Ngjarje e vërtetë: Dua të më duash (2)

  • 15 May 2020 - 15:34
Ngjarje e vërtetë: Dua të më duash (2)

ëMë pas, një ditë rrugët na u puqën në një mënyrë tjetër. Ishte dimër. Gjithçka ishte nën akull, e në ajër fluturonin flluska të lehta, të thata, të dëborës. E pashë atë. Ecte si pa teklif, e unë, si i magjepsur, e shikoja. E më pas, disa fëmijë, duke rrëshqitur, më goditën prapa. U rrëzova si burrat. Me tërë atë gjatësinë dhe gjerësinë time, mbeta i ngjitur për akulli. Fëmijët filluan të qesheshin, duke mos u mërzitur fare për dëmin që kishin shkaktuar. Me gjasë shkonin ta rrëzonin dikë tjetër. Shpresoja që ajo të mos më shihte. Më shkoi ndërmend që, më së miri do të ishte të shtiresha sikur isha i vdekur, derisa ajo të kalonte. Por, ajo nuk u largua. Erdhi afër meje. - Zotëri!– më thirri– a jeni mirë? Mbylla sytë. Kur do të më njohë, nëse do të më njohë, do të qeshet vetë me vete që më thirri ‘zotëri’. I hapa sytë pasi që ajo u përkul dhe ma kapi dorën.

- Ju qenkeni! – tha ajo e befasuar. Desha ta pyesja kush ishim ata “ne”, por nuk e bëra këtë. Më pyeti a kishte nevojë ta thërriste ndihmën e shpejtë dhe a kisha thyer ndonjë asht. Mos ndoshta, ruana Zot, e kisha lënduar palcën kurrizore. E unë isha shëndosh e mirë dhe vetëm dëgjoja fjalët e saj, që më dukeshin sikur muzikë. Doja që përherë të rrija ashtu, në akull, e ajo sikur një infermiere seksi, të përkujdesej për mua dhe të më bënte pyetje nga më të llojllojshmet. - Zotëri, a jeni lënduar, apo jo? Dua të them, nëse jeni lënduar, atëherë t’ua thërras ndihmën e shpejtë, apo ta thërrisni edhe ju. Nëse nuk jeni, atëherë mos rrini shtrirë kështu në akull, se do të ftohesh, e do të ftohem edhe unë. Nuk e si ku e mora guximin, pyetesha më pas, që ta kapja ashtu për dore, dhe t’ia thosha atë që më sillej ndërmend: - Infermiere, mos më braktis… Ajo ngriti vetullat, e më pas buzëqeshi. Bota ishte e imja. Dhe, ashtu, unë vazhdoja të qëndroja shtrirë në akullin e trashë, pa kurrfarë dëshire që të ngrehesha. Femra e jetës sime ishte pranë meje dhe buzëqeshte. Pasi që qeshëm mirë, ia nisa të çohesha edhe atë vetëm pasi që u çua edhe ajo. Nuk doja që ta shkëpusja atë fije të brishtë që ishte krijuar midis nesh. Jo tani, kur ajo përfundimisht ishte vetëdijesuar për ekzistimin tim. Vendosa të shkoja në krejt, apo asgjë. - Do të më bënte mirë një çaj – i thashë edhe pse kurrë nuk pija çaj, por më dukej se, në një situatë të tillë, ishte e përshtatshme të pija çaj. - A do të vini me mua? – i thashë unë me guxim, duke shpresuar që të mos më përqeshte. Për befasinë time, ajo as nuk më refuzoi, e as nuk më përqeshi. - Do të ngriheshit ju edhe pa mua. Nuk e keni për obligim të më qerasni me çaj. - Nuk e kam për obligim, por kam tepër qejf – i thashë. Çka të them? Më pëlqente pa masë ky guximi im. Po, kisha një imagjinatë të zhvilluar dhe dija të thosha atë që donin ta dëgjonin të gjitha femrat, por tani çdo gjë që e thosha, edhe e mendoja ashtu. Fjalët më vinin nga thellësia e zemrës. Kisha frikë se nuk do të durohesha pa ia thënë të gjitha, e të dilte ku të dilte.

Megjithatë, nuk ia thash. Më shikoi për një moment, sikur të donte ta ndërronte mendjen, e më pas pohoi me kokë. - OK, në rregull. Pimë disa çaja, disa kafe, hëngrëm nga një picë, ëmbëlsirë..., e kur filloi të binte terri, dolëm jashtë. - Faleminderit – më tha ajo. - Faleminderit. Ma zbukurove jetën. - Mos e tepro. Nuk pate asgjë. - Do të të përcjell – i thashë. Tani binte një borë më e dendur. Ecnim njëri përkrah tjetrit, e unë doja ta shtrëngoja. Gjithçka më dukej jo reale. Kisha pyetje për të, por nuk ia bëja, për shkak të frikës se do ta dëboja nga vetvetja. Para banesës së saj u përshëndetëm dhe u ndamë. E shikoja sesi largohej dhe e pyesja veten a do të ishte ky takimi ynë i parë dhe i fundit. (vijon)

 

ReplyReply AllForwardEdit as new