Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (19)

  • A.P /
  • 10 korrik 2020 - 15:36
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (19)

 E qortove mirë, apo jo? - Ëhë. - E, çka tha ai? - Kërkoi falje dhe, në emrin e vet më tha të të kërkoja falje - e rrejti me qëllim, duke e ditur se vetëm një përgjigjje e tillë do ta kënaqte Laurën dhe egon e saj të lënduar. - Mesa shoh, bëhet fjalë për një njeri të arsyeshëm. M'u ashtu si ma pate përshkruar njëherë. Më habit fakti që ai është martuar me Doruntinën. Ajo është një shtrigë e vërtetë! - Doruntina doli të jetë e padrejtë ndaj teje, por nuk mund të themi se është pa kualitete. E njoftova personalisht dhe, më duhet të pranoj, më la një përshtypje të mirë. - Në anën e kujt je ti, pashë Zotin?! - shpërtheu Laura papritmas. Ai tentoi ta qetësonte me shikim. - Në anën tënde, e dashur. Vetëm jam duke u munduar të jem real. - Çka mendon, a mundesh që, tash e tutje, për atë farë gruaje të mos flasësh më pozitivisht?! Të paktën derisa unë të jem e pranishme?! - Dakord! Sa më përket mua, kurrë më nuk kemi nevojë ta përmendim as Doruntinën, e burrin e saj. - Në rregull - tha ajo e kënaqur, e më pas u kthye me të shpejtë kah Redoni, duke ia dhuruar një puthje të butë në faqe. - Faleminderit që bisedove me Luanin, duke ia tërhequr vërejtjen për gjestin e pandershëm të gruas së tij. Kjo ka domethënie të madhe për mua.

- Edhe për mua ka rëndësi, kur e di se tani je shumë më e qetë. - Arritja e drejtësisë gjithmonë ndikon si me magji te njerëzit! - tha Laura e disponuar. Ajo konkludoi e kënaqur se Redoni kishte bërë një punë të madhe për të. Do të jetë kjo një mbrëmje e gjatë, e lodhshme, mendoi Redoni, duke hyrë në klubin e sapohapur, "Calipso". As vetë nuk e dinte se sa herë kishte marrë pjesë në hapjen e objekteve të llojeve të ndryshme, ku skenari ishte gjithmonë i njëjtë.

Duke u shtirur se janë më të relaksuar sesa që janë në të vërtetë, interesantë dhe elokuentë, vizitorët e ftuar i afroheshin njëri-tjetrit me ambicie të fshehura, për t'u pranuar nga të tjerët dhe ta fitonin një status të veçantë. Ata bisedonin me të zë lartë dhe qeshnin pa pasur nevojë, duke ia falë simpatitë e tyre bashkëbiseduesve të panjohur. Në fjalimet e tyre vërehej etja për t'u pranuar nga të tjerët, për t'u renditur në elitën e shoqërisë. Donin me çdo kusht që të vëreheshin, që të gjithë ta regjistronin praninë e tyre, si dhe ta lavdëronin imazhin e tyre. I vinte keq thellë në vete që Laura çmonte njerëzit e tillë. Edhe ajo ishte pjesë e tyre. Donte që të tjerët ta shihnin, që të shpërblehej me mahnitjen e të tjerëve, që të shkaktonte zili.  

(Kosova Sot Online)