Ngjarje e vërtetë: Donte ta blinte dashurinë time me para (5)

  • A.P /
  • 16 July 2020 - 15:34
Ngjarje e vërtetë: Donte ta blinte dashurinë time me para (5)

- Nuk është vështirë ta duash një të tillë. - Ky me gjasë nuk di çka të bëjë me para! Tani e kam të qartë pse ke rrogë aq të madhe - konstatova unë. - Këtë nuk ke nevojë ta thuash. Naimi nuk lejon që të flasim rreth të ardhurave. Askush në punë nuk e di sa fiton ai tjetri. Dy kolege janë përjashtuar nga puna meqë ishte marrë vesh se kishin folur rreth rrogave - ma tërhoqi vërejtjen ajo. U afruam te disa grupe njerëzish të cilët qëndronin rreth një pishine lehtësisht të ndriçuar. Rreth e rrotull pishinës kishte tryeza me gjellë dhe pije, kurse kamerierët vazhdimisht i pyesnin mysafirët se a iu mungonte ndonjë gjë. Iliriana më njoftoi me koleget e punës.

Te buzëqeshja e tyre hetova një padurim, i cili është tipik për femrat në shoqërinë e të cilave papritmas hyn ndokush më e bukur se to. Doja t'iu thosha se nuk duhej të më shikonin në atë mënyrë, meqë snobët, të cilëve me gjasë ato ua kishin vënë syrin, mua nuk më interesojnë aspak, por Iliriana më çoi në një shoqëri tjetër. Në shpinë hetova shikimet e tyre ziliqare. Mora njëfarë kokteji të gjelbër, sa për ta larguar nervozizmin që ma shkaktuan ato femra. - Më shikojnë sikur t'ua kisha marrë të gjithë meshkujt - i pëshpërita motrës. - Natyrisht që të shikojnë kur për to je konkurrenca më e madhe. Mos i kushto vëmendje asaj ligësie, më mirë shikoje pjesën mashkullore të të ftuarve. Edhe ashtu, të gjithë ata të shikojnë! - Cilin ta zgjedh, kur pak a shumë, të gjithë janë ish të dashurit e tu? - i pëshpërita motrës. - Pronari nuk është në mesin e tyre, e nuk janë as ata që rrinë me të - më tërhoqi dhe u nis në drejtim të tyre. Në atë grup burrash gjendej edhe drejtori im. U hutova kur na u ndeshën shikimet. Duhej shumë pak që të mos ia merrja vetes fytyrën duke rënë në pishinë, meqë taka më ra në ato rrjetat e çelikta. Mora në thua, por nga rrëzimi, për fat, më shpëtoi një dorë e fortë mashkulli. - Nuk kam asgjë kundër garës për mis fustanin e lagur, por do të isha xheloz në të gjitha ato shikime mashkullore. A jeni mirë? - u tall i panjohuri. - Po, faleminderit, mora në thua... - Me rëndësi është që ndiheni mirë në duart e mia - më tha. Iliriana na njoftoi, ishte ai Naimi, pronari i kompanisë së saj. Më kujtohet se atëherë mendova "ku u gjet bash ky të më shpëtonte". Atë mbrëmje biseduam shkurt, meqë në fakt as që kishte rast për shoqëri në dy. Shumë shpesh atij i afroheshin meshkuj dhe femra të ndryshme, e unë dhe motra kënaqeshim në shoqëri të ish të dashurve të saj.

Të hënën u befasova kur në zyrën time hyri portieri dhe ma solli një shportë të madhe me lule. Mendova mos ndokush e kishte plaçkitur dyqanin e luleve, meqë në atë buqetë kishte gjithçka, nga trëndafilat e deri tek orkidetë. - Kjo me siguri është gabim - thashë e hutuar. - A jeni ju Diana? - më pyeti. - Po. Më nuk më shikoi fare. E la shportën, u kthye për ta marrë edhe një të dytë, një të tretë... derisa i solli pesë shporta në zyrën time. Koleget shikonin me xhelozi buqetat me lule, e unë vetëm rrudhja supet. - Diana, të thërret njëfarë Naimi - tha me kolegia me domethënie dhe ma futi dëgjuesen e telefonit në dorë. - Mirëmëngjesi. Ta uroj një ditë të mirë - më tha me butësi. - Faleminderit. A nuk e ke tepruar paksa me lulet, a? - thashë duke buzëqeshur. - Me çfarë lulesh? - shtirej sikur nuk e dinte për çka e kisha fjalën. - Nëse është kështu, atëherë edhe unë të uroj ditë të mirë. Pashë se koleget ishin bërë tërë vesh, prandaj shumë shpejt e ndërpreva bisedën. Nuk doja që ato ta kuptonin se kush mi kishte dërguar lulet. U ngrita në këmbë dhe fillova t'i shikoja të gjitha shportat e mbeturinave. (vijon) 

(Kosova Sot Online)