Ngjarje e vërtetë: Barra e ankthit (2)

  • 13 May 2020 - 15:32
Ngjarje e vërtetë: Barra e ankthit (2)

Dhoma filloi të sillej, buzët filluan të thahen, asnjë fjalë nuk mund të dilte. Si, si? E pyes veten. Ai vazhdimisht ishte afër meje, përpos kur ndaheshim për shkak të punës. E vetmja gjë që më kujtohet para se të filloja të qaja, ishte se ia tregova derën. Kush e mbylli derën nuk e kam idenë. Sytë më ishin mbushur të tërit me lot, mu desh që ta ndërroja jastëkun, aq i lagur ishte bërë ai nga lotët. Sikur të kisha qarë me ditë të tëra, sikur ta kisha goditur murin me kokë. Gjithçka më dhembte. Pushova së qari, meqë mu duk se do të më dilnin sytë duq. Tani dënesja pa zë. Shikoja andej e këndej dhomës. Përsëri, si do t’ia bëja? Mendoja se një fund i tillë ishte i mundur vetëm në filma, se ishte thjesht e pamundur që të më ndodhte edhe mua, por ja, më ndodhi. Mund të mendoj tërë jetën si është e mundur kjo, por ja që ndodhi.

Ai iku nga jeta ime pa më thënë lamtumirë. E edhe sikur të më thoshte lamtumirë, athua do ta kisha më lehtë, a? Asgjë nuk është njësoj më. As dhoma ku kishim kaluar aq shumë kohë, as lulet që m’i kishte blerë. Sikur çdo gjë të ishte mbuluar me ngjyrë të zezë. Nga ky terr më zgjoi cingërima e telefonit. Shoqja ime kishte marrë vesh se ai kishte gjetur dikë tjetër. Ajo donte të më përgatiste, por tani ishte tepër vonë. Kur ma dëgjoi zërin, mendoi se e kishte gabuar numrin. “Unë jam. Nuk e ke gabuar numrin, jo”. “O Zot, po çka të ka ndodhur”?, më pyeti ajo. “Asgjë, çdo gjë është në rregull”, me gjysmë zëri i thashë unë. ” Si asgjë? Më trego, çka ka bërë vaki”, ishte këmbëngulëse ajo. “Ai, bre.., ” – nuk arrita ta përfundoja fjalinë, e ajo ma mbylli. E dija se pas disa minutave, do të vinte tek unë. Lola ishte një shoqe besnike, nuk lejonte shoqet të vuanin. Ma solli një picë, e cila ishte më e madhja që kisha parë ndonjëherë. “Më dëgjo, zemër. Haje këtë para se të ftohet”. Mundohej që të më fliste vazhdimisht, por nga unë nuk merrte përgjigje, sepse sapo doja t’i përgjigjesha, ajo fillonte një temë tjetër. Nuk isha në gjendje që ta kundërshtoja. Vetëm ia bëja me kokë. Pica e nxehtë kishte një aromë aq të mirë, sa që për një moment harrova se çka më kishte ndodhur. Lola vërejti se dalëngadalë kishte filluar të largohej tendosja ime. Filloi të më tregonte barsoleta, por mua nuk më qeshej. Lola e mençur vërejti se kjo nuk bënte punë, prandaj u mundua që paksa të më kthente në realitet. “A e di ti se nuk je e vetmja që je lënë në këtë mënyrë? Sikur ta dije se edhe... filania, kështu është braktisur nga burri!” “Bile, atë edhe më keq. As që kishte marrë mundin ta takonte. Me telefon i kishte thënë se nuk e donte më dhe se e linte”. E shikoja sesi fliste, pa bërë zë, sikur nuk e dëgjoja fare çka thoshte.

D.m.th po iu ndodhka edhe të tjerëve, por kjo nuk më bën të ndihem më mirë. I dashuri im është me një tjetër, si mund të ndihem më mirë? Tërë mundi i shoqes sime ngadalë humbte kuptimin. E dija se më duhej vetë ta tejkaloja këtë. Më vinte keq nga Lola, meqë ishte munduar së tepërmi. U ngrita, shkova në banjë dhe lava sytë. Uji i ftohtë sikur ndërroi kahun e mendimeve të mia. Sado vështirë që ta kem në jetë, unë duhet të vazhdoja përpara. Do të isha e marrë sikur të lejoja që kjo të më thyente. Ka kaluar shumë kohë nga ndarja jonë. E vesha fustanin tim më të bukur dhe e ftova Lolën që të dilnim. “Uh, sa mirë. Do të të çoj në një vend të bukur”. Veshët më dhembën sa shumë bërtiti ajo në telefon. Ajo më çoi në një vend ku unë dhe ish i dashuri shkonim shpesh. Mendova se përsëri do të ndihesha si në ferr, por për çudi, mu duk sikur aty kisha shkuar për herë të parë. As që u ktheva kur ai, me tjetrën, hynë në lokal. Vetëm në fytyrën time kaloi një buzëqeshje e trishtuar. Lola mbeti e kënaqur. Duke ma shtrënguar dorën, më tha: “E dija se mundesh, ai nuk ia vlen që të derdhësh lot për të”. Ai na pagoi nga një pije, por unë as që e shikova. Lola më tregoi se ai doli nga lokali si pulë e lagur. Nuk doja që takimi ynë pas aq kohe të përfundonte ashtu, por nuk më vinte as tepër keq. Nga takimi ynë i fundit ka kaluar shumë ujë mbi urë dhe nën urë. Ai tanimë është bërë baba, e unë ende jam në pritje të dashurisë së re. (FUND)

(Kosova Sot Online)