Ngjarje e vërtetë: Kujtimi (1)

  • 04 qershor 2020 - 15:30
Ngjarje e vërtetë: Kujtimi (1)

Mundohem të të harroj, çdo ditë mundohem që të mos mendoj për ty, por... pa sukses. Nuk shkon. Është vështirë të mos kujtohen sytë e kaltër, sytë të cilët më kishin shikuar me aq dashuri dhe dëshirë. Si t'i harroj duart të cilat më kishin ngritur aq lart, buzët të cilat më kishin puthur me aq butësi. Thjesht, unë këtë nuk di apo nuk mund ta bëj, por kur më shumë shikoj në shpirtin tim, ndoshta as që dua ta bëj një gjë të tillë. Gjithçka kishte filluar në pranverën e hershme të vitit të kaluar, rastësisht. Supozoj se të gjitha dashuritë ashtu fillojnë, bile edhe ato më të mëdhatë... krejt rastësisht. Unë isha në një lidhje të gjatë me një person, i cili as prej së largu nuk i ngjante llojit të mashkullit me të cilin dua të jem. Por, mosha dhe shprehitë me gjasë e bëjnë të veten dhe unë disi isha pajtuar me të, isha pajtuar me atë që kisha. E kishim caktuar edhe dasmën, më 10 gusht të vitit të kaluar... pse? Paj, një gjë e tillë me gjasë edhe pritej nga ne, nuk kishim ku të shkonim më. Nuk mund ta vazhdonim më një lidhje e cila nuk çonte askund. Ishin dy mundësi, ose të ndaheshim, ose të martoheshim, e më pas, si ta shkruante Zoti. Dhe, ashtu sikur që thashë, kur shpreson më së paku, ndodh diçka apo dikush...

Në momentet e mërzisë, duke shëtitur në sajte të ndryshme në internet, kisha filluar bisedën me një mashkull. Pa obligime, pa stres... thjesht sa për ta kaluar kohën. Ai ishte pesë vjet më i madh se unë, i shkurorëzuar, kishte një djalë 13-vjeçar, i cili jetonte me të. Disi ishte i zemëruar me racën e femrave. Vërehej se femrat i shikonte vetëm si objekt seksual. Kërkonte kënaqësi momentale, diçka shpejt e shkurt. Diçka pa obligime. Jetonte në një qytet rreth 50 km larg vendit ku jetoja unë, as tepër afër, e as tepër larg, nëse dëshiron diçka më shumë. Pas nja dhjetë ditësh të bisedave tona të shpeshta, unë mora guximin që ta pyesja a kishte "Skype" dhe kamerë. Doja që, përfundimisht, ta shihja. Pranoi menjëherë. Atëherë edhe u pamë për herë të parë. Kurrë nuk do ta harroj befasinë në fytyrën e tij pasi që më pa për herë të parë. Sikur të më kishte paramenduar ndryshe. Mua më pëlqeu. Nuk ishte aq i bukur, por... mashkull në plot kuptimin e fjalës. I fortë, i madh, markant, tërë atë që preferoja te një mashkull.

Prej atëherë filloi edhe shoqërimi ynë i vazhdueshëm, por tani nuk kufizoheshim vetëm në bisedë, por mundeshim edhe ta shihnim njëri-tjetrin. Paradite punonim, e pas orës 15:00 e kalonim ditën në "Skype". Më pas erdhën edhe netët... më luti që edhe derisa të flinim të mos i fikim kamerat, sepse ashtu mund të më shikonte derisa flija. Pasi që kuptova se ishte i dashuruar marrëzisht në mua, respektivisht pasi që vetë ma pranoi një gjë të tillë, i tregova se do të martohesha. Ai e dinte se unë kisha të dashur, por këtë punën e martesës nuk e kishte marrë me mend. Më tha se i duhej të largohej. Më pas nuk u bë i gjallë gjatë tërë ditës. Më pas më erdhi mesazhi në telefon që ta kyçka kamerën. Ai ishte duke qarë... ndihej keq. Por, më tha se do të vazhdonte të ishte me mua edhe pasi që të martohesha, nëse unë do ta doja një gjë të tillë. Nuk do të lejonte që të më humbte. Atëherë fillova edhe unë ta doja atë dhe pashë sa vështirë ishte. Nga njëra anë vazhdoj të jem me personin me të cilin duhet të martohem dhe e di se nuk kam fuqi t'i shkatërroj të gjitha këto plane. E, në anën tjetër, dikush përfundimisht më jep vullnet të jetoj dhe të marr frymë. Mund të rrija me orë të tëra duke biseduar me të... mundeshim edhe vetëm të rrinim duke e shikuar njëri-tjetrin. Sa ndjenjë e mirë është kur në sytë e dikujt sheh aq shumë dashuri, dashuri jo egoiste, të tillë si ma ofronte ai mua. Ja edhe tani kur i mbyll sytë, e shoh fytyrën tënde, Driton. Shikimin tënd të kaltër, si qielli, sytë plot dashuri. Ndjej dhembje, Driton, jam qyqare, këtë e di edhe ti. Nuk desha, apo më mirë, nuk guxova ta shkëpusja diçka që nuk kishte shumë vlerë. Por, e sakrifikova dashurinë tonë, e bashkë me të edhe ty. Këtë tani nuk do ta harroj kurrë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)