Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (54)

  • E.K /
  • 15 January 2021 - 15:51
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (54)

Marta kishte vetëm 19 vjet. Prindërit i jetonin në Janjevë, kurse ajo vet, prej se ishte punësuar në klinikë, jetonte me qira te një familje shqiptare, aty afër. Shqipen e dinte shumë mirë, por e fliste me theks, kështu që menjëherë kuptohej se nuk ishte shqiptare. Nja gjashtë muaj pasi që ia kishte filluar punës, kishin filluar që të dëgjoheshin disa thashetheme, të cilat nuk i pëlqenin aspak Martës. Thuajse të gjithë pëshpëritnin rreth lidhjes së saj me shefin e repartit. Marta nuk ishte një person që mërzitej për thashetheme.

Por, kësaj here ato e kishin shqetësuar së tepërmi. Shkaku ishte se thashethemet në fjalë... kishin një bazë të vërtetë. Shqetësohej sesi do të reagonin prindërit e saj po ta merrnin vesh se e bija e tyre, fëmija i tyre i vetëm ishte në lidhje me një shqiptar, me një shqiptar të martuar. Ata ëndërronin një të ardhme krejt tjetër për të. Që nga fëmijëria, i ati i thoshte se të ardhmen e saj e paramendonte në atdhe, në Kroaci.

Ai e donte shumë Janjevën, sepse aty kishte lindur, por për vajzën, për Martën e tij të vockël, ai donte një të ardhme shumë më të mirë sesa që mund ta kishte një vajzë kroate në një qytezë të vogël të Kosovës, sikur që ishte Janjeva. Naive dhe e re si ishte, kishte rënë marrëzisht në dashuri. Shefin e repartit, sapo e kishte parë, menjëherë e kishte pëlqyer. Ishte një burrë i gjatë, me mustaqe, me pamje serioze, me zë të trashë dhe të vendosur. Tamam një burrë sikur që e kishte ëndërruar gjithmonë ajo.

Ishte po ashtu shumë i zoti në profesion. Nga dashuria e madhe që ndjente ndaj tij, Marta e injoronte faktin që doktori, duke qenë në lidhje me të, në fakt tradhtonte gruan. Se ai, si burrë i martuar, duke qenë me të, në fakt nuk ishte një dashnor ideal, sikur që e përjetonte ajo, por ishte një burrë tradhtar. Ndoshta në ndërdije ishte e sigurt se lidhja e tyre për doktorin ishte vetëm një aventurë, por këtë nuk donte t'ia pranonte vetvetes.

Preferonte që të jetonte në ëndrra. Tani, pas aq shumë viteve, për doktorin kishte një ndjenjë të përzier, të dashurisë dhe urrejtjes. Ndonjëherë donte ta harronte plotësisht, bile edhe të humbte të gjitha fotot e tij, por ishte djali, Denisi, i cili me ngjashmërinë e madhe me të atin, nuk e linte që ta harronte atë që ia kishte shkrumbuar zemrën - Dr. Hasanin. Diçka nga brenda i thoshte se kishte ardhur momenti i fundit për t'i treguar Denisit se i biri i kujt ishte. Se nuk ishte i biri i vetëm i saj dhe Zoranit, sikur që mendonte ai, por se, në fakt, ishte gjysmë shqiptar.

Tmerrohej nga mundësia që Denisi ta merrte vesh këtë të vërtetë nga ndokush tjetër, sidomos nga Zorani. Në fakt, duke marrë parasysh inteligjencën e të birit, ajo shpesh çuditej sesi ai nuk kishte kuptuar se nuk ishte i biri i Zoranit, si nuk kishte dëgjuar askënd të fliste. I dukej e pamundur që gjatë tërë jetës së tij, i biri, i cili tani ishte burrë i martuar, me fëmijë, të mos kishte dëgjuar askënd të fliste në këtë temë, sepse njerëzit zakonisht flasin, merren me punët e të tjerëve. Ishte e vërtetë se, për të mos ndodhur kjo, Marta e kishte lënë me gjysmë zemre Janjevën e saj të dashur, kishte lënë prapa prindërit e saj, kishte lënë punën e ishte zhvendosur në Serbi, që të jetonte me Zoranin.   

(Kosova Sot Online)