Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (3)

  • 20 mars 2020 - 15:13
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (3)

Puna po zhvillohej, unë u pasurova, ndërsa vetëbesimi im po rritej. Na lindën dy fëmijë, për të cilët isha shumë krenar. Ema në përgjithësi u ishte përkushtuar atyre, si dhe shtëpisë, por edhe mysafirëve, të cilët do të na vizitonin. Në njëfarë mënyre kisha futur një xhelozi te miqtë e mi. Mendonin se i kisha të gjitha: punën që e doja, e cila na mundësonte një jetë luksoze, fëmijë të shëndetshëm dhe të bukur, si dhe një grua të bukur dhe të hareshme. Edhe kishin të drejtë. Me të vërtetë i kisha të gjitha. Sot, ajo nuk është e njëjta. Edhe më tutje është e qetë, kuzhiniere e shkëlqyeshme, por disi e kam të largët. Ndoshta vetë jam fajtor për një situatë të krijuar. Shpeshherë nuk jam në shtëpi, e kur jam aty, atëherë jam i lodhur. I lodhur jam edhe sonte, po mendoja derisa me veturë po kthehesha në shtëpi. Sot, rastisi të jetë ai përvjetori i martesës, madje përvjetori jubilar i tridhjetë. I kisha premtuar një javë pushim në bjeshkë, por kur e kisha dhënë atë premtim, nuk e dija se në ndërkohë do të më dilnin punë të tjera shtesë. Më priti me darkë të shijshme. Fëmijët me qëllim ishin 'zhdukur' diku, ndërsa që unë dhe Ema ime kishim mbetur të vetëm. E vërejta se nuk kishte qenë te stilisti i flokëve. Kishte shtuar në peshë, ndërsa që nuk e kisha vërejtur se e kishte edhe një nën-bark. Mjekra pothuajse i ishte bashkuar me qafë...

- A është gjithçka në rregull? - më pyeti duke thyer qetësinë. - Po - thashë me kujdes që ajo të mos m'i lexojë mendimet dhe të mos e kuptonte sesi për një moment e krahasova me Myrveten, me punëtoren në librarinë time. Myrvetja ishte e re, por edhe ajo kishte tridhjetë vjet dhe kishte dy fëmijë, ndërsa që ajo nuk është kështu e 'lëshuar'. Sikur ta dinte me kë në ato momente po e krahasoja, në masë të madhe do të lëndohej. - Do të thotë se nesër po udhëtojmë - tha ajo - kam përgatitur valixhet. E di, Denis, mendoj se është bukur që do të kalojmë pak kohë vetëm ne të dy. Jemi bërë të huaj, pak shkaku i punës tënde, pak shkaku i shtëpisë... E përpiva petullën. - Ema, mendoj se udhëtimin tonë duhet ta shtyjmë për një muaj. Ka dalë diçka.... - Mirë, do t'i rregulloj valixhet - më ndaloi në mes të fjalës, duke u ngritur nga tryeza pa e përfunduar darkën. - Shpresoj se e kupton se tani nuk mund të shkojmë - thashë duke u rrotulluar në karrige, derisa ajo me hapa të shpejtë po ecte në drejtim të kuzhinës. Insistoja t'i tregoja se kjo shtyrje nuk ishte as vullneti as dëshira ime. Nuk më dëgjoi. - A do ta anulosh rezervimin në hotel apo do ta bëj unë një gjë të tillë? - më tha ajo, derisa po largonte pjatat nga tryeza. Nuk mund ta mendoja sa shumë i ishte gëzuar ajo këtij udhëtimi, si një fëmijë i vogël. - Mund ta bësh ti...- i thashë me budallallëk - por, po ta them, vërtet më vjen keq. - Edhe mua Denis më vjen keq. Për shumë gjëra në jetë më vjen keq. Natën e mirë. Pina disa pije edhe për një kohë qëndrova i vetëm në dhomë. Tash do të duhej të fillonte pjesa tjetër, në mënyrë që kjo dramë e pakëndshme të përfundojë.

- A po fle? - e pyetja qetë, derisa po futesha ngadalë në shtrat pranë saj. Mori frymë thellë dhe ma ktheu shpinën. Vendosa dorën mbi belin e saj. Dëshira ime për privatësi me bashkëshorten time ishte gjysmë e fikur. Nuk ndodhi kjo atë natë. Ajo u soll aq pasive dhe aq e ftohtë. Ja, edhe tani ajo po fle. Nuk dua ta zgjoj. Pasi që gruaja ime gjithnjë e më tepër po zhytej në keqardhje dhe këtë po e plotësonte me ushqim, unë përkundrazi unë gjithnjë e më tepër po kujdesesha për dukjen time. Kisha kujdes çfarë dhe sa po ha dhe si po vishem. Dietat, konsumimi i proteinave dhe karbohidrateve, palestra dhe biçikleta ishin pasioni im i fundjavave. U kënaqja në diçka si kjo. Dija ta tërhiqja barkun prapa, sidomos në shoqërinë e ndonjë vajze të re. Vazhdoja të dukesha i ri, interesant, komunikues dhe sharmant. Ende nuk isha plakur, por jam në vitet më të mira, po thosha me mendjen time. - Mirëmëngjesi shef! - ashtu e lumtur më përshëndeti Myrvetja, duke kaluar me shpejtësi përskaj meje, duke lënë aromën e parfumit. Sikurse pranvera. Ulej pranë tavolinës së saj dhe po punonte me kompjuter. - Kolege, sot jemi vonë - Thashë ashtu me seriozitet, sepse në Myrveten nuk kisha arsye të hidhërohesha. U skuq dhe ngriti shikimin drejt meje duke larguar syzet. - E di, më fal shef. Nuk po llogarisja të ketë kaq shumë tollovi në qytet, përderisa fëmijët m'u desh t'i dërgoja në kopsht. Në të ardhmen do të nisem më herët - thënë të drejtën, ajo u ndie kaq keq. /vijon


(Kosova Sot Online)