Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (4)

  • 21 March 2020 - 10:10
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (4)

Ai hutim i rrinte mirë. Më dukej edhe më e bukur. Më vinte ta përqafoja. U ngrita. - Mendoj se, megjithatë, do të mund ta pije një kafe. Punët nuk do të të ikin askund. E edhe ato letërkëmbime sot nuk janë aq urgjente. Më shikoi me falënderim, por edhe me rezervë meqë nuk ishte krejt e sigurt se a isha duke bërë shaka, apo duke vazhduar që ta qortoja. Atëherë ia bëra me sy me shejtanllëk. - Paj... do të mundja. Edhe ashtu nuk arrita të pija kafe në shtëpi. E dini, derisa t’i përgatis fëmijët, e më pas edhe veten, kurrë nuk kam kohë të mjaftueshme, pa marrë parasysh sa herët mund të zgjohem. Në mëngjes në shtëpinë time është një çmendinë e tillë, sa që një ditë me gjasë do të vij në punë me papuçe. Nuk e di pse, por kur i përmendi papuçet, menjëherë e paramendova atë, me papuçe dhe me kombinezon të tejdukshëm të natës. Me gjithë qejf do të doja të isha edhe vetë dëshmitar i zgjimit të saj në mëngjes.

E dija se kishte vetëm pesë muaj që ishte shkurorëzuar dhe se vetë përkujdesej për fëmijët. Shpesh kisha qenë dëshmitar i ndërhyrjeve të, tani ish-burrit të saj, i cili vinte i dehur në sallon dhe e kërkonte në zyrë. E frikësonte dhe i kërcënohej derisa ishte nën ndikimin e sulmeve të xhelozisë. Punëtorët e sigurimit detyroheshin ta dëbonin. Kjo zgjati derisa ajo nuk e kërkoi ndihmën e policisë, e atij ia ndaluan që t’i afrohej. Kur u shkurorëzua, askush nga ne nuk u befasua. Bile, pyeteshim si ia kishte dalë të rrinte deri atëherë e martuar me atë njeri. QË nga ai moment kisha ndier nevojën që ta mbroja dhe t’i ndihmoja. I ndihmoja ashtu që ia dhashë një orar fleksibil të punës dhe ia rrita rrogën, si nënë pa burrë që ishte. Nga ish burri i saj i papunë ajo nuk merrte asnjë ndihmë. E gjora! Doja ta qetësoja. Ishte aq e imtë dhe e brishtë, e i duhej që ta bartte në shpinë një barrë aq të rëndë. E pimë nga një kafe. - Po shkoj unë, tani – më tha, pas nja dhjetë minutave, sa e pimë kafen bashkë. Ishte e vyeshme në punë. Përpos kësaj edhe mjaft e mençur dhe e bukur. Vërejta se sot, disa herë e thirri çerdhen e fëmijëve. - A është çdo gjë në rregull me vogëlushin? – e pyeta. - Shpresoj se po, faleminderit për pyetjen. Ka një infeksion të fytit, prandaj po shikoj a ka temperaturë dhe a ia kanë dhënë edukatoret antibiotikun. - E, pse moj Myrvete nuk më ke treguar? Do të duhej të rrije në shtëpi me djalin. - Më shkoi mendja, por nuk mundja t’ju pyesja. Kur më kujtohet se sa më keni ndihmuar deri tani... - Kur janë fëmijët në pyetje, çdo gjë është e arsyeshme – e ndërpreva – atëherë, nga nesër mos ejani në punë. Derisa isha duke i thënë ato fjalë, fillova të ndihesha keq që nuk do ta shihja për disa ditë dhe nuk do ta ndjeja aromën e parfumit të saj me lule në korridor. Në vend se t’i tregoja për ndjenjat e mia, i thash: - Besoj se kolegia do të mund të të zëvendësojë disa ditë. Edhe ashtu, rrogat janë llogaritur, kështu që nuk do të ketë probleme. Paj, nuk jam unë skllavopronar, apo jo? Kishte shumë rëndësi për mua që, në sytë e saj, të dukesha një njeri i mirë dhe që mendimi i saj për mua të ishte pozitiv. Më duhet të pranoj se nuk mundja të bëja asgjë në lidhje me ndjenjat e mia dhe se ndaj saj sillesha më ndryshe sesa ndaj punëtorëve të tjerë, duke u munduar me tërë fuqinë që kjo të mos binte në sy. E dija se ishte e nevojshme që të ruhej profesionalizmi. Nuk mund të them me siguri se a ekzistonte qysh atëherë diçka më shumë midis nesh.

E di vetëm se, sapo ajo vinte në punë, unë filloja të ndihesha ndryshe. Disi shtangesha, i zgjidhja fjalët më me kujdes, e nga fjalët e saj mundohesha që ta nxirrja ndonjë porosi me dy kuptime, ku do t’i gjeja ndjenjat e saj ndaj meje. Por, ajo sillej krejtësisht të kundërtën. Te unë shihte shefin e vet bamirës dhe më respektonte për këtë gjë. Në teori, unë do të mund të isha babai i saj. Ajo ishte dy vjet më e madhe sesa djali im, e katër vjet më e vjetër se vajza ime. Por, a kanë rëndësi vitet? Nuk duhej tani të mendohet për to. Dallimi prej 22 vitesh në sytë e mi filloi të shkrihej. Unë nuk ndihesha si njeri në moshë të mesme. Përkundrazi, sikur të më kishte dhënë drogë ndokush. Isha plot energji dhe epsh. E, ajo ishte aq e bukur dhe atraktive. Gruaja ime Ema vazhdonte t’i bënte punët e saj të shtëpisë. Nuk ndodhte kurrë që të mos më priste darka në shtëpi, apo që këmishët të mos i kisha të hekurosura. Edhe pse do të mund ta paguanim ndonjë shërbëtore, ajo nuk e donte një gjë të tillë. Ajo ishte kundër shpenzimeve vend e pa vend. E, edhe ashtu, ajo ia dilte vet t’i bënte të gjitha. Ia dilte, por në anën tjetër e linte veten pas dore, si femër. Nuk ia dija më vlerën mundit të saj, por gjërat i merrja si të gatshme. Kur kthehesha në shtëpi, te ajo më nuk e shihja gruan, sikur burri që e sheh, por shihja shërbëtoren dhe... një objekt. E di, nuk tingëllon mirë, por nuk jam duke i shkruar këta rreshta me qëllim që t’i zbukuroj gjërat, por dua që çdo gjë ta tregoj ashtu si ishte. (vijon) 


(Kosova Sot Online)