Ngjarje e vërtetë: Skena e përsosur (3)

  • 27 May 2020 - 15:26
Ngjarje e vërtetë: Skena e përsosur (3)

Derisa po kthehesha ka dëgjuar se si po fliste me të vogël - uuu... ta haj dreqi. Ema! - me të madhe po qeshte shoqja ime Ariana, derisa me taka të larta po vraponte në drejtimin tim dhe po buzëqeshte nga gëzimi. Sa hap e mbyll sytë ajo më përqafoi dhe më ngufati me aromën e parfumit të saj, para se unë të mund t'ia ktheja përshëndetjen dhe buzëqeshjen. Midis flokëve të saj, që ishin me të vërtetë flokët brune të përsosura, po vëreja se ishte një njeri, por mjaftonte edhe një fije e flokut të tij që unë ta dalloja se kush ishte. Ariana u përshëndet me Donën e unë u gjenda sy më sy me Metin. - Ema, ku ishte ti gjithë këto vite? - ashtu i buzëqeshur më pyeti duke i hapur duart që ta përqafoj. Sa shumë do të dëshiroja që t'i hidhesha në përqafim, e të qëndroja aty përgjithmonë, e që kurrë më në jetën time të mos e flas as edhe një fjalë të vetme. Vetëm të rri ashtu e përqafuar, me sy të mbyllur, duke i marrë aromë këmishës së tij, lëkurës, flokëve.

Ekzistonte një vijë e hollë që më ndante nga kjo që ta ndjej prekjen dhe frymën e tij në kraharorin tim. Por, nuk kalova këtë linjë. Një buzëqeshje aq e sinqertë me të cilën ata më pritën disi më dhimbset aq shumë sa që nuk mundja të merrja frymë. Në mënyrën më të sjellshme jam përshëndetur me ta, përmes një komunikimi tepër të vogël dhe Dona, me mençurinë e saj, më nxori nga kjo situatë duke thënë se po nxitojmë. Ariana po thërriste pas meje, shihemi të hënën, u ktheva ashtu e shikova dhe u largova. E hëna me shi, e zymtë dhe e rëndë, një tollovi tipike klasike për Prishtinën u shndërrua në kaos të vërtetë. Taksisti po fyente të gjithë shoferët përreth vetes së tij, derisa unë me sy mbyllur aty në karrigen e pasme po provoja ta bëja një sy gjumë. Në kokë po më rrinte zëri i Metit dhe pothuajse po i shikoja ata sytë e tij të rrumbullakët se si po e thërrisnin emrin tim. Njerëzit zakonisht parapëlqenin të më thërrisnin Ema ose Era, por Meti kishte dëshirë të më thërriste në emrin e plotë, Ermira. Emrin tim po e thoshte disi në mënyrë të veçantë, pothuajse është një ëmbëlsirë tepër e ëmbël që është vetëm e tij dhe e askujt tjetër. Emrin tim ma thoshte disa herë në ditë sa që edhe unë fillova ta pëlqeja emrin tim. Ndoshta që atëherë emri im mu duk si emër i një Perëndie të bukurisë. Si e vogël pëlqeja të quhesha si edhe të gjithë fëmijët e tjerë, të kem një emër normal shkaku i të cilit nuk do të më ngucnin, por i ati im gjeti një kompromis dhe më thërriste Ema. Pothuajse ishte dje kjo punë, më kujtohet ajo ditë me shi, ditë e premte, para katër viteve kur edhe shkova në teatër për të parën herë.

Një producent më drejtoi te dikush që merrej me punën time, me bërjen e emisioneve. Si një porsa e diplomuar, mendoja se do të kem vendin e duhur në teatër apo film. Kur e mora ftesën nga agjenti, dhe më kishte shpjeguar se bëhej fjalë për një projekt të ri, i cili do të ishte emision i fortë, e pranoj se isha nga pak skeptike. Në fakt, puna ime ishte ta dizajnoj skenën multimediale dhe kostumet. Emisioni në fillim mu duk si një replikë e emisioneve argëtuese nga fëmijëria ime, kushtuar folklorit dhe humorit primitiv. Mirëpo, në teatër po dëshironin që ta krijonin një emision, së bashku me televizion, që shikuesin kosovar do ta kënaqte me program të pasur, që ta shikojnë televizorin, por edhe të shkojnë në teatër. Ideja mu duk shumë pak reale, e as vetë nuk e di pse, por ja që e pranova sfidën dhe të nesërmen po bëhesha gati. /vijon/

(Kosova Sot Online)