Ngjarje e vërtetë: Skena e përsosur (6)

  • 30 maj 2020 - 15:28
Ngjarje e vërtetë: Skena e përsosur (6)

Ermira, unë ty të kuptoj. Por ja, përsëri je kthyer. Më në fund gjithçka ishte normale dhe përsëri ishte ai Meti i vjetër dhe ti erdhe dhe shkatërrove gjithçka. Pse? Që të mund të zhdukesh përsëri, kur të jepet një mundësi më e mirë? - Jetmir, nuk dua të grindem, sidomos me ty dhe jo për Metin. Kam ardhur këtu, sepse e kam lënë një tregim përgjysmë, jam kthyer t'i përmirësoj gabimet e mia, nëse ka mbetur diçka për t'u përmirësuar. Meti është me Arianën dhe jam e vetëdijshme për këtë. Ajo që ka ndodhur mbrëmë është pasojë e së kaluarës dhe alkoolit të tepërt. Nëse mendon se duhet të shkoj unë do të shkoj.

Edhe pse nuk më beson, Meti është personi i vetëm, për të cilin jam në gjendje të sakrifikoj dhe nëse ka nevojë që tani po shkoj dhe kurrë më nuk do të kthehem. - Me të vërtetë do të shkoje - më pyeti ashtu i habitur. - Në këtë moment - i thashë. - Ema, unë ty të dashuroj shumë. Por, ai është shoku im më i mirë - u qetësua ngadalë. - E di, ia thashë e turpëruar. - E di që e di. E di që je person i mirë. Ema, të lutem, pa marrë parasysh se çfarë ndodh tani, mos e prish - më tha dhe më përqafoi. Derisa po shkoja në banesë po mendoja për të gjitha këto, për fajin tim. Për Jetmirin, humoristin e dashur, në çfarë e kam futur unë. E unë, unë isha krejt e vetme, duke luajtur negativin kryesor në film , regjinë e të cilit e kam krijuar vetë. Të nesërmen kur shkuam në teatër të gjithë shkuan. - Mbetëm vetëm unë dhe Meti - unë po qeshja me ironi derisa Meti po e përsëriste tekstin. Pas pak dola nga aty dhe shkova në banesë, po mendoja e po mendoja.

Më në fund vendosa. Lashë një porosi në banesën e Metit, vrapova në taksi, i cili më dërgoi deri në aeroport. Vendosa t'i mbylli dyert e kështjellës sime, vendosa të jetoj me kujtime dhe krejt ajo që e dua do të mbetet në Prishtinë. Po mendoja se kështu ishte më mirë, se nuk i takoj Prishtinës, se nga kjo botë që po largohem meriton më mirë. Po qëndroja prapa vendimit tim, e dija se nuk do ta kem lehtë, por nuk e mendoja se do të dhembte kaq shumë. Më jepej përshtypja se nuk jam krijuar të dashuroj dhe të më dashurojnë, por për diçka më të keqe. Po shikoja se si dielli ngadalë po ngrihej lart. Për një moment vetja më dukej si fëmijë, plot sfida. Kur u vendosa jashtë Prishtinës, telefoni po binte dhe ishte Jetmiri, i cili më lajmëroi se ai dhe Meti një të premte do ta festojnë ditëlindjen, dhe se jam e ftuar. Ju falënderova për ftesën,e mbylla telefonin dhe më erdhën shumë mendime nëpër kokë, çfarë të bëj, të shkoj apo të mos shkoj? - Të shkoja në të njëjtën Prishtinë, tek i njëjti Met, që e dashuroja shumë. Kur më në fund vendosa të shkoja, u futa drejt në lokalin ku edhe do të festohej ditëlindja.

Kur shkova aty, e pashë Jetmirin me një vajzë të bukur, të gjatë. Shkova ngadalë ta përshëndetja, ndërsa që vajza u tremb nga unë dhe iku duke mëshiruar me ironi. - Ku është Meti - e pyeta ashtu si në rezervë? - Nuk e kam idenë, porsa erdha dhe unë. Nuk e kam parë tash e tri orë, duket së po më shmang, më tha me shaka. Nuk po mundem ta gjej tash e sa kohë, do të ishte mirë sikur të ishte këtu, sepse njerëzit po pyesin ku është Meti, sepse që të dy e kemi ditëlindjen. Shpresoj se do të vjen - më tha duke ulur krahët. Vajti ora gjysmë në tre, e Meti ende nuk erdhi, ndërsa Jetmiri ishte bërë nervoz për mosprezencën e tij, përderisa edhe unë mezi po prisja ta shihja. Për një moment e mendova se ku mund të ishte, por kjo ide m'u duk e pamundur. Ai mund të ishte në kulm të ndërtesës dhe u nisa për në kulm, kulmin tonë. Hapa derën dhe e kuptova se nuk ishte askush, por kur shikova më mirë, ja Meti, e kishte ndezur një cigare. I tërë trupi m'u rrëqeth, e shikoja dhe më vërejti. U ngrit në këmbë. Fytyra iu zbeh, ndërsa mua më dridheshin këmbët.

Nuk u përmbajtëm dot, vrapuam drejt njëritjetrit. U përqafuam fort, u puthëm fort dhe e shtrënguam njeri-tjetrin fort. Lotët filluan të dalin nga sytë tanë dhe na u bashkonin përmes buzëve. Kjo ishte hera e fundit që jemi të ndarë, i thamë njëri-tjetrit. U përqafuam aq fort, dhe i thashë, unë jam dhurata jote për ditëlindje, ndërsa ai më përqafoi fort duke me thënë se një dhuratë si kjo, nuk do ta lejojë të largohet kurrë nga zemra e tij. Box: Të shkoja në të njëjtën Prishtinë, tek i njëjti Met, që e dashuroja shumë. Kur më në fund vendosa të shkoja, u futa drejt në lokalin ku edhe do të festohej ditëlindja. FUND

(Kosova Sot Online)