Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë mua, por edhe babait (6)

  • 15 March 2020 - 16:55
Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë mua, por edhe babait (6)

Gruaja me një xhaketë me kapele po vraponte në drejtim të dritares së shtëpisë sonë, e më pas, kur më shikoi, ma ktheu shpinën dhe me hapa të shpejtë filloi të largohej prej meje. Dukej disi e humbur. - E pamundur! - mendova. Vrapova pas saj dhe po e thërrisja. Kaltrina u kthye. Pa kurrfarë dyshimi, ishte ajo. Fytyra e saj ishte e pikëlluar. - Kaltrina, çfarë je duke bërë këtu? - isha krejtësisht i habitur. M'u duk thuajse është Kaltrina ajo vajza me shkrepëse, të cilat ashtu e uritur po i shiste. - Në librin e adresave është edhe adresa jote e banimit në kryeqytet, por edhe kjo në det - ma ktheu, duke e mbajtur kartelën në duart e saj dhe më pas tha: - Më fal, nuk e bëra me qëllim... - Oh, të lutem, çfarë ke për të kërkuar falje. Hyr në shtëpi, sepse përjashta është tepër ftohtë.

Do më tregosh pasi të ngrohesh se si të falënderoj për vizitën tënde, në këtë natë acari. Disi u hutova, por edhe në anën tjetër isha shumë i lumtur. Më erdhi si dhuratë prej qiellit, thuajse ishte një dhuratë për vitin e ri. Isha tepër i lumtur. - Jo, nuk mund të futem kështu brenda. E gjithë familja jote qenka këtu, nuk dëshiroj t'ju pengoj. Më vjen keq pse u shfaqa kështu në këtë mënyrë. Nuk kisha për qëllim të pengoj dhe as vetë nuk e di pse erdha në qytetin tënd. - Prisja të më lajmërohesh derisa isha në kryeqytet - thashë me një zë të qetë. - Askujt nuk i jam lajmëruar, isha në shtëpi. Ishte përvjetori i prindërve të mi këtyre ditëve dhe mendova të qëndroj në shtëpi, por nuk munda. E gjithë kjo më dhemb...- shpina dhe krahët po i dridheshin. Kjo kurrsesi se nuk ishte aktrim. Kaltrina nuk po ndihej mirë - dhe më pas në xhep gjeta adresën tuaj, u ula në autobusin e parë dhe ja ku jam këtu. Më shikonte drejt e në sy, ndërsa që unë isha i humbur, i hipnotizuar dhe isha i gatshëm ta luaj rolin e luftëtarit mbrojtës.

Rolin e dikujt që duhet të japë ushqim, banim, shtëpi, të gjitha këto përnjëherë. E përqafova, e më pas ajo u mbështet në gjoksin tim. E shtrëngova edhe më fort, ndërsa që ajo gjithnjë e më shumë fytyrën e saj po e përkëdhelte për trupin tim. Ka mundur ta ndiejë se si po më shpejtoheshin të rrahurat e zemrës. Po e luhatja ashtu në një natë të ftohtë dimri, pa e ndier të ftohtët në një bluzë, pasi që kur e vërejta nuk e kontrollova veten time dot se çfarë kisha të veshur. - Hyjmë brenda - i thashë. Më dëgjoi pa bërë fjalë dhe hyri me mua. Më lejoi ta fus në shtëpinë, e cila u shndërrua edhe në shtëpinë e saj. Kur e kam futur Kaltrinën brenda në shtëpi, babai im u duk paksa i befasuar. Për një kohë të gjatë e shikoi atë vajzë, me fytyrë të ngushtë e të errët dhe me sytë e saj të zinj. Sikurse humbi për një moment, duke ia kujtuar dikë që e kishte njohur për një kohë të gjatë, shumë kohë më parë. - Baba - e thirra. U largua nga mendimet e tija dhe shumë shpejt u kthjell - dua të të njoftoj me dikë.

Desha që kjo të jetë befasi, prandaj edhe nuk ju kam treguar më herët. Desha që atë prezantim të natës me Kaltrinën ta bëj të dukej si diçka e qëllimshme dhe e inskenuar. - Kjo është Kaltrina. Shihemi dhe tash e një kohë ne shihemi bashkë - me qëllim e thashë këtë, duke shikuar në fytyrën e saj dhe duke pritur reagimin e saj. Por, e kishte kuptuar dhe luante rolin e të qenit dashuria ime, që atë natë në fakt edhe u bë. - Për Zotin, djali im na ke befasuar - më tha babai im, duke shikuar atë e më pas iu drejtua Kaltrinës: - Më duhet ta pranoj se fytyra jote ngjan aq shumë me gruan time në kohën e saj të rinisë. Ashtu më shikoi mua dhe Llukmanin, duke pritur që ta konfirmojmë në gjë të tillë, por natyrisht se as unë e as Llukmani nuk e kemi vërejtur ngjashmërinë, të cilën e vërente vetëm babai ynë. Vetëm bëra me krahë dhe u struka. - E vërtetë, ndoshta është paksa e shkurtër sikurse nëna, kjo është e gjithë ngjashmëria. Baba, të lutem, të mos e krahasojmë Kaltrinën me të kaluarën tonë. Biseda shumë shpejt mori drejtim tjetër, ndërsa Kaltrina ime, me lehtësi u akomodua në shtëpinë tonë, pothuajse kjo është gjëja e duhur dhe pothuajse për shtëpinë tonë ajo kishte qenë e etur. E ngrohëm sikurse një zog të vogël dhe po e ushqenim me fjalë miradije. Vetëm kunata jonë po qëndronte anash, duke ndier se shumë shpejt do t'i merret primati nga dora, pasi që ajo ishte kunata e vetme që kishim në shtëpi.

(Kosova Sot Online)