Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (2)

  • 19 mars 2020 - 15:39
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (2)

Në fakt, aspak nuk dukem keq. Kam 52 vjet, por mund të bëj be se vetëm nëna ime do të mund ta dinte këtë. Ajo e di sepse më ka lindur. Flokët e thinjura i kisha të rralla. Ato ishin grumbulluar aty ku mendoja se duhej të ishin, në pjesën e tëmthave. Ato ia jepnin fytyrës sime një ton të sharmit dhe burrërisë. E shikoja veten i dashuruar në atë që shihja. Vendimi që të filloja të shkoja në palestër duket se kishte qenë vendim i duhur. Më ishte përmirësuar tonusi i muskujve dhe tani mund t'i shihja muskujt e krahëve dhe të barkut. Kisha bërë mund dhe tani çdo gjë dukej qartë. Mrekulli! Isha i kënaqur me veten time. Doja që të dukesha i përkryer.

Kjo sot ka rëndësi të madhe. Paj, nuk jam unë si ai shoku im nga shkolla e mesme. Për pak sa nuk e njoha kur e pashë në përvjetorin e maturës. E kishte lëshuar veten. Kur ulej, barku i prekte gjunjët, flokët i kishin rënë kaherë. Moshatari im! Qesharake. Dukej sikur të ishte babai im. Mendoja se si unë ende jam një mashkull i pashëm dhe me kënaqësi përthekoja këmishën deri në pullën e fundit, e më pas e lidha kravatën. Punën e kam të tillë, që më duhet të dukesha shumë mirë. Megjithatë, unë jam pronari i një autosalloni me renome, i cili, me gjithë krizën, punonte shumë mirë. Isha krenar për sukseset e biznesit tim. Me gjithë konkurrencën, me sukses plotësonim të gjitha kërkesat e tregut, të cilat gjithnjë e më shumë ishin të komplikuara. Sot sapo kishim një prezantim të modeleve të reja dhe më duhej që të dukesha ashtu si më kishte hije, si i kishte hije një biznesmeni. Na vinin partnerët dhe klientët e interesuar. Kishim përgatitur pako të ndryshme me lirim dhe besoja se paraqitja e sotshme do të shpaguhej. Kisha nja dhjetë të punësuar dhe që gjithë atyre ia kisha dalë t'ua siguroja një standard të denjë. Në martesën time çdo gjë, apo gati çdo gjë është në rregullin më të madh. Kështu ndoshta iu dukej fqinjëve, të afërmve dhe miqve. Ne e kishim krijuar një iluzion të tillë. Gjithmonë të matur, kishim kujdes që të mos prishej pamja e idilit tonë familjar. Gjithçka duhej të ishte në vendin e vet. Kam dy fëmijë të rritur, një grua të pashme dhe jo imponuese. Mund të mburresha me vilën në bregdet dhe me barkën 5 metra të gjatë, me të cilën gjatë verës lundroja rreth ishujve, kur shkonim për pushime. Rrallëherë isha në rrethin e familjes sime, sepse puna nuk ma lejonte një gjë të tillë. Më duhej të isha i pranishëm dhe ta kisha kontrollin mbi gjithçka. Nuk mund të bënim lëshime. Lufta për blerësin ishte e pamëshirshme dhe ata mundoheshim t'i joshnim në të gjitha mënyrat e mundshme. Për këtë shkak duhej të përcillnim gazetat, të ishim në rrjedha, çdo muaj të shkonim në tri qytete të mëdha evropiane, të vizitonim sallonet e automobilave dhe ekspozitat. Ema tanimë ishte mësuar me një jetë të tillë. Të paktën ashtu mendoja unë. Nuk ankohej, nuk grindej, por kohëve të fundit kisha filluar të vëreja se diçka nuk ishte në rregull me të. Disi ishte tërhequr në vetvete, si dhe nuk përkujdesej edhe aq për pamjen e vet. Kur më kujtohet se sa e bukur ishte sa ishim të ri. Kishte flokë të gjata, të kafta dhe sytë më të bukur ngjyrë gështenjë. Buzët e saj të plota, plot afsh, ia kisha dalë që t'i ruaja vetëm për veten time.

Afër saj ndihesha më me vlerë. Kisha nevojë që të kujdesesha për të. Deri sa na lindën fëmijët, kjo ishte detyra më e çmueshme në jetën time. Premtimin tim e kisha mbajtur deri para pak kohe. Kur martesa jonë mbushi 30 vjet, më nuk kisha fuqi. E humba kontrollin mbi veten time, mbi ne. Me kalimin e kohës së martesës sonë, kuptova se Ema nuk ishte edhe aq e pafuqishme. Shpesh dëgjoja këshillat e saj, të cilat dilnin të ishin krejtësisht të drejta dhe shumë herë më kishin shpëtuar nga falimentimi financiar. Unë ngutesha derisa ajo ishte e vëmendshme dhe e kujdesur.

Kishte mbaruar ekonominë, e përpos kësaj, kishte edhe një aftësi të lindur për diplomaci dhe për biznes. Më shumë më udhëhiqte ajo mua, sesa unë atë edhe pse gjithmonë nga hija, pa u vërejtur, duke iu përkushtuar familjes dhe fëmijëve, e mua duke më këshilluar vetëm kur e pyesja. Isha i vetëdijshëm se sa e aftë dhe e çmueshme ishte ajo, por disi nuk mundja t'ia thosha këtë me zë asaj, gruas sime. Duhet ta bëja këtë më shpesh, por isha egoist. Egon e kisha shumë të madhe. Duke pranuar vlerën e saj, automatikisht do të nënkuptonte që unë isha më pak i vlefshëm. Sa i marrë që isha! Doja të isha në qendër të vëmendjes. Duartrokitjet duhej të më shkonin mua. (vijon) 

(Kosova Sot Online)