Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (48)

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 16:24
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (48)

Për dallim nga disa email-a paraprakë, ky i fundit ngjalli një interesim te Kujtimi. "Athua çfarë elementesh reale mund të ketë kjo mesele?", filloi ta pyeste ai veten, duke mos mundur të gjente asnjë shpjegim bindës. Thjesht, ato gra shtatlarta, muskulore dhe me këmbët e trupin plot lesh, që jetonin në mal dhe që kishin vetëm një djalë, assesi nuk mund t'i perceptonte ndryshe, pos si krijesa mitologjike, apo, nëse bazohej në profesionin e tij, si shembull tipik të halucinacioneve dhe të deluzioneve të përndjekjes. Pasi që u mendua për disa qaste se si t'i përgjigjej Moshes, në fund ai vendosi që të mos shfaqte tepër entuziazëm, por ama as të mos linte përshtypjen se nuk ishte i interesuar, ngase përfundimisht pa se edhe vet kishte hyrë në këtë "tripin" e Të Martave, meqë mezi priste ta lexonte dokumentin e përkthyer. "Përshëndetje profesor! Faleminderit që më mbanë të informuar rreth kësaj pune.

Gjithsesi se do ta përshëndes drejtorin në emrin tënd. Gjitha të mirat! Kujtimi". Sapo deshi që ta mbyllte postën elektronike, pa se i erdhi një emai-l nga Albana, nga motra e tij që jetonte në Londër. U zemërua me vetveten për shkak se, sapo pa se nga kush ishte email-i, menjëherë e kaploi njëfarë frike. "Mos nëna diçka"? Mezi priste që të hapej email-i, gjë që, për shkak se interneti ishte i ngadalshëm por edhe për shkak se kishte kohë që nuk e kishte formatizuar kompjuterin, e besa edhe për shkak të padurimit për të parë se çka thoshte email-i, zgjati tepër shumë. Gjatë kësaj kohe Kujtimi filloi ta qetësonte veten duke thënë se, sikur nënës t'i kishte ndodhur diçka, me siguri Albana do të telefononte, e nuk do të shkruante email. Përfundimisht, email-i u hap. "Tung vëlla. Qysh jeni, a jeni mirë të gjithë? Sabrina? Fëmijët? Ata të Besnikut? Ne mirë jemi.

Edhe nëna mirë është, por... " Kujtimi mezi priste që ta përfundonte leximin. Pas qetësimit që i erdhi nga fjalët "nëna është mirë", kur pa se kishte edhe një "por", përsëri filloi që ta kaplonte ankthi. E dinte se shpesh, me qëllim të minimizimit të së keqes, njerëzit pjesën më të rëndësishme të informatës, atë më tronditësen, e thonë pas fjalës "por". "vetëm desha të të njoftoj se... nëna kohëve të fundit ka filluar që të falet, të bëjë namaz... Për Kujtimin kjo ishte një befasi e madhe, diçka e papritur, prandaj reagoi duke folur si në vetvete, me zë të ultë. - Të falet?! "... Me gjasë kjo nuk është asgjë për t'u shqetësuar. Por meqë, sikur e di edhe ti, nëna kurrë nuk ka shfaqur interesim për fe, thash të të njoftoj edhe ty. Me gjasë ti e di a ka arsye për shqetësim, apo jo. Beniamini vazhdimisht më thotë se ky, në fakt, është një lajm i mirë, se nuk ka arsye për shqetësim, por për gëzim. Nuk e di. Të fala! Albana". Benjamini ishte dhëndri, burri i Albanës. Familja e tij ishin shumë të dhënë pas feje. Babai i tij, i cili një kohë të gjatë kishte punuar në Gjermani, tani punonte në Bashkësinë Islame të Kosovës. Edhe vet Beniamini falej pesë herë në ditë, por disi ishte një fetar më i moderuar, meqë ishte rritur dhe shkolluar jashtë. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)