Ngjarje e vërtetë: Si e mashtrova burrin me një valltar të rastit (5)

  • E.K /
  • 14 January 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Si e mashtrova burrin me një valltar të rastit (5)

- Çka ka ndodhur? Ke pasur ditë të keqe? - më pyeti duke më puthur, pasi që pa pijen në dorën time. Zyra arkitektonike në të cilën punoja, muajve të fundit kishte rënë në një krizë financiare, prandaj ishte logjike që ai të mendonte se kisha probleme në punë. Pohova ngadalë me kokë dhe e putha butësisht. E, më pas, në kokën time papritmas lindi një mendim i ri, i tmerrshëm: çka nëse me të vërtetë jam e infektuar? A d.m.th. kjo se e kam infektuar edhe atë? Mashkullin e vetëm që e kam dashur dhe që do ta dua përjetë! Nga frika kafshova aq fort buzën e epërme, saqë e ndjeva shijen e gjakut në gojë. - E dashur, a je mirë? Hajde, të lutem, qetësohu. Tanimë të kam thënë se nuk ke pse të shqetësohesh aq shumë shkaku i punës. Kjo të dëmton shumë, shikoje veten! Edhe ai e vërente zbehjen time?

E, si duhej të isha pasi që mora vesh atë që mora vesh? Unë me gjasë isha një e vdekur që ecte. Me gjasë që të dy ne ishim të dënuar me vdekje të shpejtë! Dhe, derisa Toni më tregonte sesi kishte kaluar dita e tij në punë, unë në vetvete përsërisja një lutje të vetme: O Zot, ishalla nuk jam infektuar! Të lutem, o Zot, ishalla jam shëndosh e mirë... Gjatë ditëve të ardhshme Toni kishte një temp të tillë të punës sa që vetëm pak kohë kishim për ta kaluar bashkë.

Për këtë shkak, në fillim ai as që vërejti ndryshimet, të cilat kishin filluar të paraqiteshin te unë. Kjo ishte mirë, meqë unë kështu kisha kohë që ta analizoja shpirtin tim. Unë thjesht nuk isha vetvetja. Mendimet i kisha kaotike dhe të zeza, e trupi sikur kishte filluar të më dilte ndoresh. Papritmas fillova të kisha valë të pakëndshme të nxehtësisë, sikur të isha në klimaks, pastaj kisha sulme të panikut, të përcjella me rrahje të zemrës, e aty ishin edhe mundimet, të cilat gjatë tërë ditës më mbanin në një gjendje të vjelljes - që nga momenti kur hapja sytë, e deri kur bija në gjumë. Në fillim të gjitha këto simptoma ia përshkruaja stresit, por më pas shkova më tej, e çka sikur këto të ishin simptomat e para të sidës?

Nëse me të vërtetë isha e infektuar dhe tani sëmundja kishte filluar të manifestohej? Megjithatë, nga ajo natë e kobshme në barin stiptiz kishin kaluar më shumë se tri vjet! Natyrisht, mendimet e tilla të zeza vetëm sa e përkeqësonin gjendjen time psikike. Kështu, herë-herë digjesha nga temperatura, e cila më përzhiste si zjarr i fortë, e herëve tjera ndjeja një mundim të tillë, sa që nuk mund të dilja nga banja. Më pas, vjelljet u bënë aq të forta, saqë nuk mund të veja asgjë në gojë.

Kjo rezultoi me një humbje të shpejtë të peshës. Edhe pse është logjike që njeriu, i cili nuk ha, të humbë në peshë, unë nuk i analizoja kështu gjërat. Për mua gjërat ishin të qarta: isha e sëmurë për vdekje dhe tani isha me të vërtetë duke vdekur! E shikoja në pasqyrë fytyrën time të tharë, faqet e shterura dhe nxirjet nën sy dhe përsëri e pyesja veten për të kushedi satën herë: pse unë? A thua mëkati im ishte aq i madh, saqë e meritoja dënimin me vdekje? Përkundër të gjitha dyshimeve dhe frikës, apo ndoshta mu për shkak të tyre nuk guxoja që të shkoja te mjeku. Të paktën, jo ende. Me të vërtetë nuk do të mund të duroja sikur ta merrja edhe zyrtarisht, të shkruar, dënimin tim me vdekje, se vuaj nga ajo sëmundje e mallkuar, e quajtur sidë. E, sa i përket gjendjes psikike, ende isha në atë kufirin e hollë midis shpresës se, ndoshta, megjithatë nuk isha infektuar dhe panikut se ditët i kisha të numëruara. (vijon)

(Kosova Sot Online)