Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (74)

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 09:13
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (74)

- Shiko, Kujtim! Nuk është se di shumëçka për periudhën osmane, por di për mentalitetin e çifutëve të asaj kohe. E, mos harro se autori i këtij dokumenti ishte një çifut, një donmeh. Është e vërtetë se në dokument lihet të kuptohet se e Martja e vrarë ishte varrosur në oborrin e Xhamisë së Çarshisë. Por, kjo ka qenë mënyra më e mirë që të gjithë, të them ashtu, laikët e kësaj çështjeje, të pengoheshin nga gjetja e varrit të vërtetë të së Martës.

Pasi që ata do ta gjenin varrin e punëtorit të shkretë, i cili vdiq gjatë ndërtimit të xhamisë, e që gjendet në oborrin e Xhamisë së Çarshisë, shumica e njerëzve do të mendonin se kjo meseleja e së Martës të vrarë qenka rrenë dhe do të hiqnin dorë nga kërkimi i mëtejmë. Vetëm ata më të pasionuarit dhe më mendjemprehtit do të mendonin dhe do të vinin në përfundim se e Martja e vrarë ka mundur të varroset edhe në oborrin e Xhamisë së Madhe. Kujtimit i dukeshin me vend fjalët që ia thoshte profesori, por ai nuk e dinte se befasinë më të madhe ende nuk e kishte dëgjuar.

- Kjo që thua, profesor, ka logjikë... - Faleminderit... Ishte e qartë se Moshe u ndie mirë nga kjo që i tha Kujtimi. - Po, po... Derisa te Xhamia e Çarshisë kemi simbolin mysliman dhe çifut, te Xhamia e Madhe kemi simbolin mysliman dhe të krishterë. - Saktësisht! - Por, kur jemi këtu... desha të të them diçka. Edhe unë isha në Xhaminë e Madhe, por kryqi që pashë më shumë mu duk si kryq nazist, sesa si kryq i krishterë. - Është e vërtetë. Por, mos harro se, në kohën kur është vizatuar ai kryq,

Hitleri dhe ideologjia e tij ende nuk ekzistonin. - E di, e di. Por... - Po, tani nga perspektiva jonë, ai për ne është një kryq nazist, por në fakt nuk është. - Po, kuptoj. Edhe?! A e ke gjetur varrin e së Martës? Moshe nuk u përgjigj menjëherë, por e shikoi me një shikim analizues, të cilin Kujtimi e kishte parë edhe herë të tjera te profesori. Sikur donte ta testonte, ta vlerësonte se a mund t'ia thoshte atë që kishte në mendje. Ndonjë sekret, ndoshta?! - Kujtim! Më fal që nuk të thirra menjëherë sapo erdha në Prishtinë... -

Pse, kur paske ardhur? - Pesë ditë më parë. - Njëmend?! - Po... dhe, ti e di se, për ta identifikuar varrin e së Martës, më është dashur t'i hapi të tri varret osmane që gjenden në oborrin e Xhamisë së Madhe. Përsëri profesori e shikoi me atë shikimin e tij analizues. Por, kësaj radhe për ta vlerësuar se çfarë efektesh pati ajo që sapo i tha. - Por... a nuk të është dashur të merrje ndonjë leje për ta bërë një gjë të tillë?! - Natyrisht se më është dashur. - Dhe? Ta dhanë menjëherë, a? - Është dashur ta kërkoja, por nuk e kërkova. - I hape varret ilegalisht?! - Po... Kujtim, unë jam shkencëtar. Ti je intelektual dhe mendoj se nuk e ke të vështirë ta kuptosh dëshirën e madhe për dije. - E kuptoj, por...

- Thjesht, nuk kisha durim që të ndiqja procedurat burokratike. Kujtimi u ndie paksa i ofenduar. Disi nuk i pëlqente që të huajt silleshin me aq jo respekt ndaj autoriteteve të vendit, çfarëdo qofshin ato. Thjesht, merrnin atë që iu duhej, pa marrë parasysh pasojat për Kosovën, apo kosovarët. Thënë ndryshe, e konsideronin Kosovën si ndonjë vend të humbur të Afrikës, apo edhe më keq. Për këtë shkak nuk tha gjë. Këtë e vërejti shumë mirë edhe Moshe. (vijon)

(Kosova Sot Online)