Ngjarje e vërtetë: Donte ta blinte dashurinë time me para (4)

  • A.P /
  • 15 korrik 2020 - 15:19
Ngjarje e vërtetë: Donte ta blinte dashurinë time me para (4)

Nuk ishte vështirë të dihej se çka kishin ndërmend, prandaj ua parapriva. Para se ta bënin ndonjë pyetje, iu drejtova me arrogancë: - A ka diçka të paqartë këtu? Pa asnjë fjalë u kthyen te kompjuterët e tyre dhe e ulën kokën. As vetë nuk mund ta shpjegoj se çka ndjeva në atë moment. Më pëlqente vëmendja që ma përkushtonte Naimi, por në anën tjetër unë fillova të zemërohesha. Nuk më pengonte që kishte para dhe i shpenzonte ato vend e pa vend, duke më blerë lule. Më pengonte që shtirej sikur nuk kishte haber se kush m'i kishte dërguar.

Një sjellje e tillë për mua ishte e mjerë. Nëse tanimë kishte tentuar të më bënte për vete, atëherë pse tani turpërohej? Dhe, çfarë meshkujsh janë djemtë e sotshëm, nëse nuk mund t'ia thonë vajzës se iu pëlqen. I hapa e-mailat e ardhur, e me syrin tjetër përcillja atë që bënin koleget. Ishin thelluar në punë, por herë pas here hetoja ndonjë shikim të tyre. Sikur të donin të më thoshin pse luaja rolin e të rëndësishmes. E dija që Naimi do të më thërriste sërish, por nuk doja të shtyhesha me të. Fundja, unë as që kisha kërkuar që të ma bënte atë dhuratë, e as që do të lejoj që, për këtë shkak të më bezdiste ndokush. Nëse dëshiron të bisedojë me mua, atëherë le të më gjejë. Nuk kishte gjasa që të lejoja bisedat para një numri aq të madh të të pranishmëve, mendova vet me vete dhe i thash sekretares që të gjitha palëve t'iu thoshte se kisha marrë ditë të lirë. Dhe, me të vërtetë tërë ditën e dëgjoja duke thënë: "Diana sot ka marrë ditë të lirë. Nuk e di a do të vijë, thirrni më vonë". Rreth orës tre, pasi që u mërzit duke dhënë të njëjtën përgjigje, iu afrua tavolinës sime dhe pëshpëriti: - Nuk dua të të shes mend, por ky po thërret tërë ditën. Është tepër këmbëngulës. E kam të qartë që ai t'i ka dërguar lulet dhe se je duke mos dashur që t'i përgjigjesh. Por, të lutem, ma beso edhe mua. Edhe pa i dhënë atij shpjegime, kam punë deri në majë të hundës. - Më fal, nuk jam duke bërë asgjë të tillë, vetëm nuk më pëlqen mënyra sesi ai tenton të më bëjë për vete. Kur të thërret herën tjetër, jepja numrin tim të celularit dhe kështu më nuk do të të bjerë në qafë. Gjysmë ore më pas drejtori më thirri në zyrën e tij. Disi parandieja probleme, prandaj zemra filloi të më rrihte më shpejt. U zbeha dhe u ligështova e tëra kur në karrigen përballë asaj të drejtorit pashë Naimin. - Ulu, Diana. Mesa më kujtohet, tanimë je njoftuar me Naimin? - Po. - Pse atëherë nuk iu përgjigjeni thirrjeve të tij? - Meqë nuk e përziej jetën private me atë profesionale.

E me Naimin u njoftova në një ndejë, e cila nuk kishte asgjë të bënte me punën - thashë pa menduar dy herë. - Shoku mi tregoi të gjitha, por ju keni keqkuptuar. Nuk ju thërret privatisht, por për shkak të punës. E shikova Naimin, i cili më shikonte duke u shtirur si melaqe. Më vinte të pëlcisja nga inati. - A është ajo lulishte në zyrën time pjesë e punës? - pyeta me ironi. - Për këtë farë lulishten nuk di asgjë, por puna është. Me Naimin në të ardhmen do të bashkëpunoni ngushtë dhe ju lus që çdo thirrje të tij ta merrni seriozisht dhe ta pranoni! - tha drejtori, duke e vënë theksin te fjalët e fundit. Dy orë më vonë, derisa isha në shtëpi, e shtrirë në kauçin tim të preferuar duke lexuar një libër, më cingëroi telefoni. Ishte Naimi. - Nuk doja të të poshtëroja para drejtorit. Meqë nuk më përgjigjeshe në telefonata, m'u desh ta gjeja një mënyrë për të mbërritur deri te ti. Tani po shoh se kjo ka qenë gabim. Më fal! - tha ai me zë të ulët.- Për shembull, ke mundur që të mos shtireshe si i marrë kur të thashë se e kishe tepruar me lule. Dhe, pse m'i dërgove ato lule, nëse më pas kishe ndërmend të silleshe sikur nuk kishe haber rreth tyre? (vijon)

(Kosova Sot Online)