuk më beson. Kjo për mua nuk do të thotë gjë. -E unë, a kam ndonjë vlerë për ty? Ishte shumë afër buzëve të saj, kur i tha një gjë të tillë. Ajo ofshante, por i kishte mbetur pak forcë që t'i kundërvihej. -Ti? Mua ti më intereson aq sa më intereson si është koha tani në Nju-Jork. -Mendoj se po gënjen, unë mendoj se për ty kam më shumë vlera sesa moti tani në Nju-Jork.

-Vetëm ëndërro! Duart e tij u gjendën në faqet e saja. Me forcë ia ktheu kokën drejt tij. Në momentin e ardhshëm ka ndier buzët e tij mbi buzët e saja. Provoi të mos e bënte një gjë të tillë, por kjo ishte një puthje që ta ndalte frymën. Kur e kishte lëshuar, tashmë dritat ishin fikur. E dëgjoi vetëm duke i pëshpëritur: -Me sa duket në Nju-Jork qenka një kohë e nxehtë verore. Shfaqjen as që e kishte shikuar. Nuk kishte mundur të përqendrohej në asnjë skenë të vetme. Gjatë gjithës kohës e dinte se pranë saj po qëndronte ulur dikush, në të cilin ishte dashuruar, i cili për asnjë çmim nuk guxon të jetë i saj.

KAPITULLI I NËNTËMBËDHJETË

-Ma thuaj? Si të pëlqeu shfaqja? Tashmë ishin në veturë dhe po largoheshin nga teatri. -E mirë ishte. Më pëlqeu. Nuk ishte e disponuar për muhabet. Vetëm dëshironte që sa më shpejt që të ishte mundur të shkonte në shtëpi, të futej në shtrat, ta mbulojë kokën dhe të mendojë për Milotin. -A dëshiron të shkojmë diku ta pimë nga një? Apo të shkojmë diku për darkë, nëse je e uritur? -Jo, nuk dua. -Nuk je e uritur apo ke frikë të jesh me mua? E shikonte me plot zemërim, shkaku i vetëbesimit të tij. -Në pyetje është diçka e tretë, nuk më shkohet me ty. -Më tingëllon disi si e mllefosur. -Edhe jam. Mjaft më. Mjaft më me sjelljet e tua të tmerrshme karshi të dashurës së vëllait tënd. Si nuk po e kupton se unë kam dëshirë të jem vetëm me Çunin, dhe se provokimet e tua për mua nuk kanë asnjë vlerë. E ndali veturën me vrull. U kthye me fytyrë nga ajo, ndërsa që në sytë e saj kishte një seriozitet të çuditshëm. -Përse pra më ke puthur ashtu dy herë? Pse nuk më ke shtyrë, pse nuk më godite, pse nuk je ankuar te Çuni se sa i pasjellshëm jam? Në atë moment ajo u skuq e tëra, por ishte plot me fat, pasi që në makinë ishte errësirë dhe nuk mund të vërehej fytyra e saj e skuqur. /vijon/


(Kosova Sot Online)