Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (10)

  • E.K /
  • 12 September 2020 - 16:01
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (10)

Të rinjtë menjëherë nxorën paratë, i vendosën në tavolinë pa i numëruar, e më pas burri u kthye kah vardisësi i Ganës. – E ti, zotëri, të dëgjoj pse qëndrove para kësaj zonje, aty, para dere? Belbëzimi i të riut tregonte se sa shumë kishte frikë ai. – Unë... asi... ne vetëm deshëm që të bënim shaka... doja vetëm ta dija emrin e saj... – Turp të kesh! Kërkoji falje zonjës, menjëherë! Djaloshi i tha dy-tri fjalë, duke kërkuar falje, e më pas edhe vetë iku me shokët në një drejtim të panjohur. Fytyra e ashpër e “frikësuesit” të tyre u shndërrua në buzëqeshje dhe vetëm atëherë Ganja e pa se sa i bukur ishte ai në të vërtetë.

Flokët e verdha, të prera shkurt, një vath i vogël në veshin e djathtë, birat në faqe dhe kombinimi ideal i xhinsive, mbathjeve sportive dhe palltos së kaltër, linin përshtypjen e një mashkulli, i cili nuk e kishte problem t’i zinte femrat. – Kërkoj falje në emër të tyre. Janë të rinj dhe të marrë, e krahas kësaj janë edhe sportistë dhe besojnë se bota sillet rreth tyre, prandaj ndonjëherë e teprojnë duke dashur që të dëshmohen më shumë para vetes, sesa para të tjerëve. – Mirë, pak janë relaksuar, nuk është ndonjë gjë e tmerrshme. – A mund t’ju lus që ta pini një pije me mua, në shenjë të faljes? Ganja deshi instinktivisht që të pranonte, por përnjëherë te ajo foli arsyeja, ajo arsyeja më e ashpër njerëzore, i cili na mbron që të mos bëjmë ndonjë gjë që nuk ka kuptim.

 Faleminderit, por tanimë isha nisur për në hotel. – Një pije nuk do t’ju vonojë fort. – Jo, ju faleminderit. – Në rregull, ndoshta një herë tjetër. Buzëqeshi dhe u nis që sa më parë të ikte nga ajo kaltërsi e atyre syve. – Prisni, a mundem të paktën të njoftohem me ju? Është e marrë që ta ftoj një zonjë për pije, e të mos ia di as emrin. Ajo ia zgjati dorën. – Unë jam Ganja. – Më vjen mirë, unë jam Burimi. Shpresoj se do të takohemi sërish. Ajo nuk u përgjigj. Mezi priste që të dilte jashtë domenit të shikimit të tij. Zemra vazhdonte që t’i rrihte si e marrë kur arriti në dhomë. Zemra i thoshte se ajo ishte një e marrë e vërtetë për shkak se nuk pranoi thirrjen e tij për pije, derisa arsyeja i thoshte se nuk kishte kuptim të rrinte me një mashkull aq të bukur, meqë ekzistonte rreziku që të dashurohej në të.

E, pastaj, çka? Për të mendoi thuajse gjatë pjesës më të madhe të natës. Ajo arriti deri te përfundimi se ai ishte trajner i atyre djemve dhe se kishte një autoritet të madh. Kuptoi se ai ishte një xhentëlmen i madh dhe se thirrja e tij në pije ishte vetëm shprehje e edukimit, me të cilën nuk kishte dashur aspak t’i vardisej, por vetëm të ishte i kulturuar. Ishte në gjysmën e dytë të të tridhjetave, meqë në fytyrën dhe qëndrimin e tij mund të lexohej se kishte përvojë. Nuk kishte ndonjë theks të veçantë, gjë që donte të thoshte se mund të ishte edhe nga qyteti i saj. I kishte mbetur merak vetëm që nuk kishte shikuar, a kishte ai unazë. Përkundër të gjithave, Ganes iu desh që të pranonte se bukuria e tij ishte diçka me të vërtetë e veçantë dhe mbresëlënëse. I vinte keq që atë mbrëmje nuk kishte vendosur grim. (vijon)

(Kosova Sot Online)