Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë mua, por edhe babait (8)

  • 17 March 2020 - 15:13
Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë mua, por edhe babait (8)

Por, qyteti im është i vogël dhe gjithçka merret vesh menjëherë. Kështu, disa nga aventurat e mia arritën edhe deri te veshët e gruas sime. Tanimë kishte kaluar mesnata kur parkova në oborr, duke mos pasur vullnet që ta fusja veturën në garazh, e po ashtu duke dashur që t'i ikja zhurmës së panevojshme. Doja që të futesha në shtëpi si hajn dhe të bija në shtrat, duke iu ikur pyetjeve dhe arsyetimeve, sesi rastësisht qëndrova me disa shokë në qytet më gjatë sesa zakonisht. Hapa derën sa më ngadalë që munda. - Çka po ta merr mendja ty? - dëgjova një piskatje të zemëruar diku nga terri, ku më pas pash një siluetë të bardhë, ulur në kuzhinë. - Kush është? - pyeta me habi, duke mu marrë goja, meqë atë mbrëmje me të vërtetë kisha pirë më shumë sesa që duhej. - Kjo sjellja jote është turp për tërë familjen! - filloi të moralizonte gruaja ime, derisa befasia ime filloi të shndërrohej në zemërim. Çka ishte duke menduar ajo?! - E di për Leonorën... - vazhdoi ajo, e zëri i bëhej gjithnjë e më i lartë. - Qe sa kohë është duke zgjatur kjo?

- Nuk ekziston asnjë Leonorë... - Mbylle! - më ndërpreu duke u ngritur me të shpejtë, duke kthyer mbrapshtë tavolinën dhe duke derdhur çajin i cili ishte para saj - tre njerëz më kanë thënë se të kanë parë me të, me sytë e tyre. U nisa kah ajo, duke dashur t'ia mbyllja gojën, që të mos e çonte babanë me zhurmën që bënte. Ajo u kthye me shpejtësi, duke dashur ta evitonte dorën time, por rrëshqiti. Ra mbi tavolinë dhe mbeti mbi të, ashtu me bark. Qëndroi më gjatë sesa që duhej. - Kaltrina! - fillova të shqetësohesha - çka je duke bërë. Unë as që të preka... - Duhet të shkojmë në spital, shpejt - tha ajo me vështirësi, duke mbajtur frymën. - Çka të gjet? - isha njëkohësisht edhe i frikësuar edhe i zemëruar. - Më duket se do ta humb fëmijën! Nuk e kisha ditur. Nuk kisha idenë se Kaltrina ishte shtatzënë. As ajo nuk e kishte ditur. E kishte marrë vesh atë ditë, pas një kontrolli mjekësor dhe donte të ma kumtonte këtë lajm, duke ma përgatitur edhe një darkë, në të cilën unë nuk shkova. E humbëm fëmijën në muajin e dytë të shtatzënësisë. E humba vullnetin për jetë. U ndjeva fajtor. Ajo ishte e dhënë aq shumë pas punës, e unë i kisha kuptuar gjërat gabimisht. Babait i ishte dashur që të tërhiqej dhe të dilte në pension. Shtypja e lartë e gjakut, kolesteroli dhe përcjellësit e tjerë të mënyrës stresuese të jetës e kishin marrë haraçin e vet. Kishte ardhur koha që të rinjtë ta merrnin në dorë poliklinikën. Më saktë, Kaltrina.

Llukmani ishte pajtuar me këtë gjë. Kishte parë se ajo ishte kompetente, përkundër moshës së re. Unë jo. Nga atëherë kanë kaluar 12 vjet. Ende jemi të martuar. Kaltrina ka kohë që ma ka falur. Shpesh më pëlqen që ta shikoj sesi ndreqet para pasqyrës. Disi ka lulëzuar. Është bërë nënë e dy vajzave tona. Unë bëj atë që më thonë dhe kjo është mirë, nuk është keq të të udhëheqin. Ajo megjithatë e di më së miri. Gjithmonë del kështu. Vuri parfumin dhe po përgatitet të dalë. La pas vetes një re të parfumit të luleve. Diskret. Të tillë e ka edhe gardërobën. Të rafinuar. Është bërë e suksesshme, biznismene dhe e pasur. As mua nuk më mungon asgjë, por shokët më shikojnë me përqeshje, kurse ish të dashurat e mia kënaqen me këtë rrjedhë të ngjarjeve. FUND

(Kosova Sot Online)