Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (13)

  • E.K /
  • 04 July 2020 - 13:33
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (13)

- Mos u tall, Redon. Më thuaj se ende je kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës në Kanalin 10? - Po, me të vetmin përmirësim se, në ndërkohë, jam bërë edhe pronar i tij. Ortaku im i dikurshëm ma ka shitur pjesën e tij, pasi që kishte vendosur të shpërngulej në SHBA. - Fatkeqësisht, nuk kam shumë kohë që ta shikoj TV-në, kështu që nuk mund të them asgjë rreth kualitetit të programit të cilin e emiton kanali yt. - Jam i kënaqur me rejtingun.

Shpresoj se edhe ty të shkon mirë puna me fabrikën tënde? - Mund të jetë edhe më mirë, por nuk më pëlqen që të ankohem. Sot është bërë vështirë të mbijetosh në treg, pa marrë parasysh se me çfarë veprimtarie merresh. - Ke të drejtë, në ditët e sotme as kualiteti nuk paraqet garanci për sukses. - Si mund të të ndihmoj, Redon? E di se nuk më ke thirrur vetëm sa për të bërë muhabet. - I kam premtuar Laurës se do të protestoj për shkak se emri i saj është njollosur në librin e gruas tënde. - Hëmmm... Këto janë gjëra në të cilat unë dhe ti nuk do të duhej të përziheshim.

Por, kur e kemi fjalën këtu, më duhet të them se Doruntina nuk e ka njollosur aspak emrin e Laurës. - Më duhet të pranoj se nuk e kam lexuar librin, e as që kam ndërmend ta bëj këtë. Vetëm, në bazë të nivelit të zemërimit të Laurës, në lidhje me atë që është shkruar në libër, kisha supozuar se bëhej fjalë për thashetheme serioze dhe... - Dashnoren tënde e ka zemëruar e vërteta, Redon! - e ndërpreu Luani. - Cila e vërtetë? - Doruntina e ka përshkruar Laurën si njërën nga manekinet më së paku të arsimuara, gjë që është e vërtetë, apo jo? Redoni heshtte, por ndihej shumë keq. "Çka mu desh të flisja", mendonte me vete, duke mos ia falur vetes që, me një ish-partner serioz ishte duke bërë një bisedë të këtillë. - Shpresoj që për ty nuk është sekret që Laura e ka kryer vetëm shkollën fillore.

- Po, po, e kam ditur këtë! - tha ai me të shpejtë, duke dashur që sa më parë ta përfundonte këtë bisedë të pakuptimtë. - Dhe po, përkundër tërë atyre udhëtimeve nëpër botë, nuk ia ka dalë që ta mësojë as edhe një gjuhë të huaj? E shtypi hundën me gishta, duke i premtuar vetes se kurrë më nuk do të bënte atë që do t'i kërkonte Laura. - Doruntina përmendi edhe faktin që Laura është manekinia më së paku e popullarizuar në mesin e kolegeve të veta. Ajo është grindavece, tekanjoze dhe arrogante. Rrallëkujt i pëlqen. E, të gjitha këto janë fakte, e jo shpikje. A pajtohesh me mua, Redon? Ai u pajtua pa thënë gjë, duke ofsharë goxha i lodhur. (vijon)

(Kosova Sot Online)