Ngjarje e vërtetë: U dashurova në të, por ai i tregoi burrit tim (6)

  • A.P /
  • 27 tetor 2020 - 15:06
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në të, por ai i tregoi burrit tim (6)

Në botën reale funksionoja si robot, të gjitha obligimet e mia edhe më tutje i kryeja pa kurrfarë problemi, por në botën e ëndrrave mendoja vetëm se si dhe ku të takoheshim në mënyrë të fshehtë. Duke qenë se burri im ishte tepër i zënë, këtë nuk e kishim shumë vështirë ta bënim. Kjo zgjati kështu deri përafërsisht në fund të verës. E, më pas, sikur u ktheva përnjëherë në realitet. - Meri, a mund të mi huazosh ca para? Disi kam mbetur pa to dhe nuk mund të kërkoj nga burri yt. Ti e di se sa tamahqar që është ai - më tha Toni në një rast, pasi që kishim bërë seks si të çmendur. - Sa të duhen? - i thashë pa u hamendur dhe ia dhashë sa i kërkoi. Pas disa ditësh, Toni më thirri në telefon, duke ma kërkuar një shumë goxha të madhe të parave, e cila i duhej gjoja për ta rregulluar veturën. Unë sapo i thashë se ai tanimë nuk mi kishte kthyer as ato paratë që ia kisha dhënë më parë, ai ma mbylli telefonin. Kjo më bëri që ta ndjeja veten aq shumë në faj, saqë e thirra vetë, i kërkova falje dhe, natyrisht, ia dhashë paratë e kërkuara.

Të gjithë ne kemi probleme herë pas here me para, mendova unë, duke e arsyetuar. Natyrisht, mund ta merrni me mend se si rrodhën më pas gjërat. Nuk ma ktheu asnjëherë asnjë qindarkë, por për të kërkuar para, nuk dinte të ndalej. Dhe, çdo kërkesë e re ishte më e madhe se ajo e vjetra. Mu desh një kohë e caktuar për ta kuptuar se ai, në fakt, ato para i konsideronte kompensim për seksin që bënim. U tmerrova pasi që kuptova se në çfarë situate kisha rënë. Ende isha marrëzisht e dashuruar në të, por gjithnjë e më shumë shihja se çfarë personi ishte ai. Nuk i interesoja unë, si femër, por si burim i të hollave, si bankomat. Dhe, që nga fillimi ai kishte qenë i tillë, por unë kisha qenë naive dhe e verbëruar nga dashuria. Kuptova se kësaj meseleje duhej t'i jepja fund njëherë e mirë. Herët a vonë, burri im do të vërente mungesën e parave dhe do të fillonte të bënte pyetje. Mund t'i thosha se kisha blerë ndonjë lule të shtrenjtë, por prapëseprapë nuk kishte lule që kushtonte aq shumë. Meqë ishte duke mbaruar sezoni, e me këtë edhe nevoja për punëtorë sezonalë, mendoja se kjo do të merrte fund vetvetiu. Ai nuk do të vinte më dhe çdo gjë do të merrte fund. Por, isha mashtruar. Ai kishte parë se sa burim i lehtë dhe i madh i parave isha, prandaj nuk donte të hiqte dorë edhe aq kollaj nga unë. Pasi që nuk e thirra dy herë me rend gjatë ditëve kur takoheshim zakonisht, më thirri ai mua.

Që më parë kisha vendosur se çka do t'i thosha, prandaj fillova menjëherë: - Më vjen keq, por kjo duhet të marrë fund. Nuk mund të takohem më me ty. Ah, sa shumë isha mashtruar kur kisha menduar se çdo gjë do të merrte fund me kaq. Ai në anën tjetër të telefonit vetëm qeshi dhe më tha: - Ti, Meri, a mendon se unë jam budalla, a? Më ke shfrytëzuar, e tani dëshiron të më hedhësh si leckë të vjetër! Jo, këtë do ta paguash. Dhe, do të paguash derisa unë të vendosi se e ke larë borxhin - më tha me cinizëm Toni. - A po më kërcënohesh, a? - Dëgjo, edhe unë mund të të pyes se a më ke shfrytëzuar seksualisht si gruaja e punëdhënësit tim? Sepse, unë jam shumë më i ri se ti, puna më duhej gjithqysh dhe nuk kisha zgjidhje tjetër. Më është dashur që ta kënaq edhe gruan e patronit. Por, çka do të thotë patroni për këtë? Çka do të thonë komshinjtë? Nuk mund të besoja se çka isha duke dëgjuar. Kisha rënë në një kurth nga i cili nuk mund të dilja tani. Athua tërë jetën do të jetoja me frikën se do ta merrte vesh burri im? Por, unë nuk kisha para të tjera për t'i dhënë atij, sepse herët a vonë, burri do ta kuptojë se nuk i kam më paratë e mia. Përnjëherë e ndjeva veten tepër të turpëruar. Çka do t'i thosha vajzës nëse do ta merrte vesh? Si do t'i shikoja fqinjët në sy? Ah, si isha kaq e marrë që i hyra kësaj pune?! (vijon)


(Kosova Sot Online)