Ngjarje e vërtetë: Kujtimi (2)

  • 05 June 2020 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Kujtimi (2)

Fillove të vish në qytetin tim. Për herë të parë erdhe në maj, kurrë nuk do ta harroj atë mbrëmje. Dridhesha si kurrë më parë derisa rrija në veturën tënde. Nuk mund të isha indiferente, e pashë se as ti nuk mundje. Puthja jonë e parë... a ka diçka që mund ta ndryshojë një gjë të tillë? Nuk ka. E di tani dhe e dija edhe atëherë. Sa mundet një mashkull ta shfaqë dashurinë e tij me anë të puthjeve dhe prekjeve, këtë e kuptova atëherë. Sa butësi mundet një njeri të fshehë në vetvete, këtë nuk e kisha ditur. Ti ma tregove këtë. ti, në fakt, më tregove shumëçka, më mësove shumë gjëra. Të jam falënderuese për çdo ditë të lume, çdo orë dhe çdo minutë që ma ke dhuruar. Të falënderoj që më tregove se çka dmth ta duash dikë, çka d.m.th. ta japësh veten për hir të dashurisë. Unë dhe ti dinim të ëndërronim shpesh. Doje ta kishim një vajzë, e cila do të quhej Drenusha.

Më thoshe se kjo ishte ëndrra më e madhe dhe dëshira më e madhe në jetën tënde. Që të na kesh neve të dyjave afër teje. Unë jetoja në ëndrrat e tua, por realiteti ishte diçka krejtësisht tjetër. Ditët kalonin aq shpejt. Sikur të mund ta ndalja kohën sado pak... por, jo. Ishe afër meje, e dije çdo mendim timin. Atë ditë të vështirë e ndave me mua, lotët e mi i ndava me ty. Qamë së bashku. Pashë se më lije të vendosja vetë, por pashë edhe se ti e dije se cili do të ishte vendimi im. Më kishe thënë milionë herë se do të ishe aty për mua. Por, në fund nuk ndodhi kështu. Nuk të fajësoj, si do të mund të të fajësoja, prandaj u përcaktova për rutinë, e jo për dashuri. Unë hoqa dorë nga ti. Unë fillova të sillesha ftohtë me ty, por me vetëdije kurrë nuk do ta bëja një gjë të tillë. sikur doja të më urreje, të pushoje së luftuari për ne. Nuk të lajmërohesha më, të përgjigjesha në porosi. Kur kyçesha në "Skype", nuk qëndroja thuajse as një minutë.

Shikoja sytë e tu plot dhembje dhe heshtja. Dhembja të shihej në sy, kurse unë e kisha dhembjen në zemër dhe shpirt. Me mijëra herë doja të të thosha: "Hajde, më merr. Nuk mërzitem për asgjë, ti je fati im, lumturia ime. Vetëm me ty jeta ime është komplete …", por jo, nuk e hapja gojën. Për herë të parë u pamë më 27 korrik, dy javë para dasmës sime. Atëherë edhe hoqe dorë nga unë. Më the se secili prej nesh duhet të shkonim rrugës tonë. Thua se nuk më dua, por dashurinë ta shoh në sy. Këtë kurrë nuk ke mundur ta fshehësh nga unë. Më thua se, megjithatë, nuk jemi për njëritjetrin dhe se duhet të martohem. Por, derisa mi thua këto fjalë, shikimin e fsheh. Atëherë të dëgjova. U largova nga ti, duke ndjekur rrugën time. U nisa rrugës sime, ashtu si më the. Por, një gjë e di. Nuk të kam harruar dhe as që do të të harroj për një kohë të gjatë. Rreth teje nuk di asgjë më shumë sesa që mora vesh për atë ditë të vetme. As që mora guximin të pyesja. Mesazhin kurrë nuk ta dërgova. Po ashtu, kurrë më nuk hyra në "Skype". Mundohem të jem grua e mirë për burrin tim dhe, më duket se jam duke ia dalë kësaj. Dhe, nesër do të mundohem të jem nënë e mirë për fëmijën tim. Pas gjashtë muajve do të bëhem nënë. Në shpirt e ndjej se kjo do të jetë vajzë. Por, ajo nuk do të jetë Drenusha jonë. Ne iu përkasim ca kohëve të kaluara, të cilat i kujtoj shpesh. Sidomos këtyre ditëve, meqë vitin e kaluar, përafërsisht në këtë kohë, dashuria jonë vlonte. Zemrat tona i ishin hapur njëra-tjetrës. Atëherë unë isha dashuruar në sytë e tu të kaltër, e ti në sytë e mi të gjelbër. E di se nuk më ke harruar dhe, më vjen keq për gjithçka. Dua që ti të jesh sërish i lumtur. Të duash përsëri. Përsëri të fillosh të ëndërrosh, por tani me dikë tjetër. E ke merituar këtë. Unë më nuk kam rëndësi. Mos u shqetëso nëse, herë pas here, nga sytë e mi del ndonjë lot. Mos u mërzit! Ti e ke shpirtin e pastër dhe të sinqertë. Dashuria jote ishte e pastër dhe e sinqertë. Dhe, të jam falënderuese për të. Fund

(Kosova Sot Online)