Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (7)

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 13:04
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (7)

- Të lutem, Bedri, dua të bisedojmë. Edhe unë kam të drejtë të them... - Do të ma thuash më vonë. Por, kjo temë ka marrë fund - tha ai, duke e ndërprerë këtë temë me puthje të zjarrta. Mendova se do të mbushej mend, por me kalimin e kohës kuptova se burri im ishte një tiran i vërtetë dhe se me mua sillet mirë vetëm kur e dëgjoj me bindje në lidhje me gjithçka.

Dhe, kështu mësova se si të mos e shkaktoja zemërimin e tij. Insistonte që të shkoja dhe, me anë të operacionit, t'i lidhja vezorët, që të mos lindja fëmijë. Mezi ia largova këtë ide të çmendur. Rregullisht merrja preparate kontraceptive edhe pse, herë pas here, ata më shkaktonin edhe probleme.

Pas një viti martese, Bedriu vendosi që unë duhej ta lija punën dhe të rrija në shtëpi. U përpoqa që të kundërshtoja, por ai u zemërua dhe u bë i papërshtatshëm. Atë kohë babai im shumë shpejt e humbi shikimin për shkak të përkeqësimit të diabetit, prandaj nuk doja që ta bëja të grindej me Bedriun, e ditët edhe ashtu i kaloja me babanë, në kontrolle mjekësore.

Dhe, kështu e lashë punën dhe e dënova veten me një jetë brenda katër mureve. Ariana dhe nëna ime ishin personat e vetëm që i shihja më shpesh. Por, nënës ia mbaja sekret të gjitha problemet e mia në martesë, të cilët vetëm sa vinin e bëheshin më të rëndë.

Nuk shihja rrugëdalje nga kjo situatë në të cilën gjendesha. I frikësohesha Bedriut, e isha edhe e varur materialisht nga ai. Kalonin muajt, e më pas edhe vitet. Ndihesha si e burgosur dhe asgjë nuk kishte rëndësi që kisha blerë rrobat më të shtrenjta dhe më të bukura.

Edhe ashtu, dilja vetëm kur donte burri im. Por, edhe ato ishin raste të rralla afariste, kur atij i duhej që diku të shkonte me gruan. Mendoja për shkurorëzim, por derisa në fillim shpresoja sesi gjërat do të vinin duke u përmirësuar, më pas kisha frikë nga reagimi i tij. Sidomos kur në një rast nga daja dëgjova se i ati i tij e kishte lënë gruan, për shkak të femrave të tjera.

- Sikur të mundja, do ta vraja me duart e mia. E ka turpëruar për tërë jetën. Kur ndokush martohet një herë, kjo është për tërë jetën. Ai e turpëroi nënën njëherë e mirë. Për fat nuk e kam takuar kurrë, meqë do të pendohej rëndë - thoshte ai, duke mos zgjedhur fjalët më të këqija për të atin, i cili i kishte braktisur edhe pse, më vonë, nga nëna e tij mësova se ai nuk i kishte lënë për ndonjë femër tjetër, por për shkak të mënyrës bohemike të jetës.

Shtatzënësia ime ishte pikë kthese në martesën tonë. Me qëllim ndërpreva marrjen e preparateve kontraceptive, duke menduar se shpëtimi im i vetëm ishte lindja e një fëmije. Isha e sigurt se, duke pasur një fëmijë, do ta kisha më të lehtë që ta duroja martesën, e cila nuk më ofronte aspak kënaqësi. Mendoja sesi Bedriu do ta ndryshonte mendimin kur të merrte vesh se tanimë kisha ngelë shtatzënë, por ai vetëm sa e shfaqi fytyrën e tij të vërtetë.

- Nuk mund të besoj! Nuk pajtohem me atë që po dëgjoj! Si e ke marrë guximin? A nuk ishim marrë vesh? A nuk të kam thënë se nuk dua të kem fëmijë? - bërtiste si i marrë. - Të lutem qetësohu. Ky është edhe fëmija yt dhe... - Të qetësohem? Më ke mashtruar, më ke tradhtuar!

Do të duhej të insistoja në atë operacionin e mallkuar. Do të abortosh, edhe atë qysh sot! - Jo, nuk mundem! Kjo nuk vjen në shprehje! - fillova të kundërshtoja e tmerruar. Nuk mund të paramendoja që ai mund të më detyronte ta bëja një gjë të tillë. Ai nuk mund të më dërgonte me dhunë në spital, mendoja, e gatshme që të ballafaqohesha me zemërimin e tij, vetë, e vetëm që të mos e humbja fëmijën. (vijon)

(Kosova Sot Online)