Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (32)

  • E.K /
  • 24 October 2020 - 16:04
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (32)

Për përvjetorin e parë të martesës u shpërblye me vathë të artë dhe me një darkë në restorant. Për përvjetorin e dytë mori një thirrje nga Bullgaria, se nuk do t’ia dilte të vinte me kohë, meqë nuk kishte përfunduar bisedimet rreth ndërtimit të një hoteli të ri. Atë mbrëmje qau për fatin e saj të zi. Mendonte sesi do të ishte më mirë sikur të kishte ndenjur e vetme tërë jetën, meqë për vetmi nuk do të mund ta fajësonte askënd tjetër, pos vetes së saj. Të nesërmen në mëngjes shkoi për t’i bërë disa pagesa. Në postë ishte tollovi e madhe, por ajo ua besonte se çka hiqnin atyre grave, në anën tjetër të sportelit, kështu që nuk nervozohej, bile një zotërie më të vjetër ia lëshoi rendin, gjë që bëri që të tjerët që ishin në rend pas saj, të reagonin me nervozizëm. E, më pas, pa një fytyrë të njohur.

Diçka i lëvizi në bark, sikur ta kishin prerë me thikë. Dreni qëndronte në rend për marrjen e dërgesave. Ai nuk e pa, as nuk u kthye kah ajo. Dukej se ishte për ngut, bile edhe paksa nervoz. Ajo pa se ai ishte dobësuar, e edhe flokët e thinjura tani i ishin bërë më të dukshme. I erdhi rendi dhe me padurim priste që t’i kryente pagesat, numëroi paratë dhe vrapoi në rrugë. E kërkoi me shikim, por nuk e gjeti. E shqetësuar dhe e befasuar, u nis krejt në anën e kundërt të shtëpisë së vet. Dhe, më pas përsëri pa ato flokët e njohura, por paksa më të gjata. Dreni ecte bashkë me një grua e cila kishte një karrocë fëmijësh. Iu duk sikur iu shtang trupi. Vetëm mendimi se ai mund të ishte martuar me Miniren dhe se me të kishte një fëmijë, e bënte që të dëshironte sikur ajo të ishte në vendin e saj. Por, nuk ishte... Me një hap të shpejtë u nis në një drejtim tjetër.

KAPITULLI 32

Nga momenti që e kishte parë Drenin, ishte topitur e tëra. Gjithçka i ishte bërë njësoj. Xhelozia e brente, por më në fund u pajtua me fatin e saj të zi. Bile, në një moment, e pyeti veten se a ishte ai fat i zi pasojë e qyqarisë së saj, e frikës që të rrezikonte dhe që, në vend se për martesë, të përcaktohej edhe për disa ditë të tjera të kënaqësisë afër Drenit. Milaimi vërejti se gruaja i ishte shndërruar në njëfarë personi apatik, pa personalitet. E çoi te psikiatri, por më kot. – Gane, duhet të kthjellesh. Ti vetëm e pastron dhe rregullon shtëpinë, shikon vetëm përpara, asgjë nuk flet, e nuk i viziton as shoqet. Çka ka ndodhur? – Asgjë. – Nuk e dija se do të martohesha me dikë, e cila do të bëhej sikur një e vdekur që ecë. Ajo nuk reagoi as në këtë vërejtje, por vetëm sa u tërhoq më shumë në vetvete.

(Kosova Sot Online)