Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (39)

  • A.P /
  • 05 August 2020 - 15:40
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (39)

Ajo shprehu një entuziazëm të madh me rastin e qëndrimit të ardhshëm në vilë. Dukej se nuk ishte penduar aspak për shkak të lënies së karrierës anash. Megjithatë, Redoni i frikësohej reagimit të Laurës, kur të mbeteshin vetëm, të izoluar, të fshehur midis maleve. Përkundër tërë asaj që ajo e thoshte për veten e saj, Redoni vazhdonte që ta paramendonte Laurën si femër të varur nga komforti dhe të pasionuar pas jetës luksoze. Pasi që mbaruan udhëtimin dhe arritën deri te vila, Redoni pa se më kot ishte frikësuar nga reagimi i Laurës. Ajo ishte sinqerisht e gëzuar për shkak të rrethanave në të cilat ndodheshin. Vilën e quajti "simpatike", derisa për ambientin, i cili e magjepsi, nuk mundi të gjente ndonjë fjalë adekuate.

- Ti e ke shëtitur tërë botën - iu drejtua derisa qëndronin buzë malit, nga i cili ofrohej pamja e një peizazhi me bukuri përrallore. - Si ka mundësi që të të pëlqejë ky terren i egër dhe i vështirë? - A hajgare po bën, a? A ka gjë më të bukur sesa këto shkrepa e këto male, se këto bimë të bujshme, këto pisha dhe liqene? A i ndien aromat e barishteve të ndryshme? A e sheh se si janë përshtatur ngjyrat, se si qielli është i kaltër, i çelur? E, mbi të gjitha, Roberto... - u kthye kah ai dhe ia qiti duart në gjoks - këtu jam me ty. Kjo është ajo që e bën magjik këtë vend. Ti je magjike, deshi t'i thoshte. Ajo ishte tepër e bukur në ato momente, e bukur dhe e dashur. Donte ta përqafonte dhe puthte, në një vend ku vetëm natyra e paprekur mund të ishte dëshmi e një gjëje të tillë. Ia kapi duart e saj me të tijat, duke ia bërë me dije se sa fort ishte duke i rrahur zemra. - Redon! - tha ajo me frikë, pasi që kishte interpretuar gabimisht të rrahurat më të shpejta të zemrës së tij. - Pse nuk më tregove se nuk ndihesh mirë?! A të dhemb ndokund?! Me gjasë të lodhi kjo vozitje e gjatë! - Unë jam shumë mirë, më beso - tha ai, duke ia qitur duart mbi supe.

- Po çfarë miri, more!? Me gjasë ke aritmi! Duhet të shtrihesh dhe t'i pish ilaçet, urgjentisht! - Ja, do t'i pi... - tha Redoni duke nxjerrë nga xhepi kutinë me ilaçe, ku kishte futur bonbone të vogla. E përpiu njërin prej tyre, për ta qetësuar Laurën. - Tanimë ndihem më mirë. Ajo ishte një krizë kalimtare. - Të lus që të qëndrosh bile 30 minuta në veturë, derisa unë ta rregulloj dhomën ku do të vendosesh! Supozoj se ajo është plot pluhur, e pluhuri mund të ta dëmtojë frymëmarrjen. (vijon) 

(Kosova Sot Online)