Ngjarje e vërtetë: Zemra e hidhur (2)

  • 07 June 2020 - 15:56
Ngjarje e vërtetë: Zemra e hidhur (2)

- Hana, ti je si e bërë për mua - më tha me një ton plot epsh. Çka mund të bëja tjetër, pos të përgjigjesha në lajkat e tij. Ky ishte reagimi i vetëm i natyrshëm. Joni ishte mishërimi i tërë asaj që vetëm mund të ëndërroja: i bukur, tip atletik. Sikur të donte, mund ta bënte për vete secilën femër. E, nuk do t'i duhej shumë kohë që atë femër edhe ta çmendte. Nga të gjitha ato femra, ai u përcaktua vetëm për mua. Nuk mund të besoja se kjo ishte e vërtetë. Për më pak se një muaj, unë u dashurova marrëzisht. Prekja e duarve të tij, butësia dhe shija e puthjeve të tij, ma larguan shqetësimin që kisha, duke ma bërë zemrën që të më rrihte më shumë se ndonjëherë më parë. Doja të bëhesha e dashura e tij.

Derisa isha në punë, koha kalonte ngadalë dhe dukej se duhej të kalonte një jetë e tërë për ta parë sërish. E prisja me padurim që përsëri t'ia shihja sytë që më shikonin me afsh, duke ma bërë të ditur se sa shumë më donte. - Hana, a dëshiron që të zhvendosesh te unë?, më pyeti me drojë. - Hana, ti je si e bërë për mua! Këtë e ndjeva sapo të pash për herë të parë. Derisa fliste Joni, unë tanimë e kisha të gatshme përgjigjen. Zemra ime donte të njëjtën gjë sikur edhe ajo e tija. Të isha me Jonin gjatë tërë kohës, të jetonim së bashku, do të ishte mrekullia vetë. Dhe, kështu shkova për të jetuar në banesën e tij.

Dy muaj të jetës së përbashkët ishin momentet më të mira në jetën time. Përkujdesja për Jonin, ndarja midis nesh e të mirës dhe të keqes, dashuria. Pas rreth dy muajsh, u infektova me një virus. Më duhej të rrija në shtëpi. Mjeku m'i përshkroi disa ilaçe, të cilat në fillim mu duk sikur nuk më ndihmonin. Isha e dobët, e sfilitur dhe nuk mund të bëja as punët më të thjeshta. Edhe përgatitja e ushqimit më lodhte. Pasi që i kryeja ato pak punë që kisha, më duhej të bija dhe të flija. Isha si e mjerë. Kur Joni kthehej në shtëpi, mundohesha që të isha më gazmore. Bile, rregullohesha apostafat për ardhjen e tij. Qetësia, afërsia e tij, si dhe butësia, ishin gjërat e vetme për çka kisha nevojë. Shumë shpejt do të më kalojë dhe sërish do të kalojmë mirë, sikur më parë. Pa marrë parasysh që zemra ime i takonte atij, kështu e sëmurë nuk mund t'iu dorëzohesha kënaqësive të dashurisë.

Gjendja ime shëndetësore filloi të përmirësohej ngadalë, por, fatkeqësisht, tepër vonë. Një natë, Joni nuk u kthye në shtëpi. Rrija e shtrirë në errësirë, duke dëgjuar të rrahurat shqetësuese të zemrës. Shqetësimi në zemrën time vinte duke u bërë gjithnjë e më i madh, më kot mundohesha ta largoja atë. Zemra ma thoshte se ai ishte me një femër tjetër. Përfundimisht më kishte marrë gjumi, me sytë plot lot nga dhembja dhe mërzia. Ai u kthye në mëngjes, në mënyrë që të vishej për zyrë. Dëgjova çelësin duke u sjellë në derë, kërceva nga shtrati dhe vrapova kah ai. Më kot dëshiroja që dyshimet e mia të ishin të pabaza. Kërkoja shikimin e tij plot dashuri dhe shqetësim për mua. Doja ta dëgjoja një arsye të sinqertë dhe të vërtetë për arsyen e mungesës së tij. vendosa që t'ia falja nëse do të shihja se ai ishte turpëruar nga dobësia e tij momentale dhe nëse më donte sërish.

Më shikonte drejt në sy. E di se kisha sytë e rrethuar me të zezë, për shkak të natës pa gjumë, dhe se sytë me gjasë i kisha të kuq nga vaji. Në vetvete vloja, kurse atij tentova t'i buzëqeshja. E kapa për dore. Doja që ai të më ledhatonte. - Jon, kam nevojë për ty... Fytyra e tij ishte pa shprehje. As që më preku, nëse përjashtoheshin prekjet e rastësishme derisa kalonte andej, për t'u ndërruar në dhomën e gjumit. - Nuk kam kohë për kafjall. Tanimë jam duke u vonuar për në punë. Do të marr diçka me vete. Sonte nuk do të vij në shtëpi. Sikur të më godiste me kamxhik. Vrapova në dhomën e gjumit dhe e kapa për dore, e dëshpëruar sa s'ka më. (vijon)

(Kosova Sot Online)