Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetë vjeçar? (7)

  • E.K /
  • 01 March 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetë vjeçar? (7)

Luan, prit pak, të lutem. Pse nuk më tregon më parë për çka bëhet fjalë? - e pyeta. - Me të vërtetë dëshiron ta dish? Mirë, atëherë. Dini e ka lënë Sarandën shtatzënë. A je e kënaqur tani? - bërtiste ai derisa unë nuk mund t'u besoja veshëve. - Jo, kjo nuk është e mundur … - thosha ende e tëra e tronditur. - Oh, është e mundur, si nuk është? Saranda sot iu paska treguar prindërve. Amiri veç sa më thirri. Dhe, vetëm ta dish, biseda jonë nuk ishte aspak e këndshme. Më duket se ai është nisur që të vijë te ne. Të dëgjoj tani çka ke për të thënë në mbrojtje të djalit tënd? - më pyeti me sarkazëm. - Dini nuk e hap telefonin. Ndoshta kështu është më mirë.

Sepse, veç mos e futsha në dorë… - tha ai i zemëruar, duke e shikuar celularin. Për një kohë të gjatë nuk munda ta thosha as edhe një fjalë. Më zihej fryma si peshkut në zall. Mu desh që të mbështetesha, përndryshe do të rrëzohesha përtokë. Ajo që sapo mora vesh megjithatë ishte tepër qoftë edhe për mua. Sikur më ishte ndalur truri tërësisht. Nuk e kisha idenë se çka të bëja, apo të thosha. Për shkak të lajmit se djali ynë shtatëmbëdhjetëvjeçar së shpejti mund të bëhej baba, bëri që të më errësoheshin sytë. Nëse unë ndihesha kështu, mund të paramendoja se si ndiheshin miqtë tanë. "Miqtë", thash me vete dhe për pak, më erdhi të qeshja.

Ata kishin plane të mëdha për Sarandën, e tani çdo gjë ishte zhdukur sikur flluskë sapuni. Pashë Zotin! Ajo kishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Dea me gjasë do të jetë çmendur e tëra, thosha vet me vete. - A je i sigurt për këtë që thua? Mos bëhet fjalë për ndonjë gabim - mërmëritja më shumë për veten time, derisa burri i çmendur nga zemërimi sillej poshtë-lart nëpër dhomë. Në atë moment u dëgjua zilja e derës. Luani kërceu sikur ta kishte pickuar bleta. - Nëse është Dini, më mirë të mos më bjerë në dorë - tha ai - Luan, të lutem. Mos bëj ndonjë gjë të pamenduar mirë.

Do të bisedojmë me djalin tonë dhe, së bashku, do të gjejmë zgjidhje - mundohesha ta qetësoja derisa shkonte drejt derës. Shumë shpejt nga korridori u dëgjua një bërtitje, e nuk vonoi shumë e në dhomë hyri mikesha ime Tea. - Qysh nuk ju vjen marre? Njëmend e kishit edukuar djalin, se jo mahi. A e dini çka i ka bërë Sarandës ai? Qurrani i zanave ia ka shkatërruar jetën! - bërtiste ajo, derisa i dilnin lotët rrëke. - Dea, të lutem, qetësohu! Do ta zgjidhim këtë si njerëz të pjekur. Gjithçka do të jetë në rregull - mundohesha që ta ngushëlloja edhe pse edhe vetë kisha nevojë për ngushëllim. - Ku është Dini, pashë Zotin? Dhe, ku është Saranda? Nuk kemi pasur haber se ajo do të vinte te ju.

A e di se sa jemi shqetësuar. Nuk e gjetëm askund. Kishim frikë mos i kishte bërë diçka vetit - tha Dea duke qarë. Ia dola që të ngritesha dhe ta përqafoja. Derisa lotët tanë përziheshin, Dea mbahej për meje, sikur i fundosuri për gome. - Çka do të bëjmë, Renata? Çkaaa… - më pyeti duke dënesur. - Mos u shqetëso. Me gjasë do ta gjejmë ndonjë zgjidhje të arsyeshme - u përgjigja. Në atë moment në dhomë hynë Luani dhe Amiri. Në fytyrën e zbehtë të Amirit shihej qartë shqetësimi. Më ishte e qartë se situata nuk ishte aspak e mirë. Jo vetëm që duhej të ballafaqoheshim me përgjegjësinë e papritur, por dukej se edhe miqësia jonë ishte rrezikuar së tepërmi. - Kjo me të vërtetë nuk na është dashur - tha Luani duke tundur kokën. - Më së miri do të ishte sikur, sa për fillim, të qetësoheshim të gjithë ne. Akuzat e ndërsjella nuk çojnë askund. Mendoj se duhet t'i presim fëmijët dhe të shohim çka kanë për të thënë ata. Vetëm atëherë do të mund ta marrim vendimin e duhur. Do t'i qes do kafe - thash me qetësinë më të madhe të mundshme edhe pse isha e tëra e shqetësuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)