Ngjarje e vërtetë: Ata më shfrytëzonin, por fajin e kisha vetë (1)

  • 23 shkurt 2020 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: Ata më shfrytëzonin, por fajin e kisha vetë (1)

'E vërtetë, të gjithë meshkujt me të cilët isha më kanë shfrytëzuar në mënyrën e tyre, por nuk ishte një viktimë e pafajshme. Sepse isha unë ajo që zgjidhja...'. Po qëndroja e ulur në zyrë dhe po shikoja ofertën e radhës. Kolegia Ardita u fut e mbushur me frymë. - Si mund të qëndrosh ashtu ulur thuajse nuk ka ndodhur asgjë? - mezi po fliste. - Çfarë po ndodh? Mos vallë përsëri ke humbur telefonin celular apo të është prishur taka në mes të rrugës? Ku ta di unë se çfarë po ndodh? Nuk mund të shikoj përmes mureve, në rrugë apo ndërtesë. Te ti gjithçka është e gjallë dhe ende asgjë nuk po ndodh. Unë sot në mëngjes, faleminderit së pari për pyetjen, jam mirë. - Kësaj se je mirë edhe po i çuditem. Me këtë rast je krejt anormale apo thjesht nuk dëshiron ta dish se çfarë po ndodh - po vazhdonte kështu duke folur derisa po zhvishte pallton dhe u ul në karrige.

Më vëzhgonte sikur kisha zbritur nga një planet tjetër. - Çfarë do të thotë e gjithë kjo? - e kishte zgjuar kureshtjen time. - Kur ke arritur në punë? - Rreth orës gjashtë e gjysmë. Jam zgjuar para orës pesë dhe nuk të flija më. Mbrëmë përsëri jam fjalosur me Visarin. Jam bërë gati dhe erdha për t'i përfunduar punët që dje më kishin mbetur në gjysmë. - Tash e kam krejt të qartë. Nuk e di si do ta thosha këtë. Të lutem, mos u brengos. Gjithçka në fund do të ketë në rregull - po fliste diçka që nuk i takonte asaj. - Tash më ke frikësuar. Ose ma thuaj çfarë po ndodh ose më lër rehat - u vërsula në drejtim të saj. Pos se jemi kolege në punë, Ardita në pesë vitet e fundit është edhe fqinja ime. Është martuar me Florimin, është vendosur te ai e kështu është bërë edhe fqinja ime. Jemi bërë shoqe të mira, dhe ishte e vështirë ta imagjinosh një ditë ku ne të dyja nuk jemi takuar dhe ia kemi shpalosur problemet njëratjetrës. - Ardita, do të çmendem nëse nuk më tregon se çfarë po ndodh. - Kopshti yt vlon nga policia. E kanë rrethuar shtëpinë tënde nga të gjitha anët - po murmuriste.

- Policia? Pse? - pyeta e frikësuar. - Nuk e di. Do të ishte më së miri të shkosh në shtëpi. Unë do ta mendoj një arsyetim për shefin. Shko para se të vijë ai - më këshilloi. Mora dëgjuesen e telefonit dhe po shtypja numrin tim të telefonit në shtëpi. - Urdhëroni? - m'u lajmërua një zë i panjohur burri. - Kush jeni ju? - belbëzoja plot stres. - Inspektori Blerim. Kush jeni ju? - Egzona, pronarja e numrit në të cilin ju jeni lajmëruar. A mund të ma shpjegoni pse po lajmëroheni në numrin tim? - Zonjë, do të ishte mirë të vinit në shtëpi. Po ju pres, shpejto - më tha dhe ndërpreu lidhjen. - Nuk e kam të qartë se çfarë po ndodh. Ardita, më duhet të shkoj - u ngrita nga karrigia, ashtu me ngut pa menduar dola nga zyra. Dëgjova kolegen time duke më këshilluar të vozis ngadalë, por nuk qaja kokën më se çfarë po thoshte ajo. Nëpër kokë më kalonin shumë gjëra, por asnjë prej tyre nuk më jepte përgjigjen se përse policia ishte në shtëpinë time. Gjithmonë ju kam përmbajtur ligjit, kurrë nuk kisha asnjë dënim të vetëm. Kjo edhe ishte arsyeja që më brengoste pse policia ishin në shtëpinë time. Nëse ata janë tek unë, kjo do të thotë se po ndodh diçka e tmerrshme. Isha martuar shumë e re, para se t'i mbushja të tetëmbëdhjetat. Agimi ishte princi i ëndrrave të mia, por shumë shpejt e kuptova se ishte një bretkosë e tmerrshme, të cilin kurrë nuk do ta dëshiroja pranë meje. Ai ishte shndërruar në një alkoolist, i cili nuk mund të mbijetonte asnjë ditë të vetme pa alkool. Alkooli ishte pjesë e jetës sonë. U ndamë pas një viti martese. Nga shtëpia e prindërve të tij jam bartur te familja ime. Ishin të dëshpëruar, edhe pse e kishin ditur se martesa jonë nuk do të zgjaste më tepër. Babai më thoshte: Do të punësohesh. Do të shkosh në punë dhe pas punës drejt në shtëpi.

Nuk do të dalësh natën, e as nuk do të shëtitësh poshtë-lart. Edhe ashtu fqinjëve u ke dhënë mjaft materiale për të folur thashetheme. Duhet të mësohesh me respekt. Shpresoj se me vite do të rritesh dhe do të bëhesh më serioze. Do të na ndihmosh në punët e shtëpisë, por do t'ua bësh edhe një pjesë të shpenzimeve. Nëna jote dhe unë do të mendojmë për shumën që do ta japësh për çdo muaj. Nëse nuk të pëlqejnë rregullat e reja mund të shkosh ku të duash - më tha qartë dhe më la ta dija se nuk kishte marrëveshje të dyanshme. Nuk më mbeti gjë tjetër, pos të pajtohem me jetën e re dhe situatën e krijuar. Me ndihmën e të atit gjeta punë në zyrë. Me shkollën e mesme ekonomike nuk mund të prisja diçka tjetër. /vijon/


(Kosova Sot Online)