Ngjarje e vërtetë: Skena e përsosur (1)

  • 25 maj 2020 - 15:14
Ngjarje e vërtetë: Skena e përsosur (1)

Në një natë të lodhur korriku, përplot me atë peshën e verës, aeroplani "Lufthansa" ngadalë po aterronte në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Aeroportet më tmerronin, ma futnin frikën në asht, por njëkohësisht edhe po më fascinonin. Me mijëra njerëz të zhurmshëm, të cilët po shkojnë diku dhe gjithmonë të tjerë që vinin. Mijëra jetë të ndryshme, nga ato të mërzitshme, nga ato me katalog e deri tek ato jetë me të cilat mund të xhirosh mijëra e mijëra filma. Por, të gjithë ishin diku në atë zonën e hirtë, në mes. Më fascinonte kjo jeta në mes. Unë po prisja çantat e mua nuk po më priste askush. Askush nuk e dinte se po vija. Isha e huaj në vendin tim. Vazhdova ashtu, duke menduar se nuk e meritoj një pritje. Banesa ishte e pastër dhe e rregulluar, por pastruesja nuk ia kishte dalë ta largojë atë që kjo banesë mbante në vete.

Më dukej thuajse është ngulitur në mure dhe se përsëri diku nga muret po e ndiej aromën e parfumit të mashkullit, aromën e këmishëve të tij. Po mendoja se si Meti me siguri tash e një kohë të gjatë nuk e ka këtë aromë apo ndoshta ngjashëm lëshon aromën për një femër tjetër, ndonjë femër që nuk do ta braktiste. Një femër që gjithmonë do ta zgjidhte atë. Por, meqenëse kishte kaluar kohë e gjatë që unë kam shkuar edhe unë disi isha e njëjta. Pas kafesë së mëngjesit, Prishtina mu duk më e afërt, më e njohur për mua, sikurse edhe vetë qyteti po kujtonte hapat e mi në rrugë dhe përzëri po m'i zbulonte fshehtësitë e mia të vogla, duke më treguar se ende nuk më kishte harruar. Krejt rastësisht, duke kaluar nga posta e madhe në kërkim të pagesës së faturave të mbetura, mora dhe po lexoja disa revista. Disa në titulli "Dashuri në shikim të parë" më nxiti një mundim, të cilën dëshiroja ta injoroja. Po shikoja disa femra të bukura, plot me stil dhe elegancë. Që nga momenti kur kam shkuar, kam provuar të pyes për Metin. E dija për të gjitha që i kishin ndodhur, së paku ato që thoshin të tjerët, përderisa e dija se më ai nuk ishte pjesë e jetës sime. Pas një kalimi të gjatë në perëndim, më duhej t'ia pranoja se sa shumë kisha frikë nga vetja ime, sa shumë kisha frikë nga Kosova dhe sa shumë kisha frikë nga Prishtina, e po ashtu sa shumë kisha frikë nga Meti. Në kokën time po silleshin lloje të ndryshme skenarësh dhe kurrsesi se nuk mund të arrija në përfundim se prej nga dhe çka kam frikë. A kisha frikë se mos e takoja dhe ta kuptoj se nuk ka asnjë kuptim më për mua, që të pranoj faktin se nuk jam në gjendje ta dashuroj dikë tjetër, pos vetes sime, e as Metin. Ose kisha frikë se ende e dashuroj, se punën në Prishtinë e kam pranuar për ta takuar sërish. Nuk e dija se çfarë do të ishte më shumë e dhimbshme.

Derisa po e shikoja revistën, po e pyesja veten nëse Meti e di se do të punoj në kompaninë e tij. Duhej ta dinte, por përsëri do të dëshiroja ta kuptoj se çfarë i kalon nëpër kokë, nëse edhe atë sikurse edhe mua e ka kapluar frika apo për të është bërë tashmë gjithçka njëjtë. E hëna po afrohej me shpejtësinë e dritës, e unë doja ta injoroja sepse kisha një tremë, një frikë. Kohën e kalova duke pirë kafe me Donën, njërën nga shoqet e mia, e cila me vite të tëra jeton në Prishtinë. /vijon/

(Kosova Sot Online)