Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (1)

  • 18 March 2020 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (1)

Vjen një kohë në jetën e meshkujve, kur ai me çdo çmim dëshiron të pushtojë, në mënyrë që të vërtetohet si mashkull, t'i tregojë vetes dhe të tjerëve se ai mundet, dhe se edhe më tutje është tërheqës për gjininë e kundërt. Kjo është koha kur ai gjithnjë e më shumë largohet nga familja, duke menduar e shpikur lloj-lloj arsyetime, i pavetëdijshëm se rrethi po i kupton gjërat, dhe se po turpërohet. Ai, megjithatë, nuk largon fare syzet e tij të zeza, duke iu përmbajtur dhe përkushtuar pasionit të tij. Sot është ditëlindja e 53-të dhe nuk më kujtohet kur kam qenë kaq i vetmuar. Mbylli sytë dhe kthej kohën prapa, atëherë kur gjithçka ishte në rregull. Qetësia është kudo. Nuk dëgjoj as cicërimat e zogjve, të cilat në këtë periudhë kohore nëpër drunjtë këtu pranë dinin të bënin zhurmë. Dal përjashta, sepse filloj të ngufatem në këto hapësira, të cilat duken se kanë vdekur bashkë me shpirtin tim. Kjo shtëpi dikur ishte e gjallë. Këtu, unë dhe familja ime kalonim fundjavën dhe pushimet verore. Tash ky vend është burgu im. I lirë jam, por i burgosur në lirinë time.

Nuk dua të jem i lirë! Ashtu jam tepër vetë. Jam shumë i lëkundur dhe jam i vetëdijshëm për krejt këtë. Ndjenjat dhe pasioni po mbretëronin me mua, ndërsa që isha krejt i verbër dhe i shurdhër rreth asaj që po ndodhte përreth meje. E pashë atë, të re, të bukur, e dëshiroja. Dëshiroja t'i ofroja gjithçka, duke e vërtetuar veten si mashkull. Ema nuk më mjaftonte më. Ishte shumë e vetëdijshme. Krahas saj isha i fortë, isha i lig. Asaj nuk i nevojitej mashkull, i merrte gjërat në dorën e vet. Isha figurë në shtëpi, të cilit i ishin ndarë obligimet, ndërsa që unë dola nga rrethi familjar, të cilit mendoja se i takoja. Ma kishin marrë rolin. Personazhi po shfaqej pa mua. Askush më nuk kishte nevojë për mua. Më injoronin. Të paktën, ashtu më dukej mua. Më mungojnë Ema, Meritoni dhe Elvana. Kush e di nëse unë u mungoj atyre. Kush e ka fajin në gjithë këtë mesele? Unë, natyrisht se unë. Unë isha ai që ua hapa derën atyre, unë bëra hapin e parë. U fikën, edhe gruaja edhe burri. Ajo nuk kërkonte asgjë. As unë nuk kërkova gjë. Ekrani dhe monitori i kompjuterit tim u shndërruan në mikun tim të jetës, u bë bashkëfolësi im. Më lajmëronte atëherë kur dreka ishte në tavolinë, e po ashtu edhe darka. Komunikimi kryesisht zhvillohej rreth ngjarjeve në politikë, si dhe rreth faturave që duhej paguar. Që moti kishin mbaruar dashuritë tona, ishin fikur ato që ndienim për njëri tjetrin. Që të dy ishim pjesëmarrës në vrasjen e dashurisë sonë të dikurshme. Na mungonte forca dhe vullneti për ta kthyer përjetimin e saj të dikurshëm. Por, të fillojmë me radhë... - Denis, këmishën e ke të pastër dhe të hekurosur. Do ta gjesh të varur në dhomë. Unë po dal në treg. A të nevojitet edhe diçka tjetër. Unë po dal për të blerë. A ki nevojë edhe për diç tjetër? - bërtiste gruaja ime Ema, duke marrë xhaketën e saj dhe duke dalë nga shtëpia. Unë isha në dush dhe po kënaqesha me aromën e ujit të ngrohtë. - Faleminderit, nuk më nevojitet gjë. Ema, prit! - befasisht m'u kujtua se më nevojitej kravata e kaltër. - O Zot, aty ku është gjithmonë! Së bashku me gjërat e tjera në dollap.

A do të mund t'i mbash mend dhe t'i gjesh kur të nevojiten? - më pyeti ashtu me nerva, pasi që u solla si fëmijë, apo ndoshta nga fakti se ato janë gjithmonë në të njëjtin vend e unë shtroj të njëjtat pyetje për gjërat e njëjta. E nervozoja bashkëshorten time. Përplaste derën dhe dilte përjashta pa pritur fare përgjigjen time. Ndërsa mua më pëlqente fakti se ajo kujdesej për mua. U ndjeva i përkëdhelur dhe i llastuar. Nganjëherë ishte sikurse nëna ime, ndërsa që unë po u kthehesha në pubertet. Duke dalë nga dush-kabina, po sillesha vërdallë duke kërkuar qumështin për ta lyer trupin. Kohëve të fundit lëkura më ishte tharë diçka. Pothuajse ishte ndryshkur. Ndoshta më ndihmon ta lyej me këtë, ngjashëm si bën Ema me lëkurën e saj. E vendosa në trup, por kishte pak sa për të mbuluar trupin tim. Vrapova në dhomën time, krejt lakuriq, duke vështruar vete, me kritika dhe duke qenë shumë objektiv. /vijon/


(Kosova Sot Online)